Zbardhet buxheti, Bashkia injoron Elbasanin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Praktikisht, Bashkia e Elbasanit zotëron aktualisht shumicën e aksioneve të klubit të futbollit dhe është administratore. Institucioni vendor ka pranuar të blejë 8.98% të aksioneve të Gentjan Çërragës dhe duke kaluar shumicë. Operacioni është vetëm çështje zyrtarizimi.
Por, duket se klubi i futbollit do të vuajë të paktën edhe këtë vit. Dy ditë më parë, Këshilli Bashkiak miratoi projektbuxhetin ku për sportin parashikoheshin afërsisht 700 milionë lekë të vjetër.
Pavarësisht se ende nuk ka një ndarje përfundimtare se si do të shpenzohen këto para, nga projekti i siguruar nga gazeta "Panorama Sport" shihet qartë që më shumë rëndësi i kushtohet infrastrukturës, sporteve të tjera dhe aktiviteteve të ndryshme sesa klubit të futbollit.
Dhe në vija të përgjithshme për të thuajse nuk flitet fare. Buxheti Lojërave me dorë dhe sporteve të tjera, përveç futbollit, këtë vit i është kushtuar një rëndësi e veçantë dhe më e madhe. Gjatë këtij viti pritet të ketë një restaurim të pallatit të sportit "Tomorr Sinani", i cili duhet thënë se aktualisht nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme.
Nga ana tjetër, në buxhetin e këtij viti është parashikuar edhe rikonstruksioni i poligonit të qitjes dhe të palestrës te kompleksi "Shefqet Lamçja", aty ku aktualisht dhe ndër vite është stërvitur ekipi i peshëngritjes së këtij qyteti. Kushtet në këtë poligon që ka njëkohësisht edhe këtë palestër janë gati të mjerueshme, për shkak edhe të lënies në harresë për vite të tëra.
Përpos investimeve që do të kryejë në infrastrukturë te shumësportëshi, bashkia shpreson te një pjesëmarrje rezultative në aktivitetet sportive të ekipeve të sportklubit të këtij qyteti. Objektivat Në objektivat e politikës së programit janë renditur pikat si më poshtë:
1. Nxitja e aktiviteteve sportive, të cilat ndikojnë në shëndetin e popullatës.
2. Nxitjen dhe organizimin e projekteve të ndryshme sportive duke i mbështetur financiarisht.
3. Riorganizimi i sportit në shkolla si bazë për përcaktimin e sporteve prioritare.
4. Vlerë- simi i gjendjes fizike-fiziologjike-funksionale të rinisë shkollore dhe disa pika të tjera. Shihet qartë që Bashkia i kushton shumë pak rëndësi klubit të futbollit. Megjithatë, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak do të ketë një ndarje përfundimtare të të gjithë shumës që është parashikuar për sportin. Bashkia e ka bërë të ditur tashmë se synimi i saj është shitja e aksioneve, pasi vetë e ka të pamundur që të financojë dhe menaxhojë një klub futbolli.