Xhafaj: Flamurtarin po e shkatërrojnë hienat
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Daniel Xhafaj mendon rikthimin te Flamurtari, por si trajner.

Kjo është dëshira e ish-sulmuesit të njohur vlonjat, e cila mund të realizohet vetëm pasi nga klubi të jenë larguar "hienat".
Në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport", Xhafaj flet për situatën që po kalon skuadra vlonjate, akuzat e Idrizit dhe marrëdhëniet që ka me trajnerin Ramadani.
Daniel, si i shihni zhvillimet më të fundit te Flamurtari?
Të them të drejtën nuk jam habitur nga ecuria e Flamurtarit. E prisja që do të vazhdonte e njëjta histori. Por, këtë radhë situata është më alarmante se herët e tjera. Gjatë gjithë karrierës sime si futbollist e kam ndjekur Flamurtarin, por edhe tani që nuk jam aktiv e ndjek dhe dua që ekipi të ecë përpara, jo me hiena, por me njerëz dhe drejtues që të respektojnë çdo futbollist që vjen dhe largohet nga ai ekip. Flamurtari i asaj kohe kur isha më largoi me zemër të thyer. Mirëpo, koha dhe jeta i tregon të gjitha kush ka gabim, kush gënjen dhe kush është besnik.
Mendoni se ekipi rrezikon qëndrimin në Superiore?
Besoj se Flamurtari do të qëndrojë në elitë. Por them se rrezikon shumë.
Administratori Idrizi i ka cilësuar "lepuj të lagur" lojtarët pas humbjes meSkënderbeun. Keni një koment?
Nuk është dëgjuar ndonjëherë të shash lojtarët e tu, zgjedhjet e tua. Nuk hyj fare te vlerat, por ata janë pjesë e ekipit dhe duhet krijuar ambient i ngrohtë. Si mund t'i shash lojtarët për këtë ecuri?! Aty ka futbollistë shumë të mirë që kanë dalë kampionë, kanë luajtur me kombëtaret dhe në nivele të larta. Nuk e di nëse kjo është e drejtë. Përderisa ata futbollistë kanë kontratë me Flamurtarin janë më të mirët. Ata janë aty pasi Flamurtari i kërkoi dhe nuk erdhën me forcë.
Kush është fajtor për këtë situatë?
Klubi e ka fajin dhe asnjë tjetër.
A mund të flisni me emra konkretë?
E vetmja arsye pse nuk them emra është se nuk dua që t'u ngre vlerat. Le të qëndrojnë të notojnë te paaftësia profesionale dhe servilizmi ku janë.
Dëshironit t'i thoshit diçka administratorit Idrizi?
Nuk kam çfarë t'i them pasi nuk e njoh. Kur isha futbollist aktiv u ofrova ta mbyllja karrierën time si futbollist te Flamurtari, por ai nuk më ktheu asnjë përgjigje, kështu që nuk mund t'i them asgjë. Por unë kam çfarë i them bashkisë dhe njerëzve që kanë dhënë shumë për atë Flamurtar, që me djersë e ngritën atë emër të madh. Flamurtari tani ka nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen, por edhe eksperiencën e tyre.
Cili është ndryshimi mes Flamurtarit tuaj dhe atij të sotëm?
Në kohën tonë, ne kemi luajtur edhe për krenari, të cilën nuk na e prek dot njeri. U ktheva të luaja në Vlorë pas shumë vitesh, edhe pse ishim drejt titullit. Hienat vepruan ashtu si dinë ata dhe ne e humbëm.
Po në cilësinë e lojtarëve ka ndryshime?
Po ju marr një shembull dhe pyetje.
Si mendoni, kush ka më vlerë një lojtar me të ardhme si Bregu apo dhe emër tjetër vlonjat i ri me perspektiv, apo një i huaj rezervë për Flamurtarin?
Flamurtari ka lojtarë shumë të mirë dhe kampionë. Jo të gjithë natyrisht.
Çfarë duhet bërë?
Duhet marrëdhënie e fortë klub-lojtar lider dhe tifozë. Vetëm kështu ecën ekipi para.
A e njihni trajnerin Ramadani?
Po, e njoh. Ne kemi luajtur bashkë te Flamurtari. Ai është djalë dhe trajner i shkëlqyer, por ka mbetur vetëm dhe hienat nuk të lënë.
Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja?
Marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira dhe vazhdojnë që të jenë të tilla. Kam respekt për të si njeri dhe ecurinë shumë të mirë si trajner. Por ai e njihte ambientin dhe duhet të kishte afër vetes njerëz më të fortë.
Keni komunikuar me Ramadanin tani që ai ka marrë drejtimin e ekipit?
Po, kam komunikuar dhe i urova sa më shumë suksese te Flamurtari. Po të vijë rasti të flasë përsëri, do t'i jap një këshillë. E kuptoj që nuk ka situatën në dorë, ndoshta.
Dy vite më parë, Flamurtari fitoi Kupën e Shqipërisë dhe vuante për mbijetesë. E njëjta situatë apo jo?
Po, është e vërtetë që Flamurtari e fitoi Kupën dy sezone më parë dhe se ishte në të njëjtën situatë. Por e dini përse e fitoi? Kishte shumicën e lojtarëve vlonjatë dhe u ngacmua krenaria.
Sa janë shanset që Flamurtari ta fitojë sërish trofeun?
Unë them sërish se Flamurtari e fiton Kupën. Edhe pse nuk e them dot me zë, e mendoj.
Si ndihet Danieli tani që ka lënë futbollin e luajtur?
Kalova një periudhë të vështirë kur lashë futbollin aktiv. Jeta tani nuk është një- soj me atë çfarë unë jepja në lojë dhe vlerësohesha. Jeta më solli në një tjetër status, ku nuk ka më rëndësi ajo çfarë kam dhënë si futbollist për ekipe të caktuara. Duhet të ndryshoja në karakter, të filloja diku, ndoshta të bëja rolin tjetër dhe nuk ishte më në dorë ajo çfarë jepja apo dija. Tani jam në Amerikë. Emigrova dhe po krijoj një jetë të re. Kam filluar punë në një akademi futbolli dhe kam marrë ekipin U-15. Aktualisht po marr diplomat e UEFA-s për trajner.
E mendoni një rikthim te Flamurtari?
Te Flamurtari dëshiroj që të kthehem sërish. Por duhet që të ketë shumë ndryshime. E para, ndryshimi duhet të jetë ajo stemë që Flamurtari ka pasur, që futbollistë të nderuar e kanë ndërtuar me djersë dhe gjak. Dua të rikthehem, kur ta meritoj për atë që do jem dhe jo për atë që kam dhënë si futbollist.
Që do të thotë, ndoshta si trajner?
Pse jo, edhe si trajner...
Përgatiti: ERMAL SIKA