e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Haxhinasto hesht, gjyqtarja e Korces: Greket me kthyen dhe vajzen 3-muajshe

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Haxhinasto hesht, gjyqtarja e Korces: Greket me kthyen dhe vajzen 3-muajshe
Ministria e Jashtme refuzon çdo reagim ndaj incidentit në Kapshticë me gjyqtarët e Korçës.
Dade: Incident i rëndë, Ministria të kërkojë shpjegime.
Skandalit me gjyqtarët e Apelit dhe Faktit të Korçës i shtohet edhe heshtja e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Ministri i Jashtëm shqiptar njëkohësisht dhe zv.kry-eministër, Edmond Haxhinasto, ndonëse ndodhet në Bruksel, nuk mundi të japë asnjë qëndrim rreth skandalit në doganën greke të Kapshticës, kur gjyqtarëve të procesit “Boboshtica” iu refuzua hyrja në zonën “Shengen” për shkak të detyrës. I kontaktuar në telefon, sekretari i Përgjithshëm i kësaj Ministrie, Gazmend Turdiu, u shpreh se është njohur me ngjarjen vetëm përmes gazetës “Panorama”, por ende nuk ka një informacion në rrugë zyrtare për këtë çështje. Në pamundësi për të dhënë një qëndrim zyrtar të këtij institucioni, Turdiu na kujtoi që t’i përmbahemi një komunikimi institucional përmes zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk mundi të japë një reagim zyrtar për bllokimin e gjyqtarëve të Apelit të Korçës, gjyqtarë që emërohen dhe shkarkohen nga ky Këshill. Pas dorëheqjes së Kreshnik Spahiut dhe bllokimit të zgjedhjes së nënkryetarit të ri, askush nuk mund të komunikojë në këtë institucion në emër të nënkryetarit. Ndërkaq Partia Socialiste e cilëson ngjarjen në doganën e Kapshticës të rëndë, veçanërisht kur ajo ndodh për shkak të detyrës.

Nënkryetarja e Komisionit parlamentar të Jashtëm, ish-sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade, i kërkoi dje Ministrisë së Jashtme të reagojë menjëherë për këtë ngjarje të rëndë për dinjitetin e shtetasit, por edhe zyrtarit shqiptar. “E konsideroj një incident të ëndë jo vetëm për gjyqtarët, por për çdo shtetas shqiptar nëse nuk ka arsye që ka të bëjë me dokumentacionin e kërkuar në rastet kur shtetasit shqiptarë kërkojnë të udhëtojnë në vendet e zonës ‘Shengen’. Padyshim që konsiderohet një incident dhe shteti shqiptar e ka për detyrë të mbrojë dinjitetin e shtetasve të tij dhe, në këtë rast, i takon Ministrisë së Jashtme të kërkojë shpjegime nga ana e përfaqësuesve të palës greke, në mënyrë që të shmangen incidente të këtij lloji”, u shpreh Dade.

Për ish-ministren e Jashtme, nëse refuzimi i hyrjes në zonën “Shengen” lidhet me vendimin gjyqësor ndaj kreut të OMONIA-s, kjo është e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. “Nëse vërtetohet se ata janë kthyer vetëm për shkak të vendimeve që kanë dhënë lidhur me procesin gjyqësor të varrezave greke në fshatin Boboshticë të Korçës, atëherë kjo është e papranueshme; Askush nuk ka të drejtë të cenojë dinjitetin e shtetasve shqiptarë, aq më tepër të gjyqtarëve të cilët i njohin ligjet dhe rregullat më mirë se çdo shtetas tjetër dhe nuk mund të përballen veçse me një trajtim dinjitoz nga shteti i tyre, por dhe nga përfaqësuesit e shtetit grek në këtë rast. Prandaj, do të kërkoja dhe në cilësinë e nënkryetares së Komisionit të Jashtëm parlamentar që të jepen shpjegime nga ana e strukturave përkatëse të Ministrisë së Jashtme, në mënyrë që këto raste të mos përsëriten. Unë jam në pritje të prononcimit të Ministrisë së Jashtme shqiptare për këtë incident”, u shpreh Dade.

