e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Wikileaks, Rusia njoftoi Londren per vrasjen e Litvinenkos

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Wikileaks, Rusia njoftoi Londren per vrasjen e Litvinenkos
Dokumenti sekret i përket një takimi të vitit 2006 mes një ish-shefi byroje të CIA-s dhe një ish-oficeri të KGB-së. Memorandumi, i shkruar nga stafi i Ambasadës Amerikane në Paris, tregon “një darkë miqësore më 7 dhjetor mes Henry Crumpton dhe përfaqësuesit special të presidentit rus, Anatoliy Safonov”, dy javë pasi vdekja e Litvinenkos me helmim poloniumi hapi një gjueti ndërkombëtare për vrasësit e tij. Gjatë darkës, Crumpton, i cili drejtonte operacionet e CIA-s në Afganistan përpara se të bëhej ambasador i anti-terrorizmit, dhe Safonov, një ish-kolonel e gjeneral i KGB-së, diskutonin mënyrat se si dy vendet e tyre mund të punonin së bashku kundër terrorizmit. Në dokument thuhet se “Safonov e hapi mbrëmjen me vlerësimin e tij për bashkëpunimin e deritanishëm SHBA-Rusi.

Ai citoi ngjarjet e fundit në Londër, sidomos vrasjen e ish-spiunit rus nga ekspozimi në elementë radioaktivë, si provë që tregonte sa i madh mbetej kërcënimi dhe sa shumë duhej të bëhej në frontin e bashkëpunimit”. Dokumenti përmban vëzhgimin e zyrtarëve të Ambasadës Amerikane se komentet e Safonovit sugjeronin se Rusia “nuk ishte përfshirë në vrasje, edhe pse Safonov nuk ofroi shpjegime të tjera”. Më pas, sipas dokumentit sekret, Safonov kishte treguar se “autoritetet ruse në Londër kishin pasur dijeni dhe i kishin ndjekur personat që lëviznin me substanca radioaktive në qytet, por iu tha nga britanikët se ata i kishin nën kontroll, përpara se të ndodhte helmimi”. Deklarata u refuzua si përpjekje e patakt e Moskës për të larguar akuzat, se agjentët e saj ishin përfshirë në vrasje.

Rusia tha se nuk ka të bëjë me këtë vrasje, por ekspertë të spiunazhit deklarojnë se vrasja e tij nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e Kremlinit. Pak përpara se të vdiste, Litvinenko tha se ai kishte takuar dy ish-agjentë të KGB-së, Dimitry Kovtun dhe Andrei Lugovoi, në ditën që ai u helmua. Që të dy ata e kanë mohuar përfshirjen në vrasje, por Britania ka bërë një kërkesë zyrtare për ekstradimin e Lugovoit. Deklaratat se autoritetet britanike po monitoronin progresin e vrasësve në Londër ngrenë pyetjen nëse Litvinenko ishte lajmëruar se jeta e tij mund të ishte në rrezik gjatë ditëve para se të vritej.