e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Xhenoa dhe Mynshengladbah, te 'cmendur' pas talentit shqiptar, Armando Sadiku

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhenoa dhe Mynshengladbah, te 'cmendur' pas talentit shqiptar, Armando Sadiku
Gjashtë gola në pesë ndeshje me ekipin përfaqësues U-21 nuk kanë kaluar pa lënë shenjë. Sulmuesi i Shpresave Armando Sadiku është një nga njerëzit e momentit në futbollin zviceran. Pavarësisht se luan me një skuadër modeste të ligës së dytë zvicerane, lojtari është vënë në vitrinë për paraqitjet e shkëlqyera dhe diferencën që ka bërë në mënyrë konstante në këtë kampionat. Siti i mirënjohur italian tuttomercatoëeb shkruante dje që sulmuesi i ri shqiptar ka një gjeografi të gjerë pretendentësh. Ajo fillon nga vetë kampionati zviceran me Young Boys-ët në krye të listës, vazhdon me gjermanët e Borusia Mynshengladbah dhe përfundon me dy klubet e njohura italiane, Siena dhe mbi të gjitha Xhenoa e presidentit Preciozi.

Sipas, tuttomercatoëeb është pikërisht ky i fundit njeriu më i interesuar për shërbimet e talentit shqiptar. Sidoqoftë, sipas mediave zvicerane do të jetë shumë e vështirë që klubi i Lokarnos të pranojë ta largojë futbollistin kaq shpejt, rreth 10 muaj pasi u transferua në Zvicër. Strategjia e Lokarnos, klub me të cilin Sadiku në qershor nënshkroi një kontratë afatgjatë është që ta mbajë edhe për pak kohë sulmuesin në mënyrë që këtij të fundit t’i rritet ndjeshëm vlera e kartonit. Kjo vlerë, sipas mediave aktualisht shkon në afër 1 milionë euro, një shumë e konsiderueshme për një futbollist 20 vjeçar që nuk e ka treguar veten ende në një piacë të rëndësishme evropiane.