Turdiu: Nuk kemi informacion zyrtar

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Gazmend Turdiu, u shpreh dje se nuk ka mbërritur asnjë informacion zyrtar lidhur me refuzimin e hyrjes së gjyqtarëve të Apelit të Korçës në Greqi. Sipas tij, pa pasur një informacion në rrugë zyrtare, nuk mund të ketë asnjë reagim nga kjo Ministri. Ndërkohë që sekretari i Përgjithshëm rekomandoi komunikimin me zëdhënësen e Ministrisë.

KLD, pa nënkryetar, pa reagim

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, institucioni që emëron dhe shkarkon gjyqtarët, nuk pati asnjë reagim dje për incidentin me gjyqtarët e Apelit të Korçës në doganën e Kapshticës. Në mungesë të nënkryetarit të KLD-së, askush nuk mund të japë një qëndrim zyrtar të këtij institucioni deri në mbledhjen e anëtarëve të tij. Shtyrja e zgjedhjes së nënkryetarit ka paralizuar dhe anë të tjera të funksionimit të institucionit.

Refuzimi

Refuzimi i hyrjes në zonën “Shengen” të gjyqtarëve të Apelit të Korçës tregon se në listën e zezë të shtetit fqinj nuk janë vetëm shtetasit shqiptarë me origjinë çame. Precedentët e krijuar së fundmi në kufirin grek, duke bllokuar përfaqësuesit e Drejtësisë shqiptare, hedh dyshime për ekzistencën prej muajsh të një liste me emrat e tyre. Tri rastet e gjyqtareve e konfirmojnë këtë fakt. Vetë ato nuk kanë bërë deklarata publike, në pritje për ta zgjidhur në mënyrë institucionale këtë problem. Gazeta i siguroi në rrugë jozyrtare këto të dhëna, duke e cilësuar si akt të paprecedentë, sidomos në kushtet e dy shteteve demokratike.

Ambasada greke: Kompetencë e policisë kufitare

Ambasada greke në Tiranë nuk ka dhënë asnjë koment pas kthimit në kufi të gjyqtarëve të Apelit të rrethit Korçë, në doganën greke të Kapshticë. Burime zyrtare pranë kësaj ambasade, të pyetur nga “Panorama” thanë se nuk kishin dijeni për ngjarjen e ndodhur në Kapshticë. “Nuk kemi dijeni për atë që ka shkruar gazeta “Panorama”, nuk na ka ardhur asnjë informacion zyrtar për këtë. E kemi lexuar vetëm në gazetë”, është shprehur një burim i ambasadës. Po të njëjtat burime pohuan se veprimet në doganë i përkasin policisë kufitare. “Është kompetencë e policisë kufitare të Kapshticës menaxhimi i të gjitha rasteve me dokumentacionin e shtetasve shqiptarë që duan të udhëtojnë në hapësirën ‘Shengen’, pjesë e së cilës është edhe Greqia”, u shpreh një burim nga Ambasada Greke në Tiranë. Tre gjyqtaret e Gjykatës së Faktit dhe Apelit në Korçë janë pjesë e trupës që gjykuan me një vit heqje lirie për shkak të dhunimit të varrezave të Boboshticës kreun e OMONIA-s në këtë qytet, Naum Disho.

“Kufitarët shpallën rrezik për Greqinë vajzën 3-muajshe”

“Do e ndjek në rrugë ligjore. Shkak, dënimi i Dishos”

Gjyqtarja Maho: Ndaluan kalimin në shtetin grek edhe të fëmijëve të mi me pasaportë amerikane. Kufitarët grekë cilësojnë rrezik për rendin kushtetues të Greqisë dhe një foshnjë tremuajshe. Dy vajzat e mitura të gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë, Afërdita Maho, bashkë me nënën e tyre janë shpallur persona të padëshiruar për shtetin grek.

Vetë gjyqtarja e bën të ditur këtë fakt, sipas së cilës bllokimi iu bë të hënën nga punonjësit grekë të pikës kufitare në Kapshticë. Për përfaqësuesen e Drejtësisë shqiptare, nisur dhe nga ngjarjet e mëparshme me dy kolegët e saj, gjithçka lidhet me dosjen “Boboshtica” dhe dënimin e dhënë për kreun e organizatës OMONIA, Naum Disho. Gjyqtarja Maho ishte e para që dha vendimin për Dishon, duke e cilësuar atë fajtor, në bazë të denoncimit dhe provave të siguruara nga Prokuroria e Korçës për dhunim varresh në fshatin Boboshticë, gjatë punimeve të kryera me porosi të OMONIA-s së rrethit. Ndonëse dënimi u dha rreth 1 vit më parë, gjyqtarja nuk kishte pasur rast të shkonte në Greqi, pasi ndodhej në Amerikë, në pritje të fëmijës së dytë. E pyetur nga gazeta, gjyqtarja e Korçës deklaron se do të ndjekë rrugën ligjore për këtë çështje të paprecedentë.

Të hënën ju jeni kthyer mbrapa në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, pasi nuk jeni lejuar të hyni në shtetin grek. Mund të na e jepni të detajuar këtë pjesë?

Po, jam nisur drejt Greqisë mëngjesin e së hënës së bashku me bashkëshortin dhe dy vajzat e mia, të cilat realisht janë të pajisura me pasaportë amerikane. Kemi kaluar normalisht në doganën shqiptare, ndërsa tek ajo greke na është refuzuar kalimi dhe nuk kemi mundur që të shkojmë në Greqi.

Keni kërkuar shpjegime për këtë gjë?

Sigurisht që po dhe na është dhënë një arsye e çuditshme. Sipas doganierëve grekë, ne jemi persona të padëshiruar dhe të rrezikshëm për vendin dhe sigurinë e shtetit grek. Të mendosh që dy vajzat e mia janë të mitura, njëra vetëm 3-muajshe. Në të vërtetë, pasi na është refuzuar kalimi, njëri prej kontrollorëve grekë na ka paraqitur një fletë, e cila ishte në dy gjuhë, shqip e greqisht, ku shprehej qartë motivi i bllokimit tonë në kufi. Në rastin konkret, unë dhe familja ime paraqesim rrezikshmëri për shtetin grek.

Ju keni qenë herë të tjera në shtetin grek?

Patjetër, kam shkuar për arsye vetjake apo qoftë edhe për pushime me familjen dhe asnjëherë nuk ka ndodhur kjo gjë. Kohët e fundit nuk e kam kaluar kufirin grek, sepse kam qenë në Amerikë, ku edhe kam sjellë në jetë vajzën e vogël. Kam qëndruar atje për 3 muaj dhe para 3 javësh jam rikthyer në Shqipëri. Planifikova disa ditë pushimesh në Greqi, por çuditërisht për shtetin grek jam e padëshiruar.

Si e gjykoni këtë që ndodhi, cila mund të jetë arsyeja e vërtetë e refuzimit tuaj për të kaluar në Greqi?

Jam e bindur se ka lidhje me çështjen “Boboshtica” dhe dënimin e dhënë për Naum Dishon. Kjo konfirmohet edhe nga fakti që dy gjyqtaret e tjera të Apelit, të cilat kanë kërkuar dënimin e Dishos, janë penguar për të hyrë në tokën greke. Vetëm kur kam kontaktuar me to, kemi konkluduar se kjo është rrjedhojë e një vendimi që ne kemi dhënë për çështjen “Boboshtica”.

Ju do ta ndiqni më tej këtë çështje?

Sigurisht që po. Do të zgjedh rrugën ligjore, nuk kam ç’të them tjetër.

Kryegjyqtarja

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kryetaren e Gjykatës së Apelit, Entela Prifti. Përmes telefonit, kryegjyqtarja ka pohuar se është kthyer dy herë radhazi nga pika e kalimit kufitar dhe ka qenë së bashku me familjen e saj. Prifti ka deklaruar gjithashtu se do të reagojë në rrugë zyrtare për këtë ngjarje të ndodhur në kufirin me Greqinë. Motivacioni që ka penguar kalimin e 3 gjyqtareve Afërdita Maho, Entela Prifti dhe Brunilda Malo, është se rezultojnë si persona të padëshiruar dhe të rrezikshëm për vendin dhe sigurinë e shtetit grek. Të tria këto gjyqtare, të Shkallës së Parë dhe të Apelit në Korçë, kanë vendosur dënimin e Naum Dishos. I vetmi që nuk është përballur me pengesa, është gjyqtari Stavri Kallço, i cili në Apel vendosi pafajësi për kreun e organizatës OMONIA. Në të njëjtin rreth mendohet se janë dhe prokurorët, ndonëse ata nuk janë prononcuar.

Dënimi

Më 10 janar të vitit 2012 u vendos nga Gjykata e Apelit dënimi i kreut të organizatës OMONIA në rrethin e Korçës, Naum Disho. Ai u shpall fajtor për akuzën e dhunimit të varreve në fshatin Boboshticë. Sipas banorëve të vetë zonës, të cilët ishin dhe dëshmitarë në procesin ndaj Naum Dishos dhe dy punëtorëve, Luan Zaçe dhe Alqi Koroveshi, gjatë punimeve për ndërtimin e një memoriali u dëmtuan varret e të parëve të tyre. Në përfundim të gjyqit në Shkallën e Parë, Disho u dënua me 1 vit burg, ndërsa dy punëtorët me 6 muaj me kusht. Vetë kreu i OMONIA-s e mohoi akuzën gjatë procesit e, më pas, avokati i tij e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë. Po ashtu, në këtë Gjykatë ndodhet dhe çështja e masës së arrestit. Naum Disho tashmë rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Korçës, ndonëse u kërkua që të pritet dhe vendimi i Gjykatës së Lartë.

PDIU: Ministria e Jashtme duhet të kërkojë sqarime
“Të ekstradohet i arratisuri Disho”

Reagimin e parë për këtë incident të ndodhur në kufirin me Greqinë e ka bërë PDIU. Nëpërmjet një deklarate, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet shprehu indinjatën për sjelljen e fundit të organeve shtetërore greke, që sapo kanë kthyer në kufi gjyqtarët dhe prokurorët e Korçës. “Kjo është një hakmarrje e ulët ndaj zyrtarëve të Drejtësisë shqiptare, që në mënyrë të ligjshme dënuan shkelësin e ligjit, shqiptarin bukëshkalë tashmë të arratisur Naum Disho. Ky aleancim me shkelësin e ligjit në arrati, z.Disho dhe nëpërkëmbje e përfaqësuesit të organeve të ligjit bie ndesh jo vetëm me parimet e promovuara nga Bashkimi Europian, por edhe me parimet bazë të funksionimit të një shteti mesatar të lirë e demokratik”, theksohet në deklaratën e kësaj partie.

“A mos vallë edhe kësaj radhe bëhej fjalë për një rast të ngjashëm me mosnjohjen e toponimeve tona çame prej shtetit grek dhe kërkohet që në dokumentet e zyrtarëve tanë të shkruhet “dhikastis” dhe “isangjeleas” në vend të gjykatës dhe prokuror?” PDIU theksoi se Ministria e Jashtme duhet të kërkojë sqarime për aktin më të fundit të pahijshëm ndaj përfaqësuesve të institucioneve tona të Drejtësisë. “Ne bëjmë thirrje që i arratisuri Disho të ekstradohet për t’u ballafaquar me dënimin e ligjshëm që ka marrë, përndryshe do të bëjmë presion që shteti shqiptar të rishikojë marrëdhëniet bilaterale në fushën e rendit, drejtësisë dhe sigurisë me Greqinë, duke iu përmbajtur kryekëput parimit të reciprocitetit”.