e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

Vrasja e Julian Celes? SHISH merr ne dore hetimet per pedofilin

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
Vrasja e Julian Celes? SHISH merr ne dore hetimet per pedofilin
Një grup special i SHISH, me urdhër të drejtorit Visho Ajazi po bashkëpunon me grupin hetimor për zbardhjen e plotë të fatit të Julian Çelës. Dyshime edhe për përfshirjen e Ardian Prrenjasit në një rrjet pedofilësh.

Tiranë Një grup special i Shërbimit Informativ Shtetëror ka marrë në dorë hetimet për zhdukjen e 10-vjeçarit Julian Çela, djalë i një zyrtari të lartë në SHISH. Pas rrëfimit të autorit të dyshuar të vrasjes, Ardian Prrenjasi, se kishte mbytur dhe kishte hedhur në plehra trupin e 10-vjeçarit, SHSH është vënë në alarm për zbardhjen e ngjarjes. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Visho Ajazi, disa oficerë dhe agjentë të shërbimit sekret i janë bashkuar grupit hetimor që kryesohet nga prokurori Ervin Karanxha, me qëllim zbulimin e të vërtetës mbi zhdukjen e 10-vjeçarit Julian Çela.

Fillimisht hetuesit kanë administruar dëshminë e 45-vjeçarit Ardian Prrenjasi, i cili tregon detaje mbi vrasjen e fëmijës që e ka takuar rastësisht pranë banesës së tij në lagjen Laprakë. Menjëherë pas këtij informacioni, oficerët e SHISH së bashku me policinë janë vënë në kërkim të trupit të fëmijës, por duke analizuar edhe të dhëna të tjera të siguruara nga hetimi. Edhe pse kanë kaluar tri ditë nga arrestimi i Prrenjasit, hetuesit ende nuk kanë një provë tjetër që të konfirmojë dëshminë e të dyshuarit, çka mund ta bëjë të pabesueshme dëshminë e tij. Pedofili thotë se trupin e 10-vjeçarit e ka hedhur në një kosh pranë shtëpisë së tij, dhe më pas është transportuar nga makina e plehrave drejt landfillit të Sharrës.

Por askush prej personave që kanë qenë në makinë nuk ka vënë re asgjë të dyshimtë mbrëmjen e 30 nëntorit, kur Ardian Prrenjasi pretendon të ketë vrarë 10-vjeçarin Julian Çela. Për të verifikuar këtë alibi, ekspertët kanë sekuestruar në banesën e tij gjithçka kanë gjetur, ndërsa në proces janë përfshirë edhe agjentë të SHISH. Paraditen e së hënës disa prej tyre kanë marrë mostra nga sendet e sekuestruara në banesën e Prrenjasit me qëllim ekzaminimin e tyre, çka do të konfirmojnë ose rrëzojë pretendimet e të dyshuarit si pedofil për vrasjen e fëmijës. Paralelisht me këtë pistë, agjentët e policisë dhe SHISH që po bashkëpunojnë në hetimin e çështjes kanë hedhur dyshime edhe për dy pista të tjera hetimi.

Pista e parë ka të bëjë me mundësinë e përfshirjes së Ardian Prrenjasit në një rrjet trafikantësh fëmijësh, kjo për faktin se dëshmia e tij nuk mbështetet nga asnjë provë tjetër. Ndërsa pista e dytë e lidh Prrenjasin me një rrjet të mundshëm pedofilësh. Kjo pistë përforcohet edhe nga dëshmia e fëmijës që u shpëtua nga policia, i cili ka treguar se Ardian Prrenjasi vazhdimisht i thoshte se do të iknin bashkë në Greqi. Por ky episod nuk përmendet në dëshminë e Prrenjasit, ndërsa policia thotë se çdo informacion duhet verifikuar. Gjithashtu një tjetër element që sipas burimeve e bën të besueshme këtë pistë është e shkuara e të dyshuarit, i cili është dënuar në Greqi për abuzime me të mitur.

Por të dyja këto pista mbeten ende në kuadër verifikimi, pasi SHISH dhe policia ende nuk kanë të dhëna konkrete, por vetëm dyshime që lidhen me mosgjendjen e provave të tjera shkencore që do të vërtetonin alibinë e Ardian Prrenjasit. Burimet thonë se hetimet për çështjen, përveç kontrolleve me mjete të specializuara në fushën e depozitimit të plehrave në Sharrë, po zhvillohen edhe mbi të dhëna apo pista të tjera që ka ngritur policia. Në të gjitha verifikimet që kryhen të pranishëm janë edhe agjentë apo oficerë të SHISH, të cilët gjithashtu po mbledhin informacione paralelisht me policinë për zbardhjen e ngjarjes së rëndë.

Prrenjasi, akuzë vetëm për abuzimin me 10-vjeçarin

Ardian Prrenjasi do të përballet sot me Gjykatën e Tiranës për masën e sigurisë. Prokuroria e akuzon për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur

Tiranë Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj 45-vjeçarit Ardian Prrenjasi, akuzuar për marrëdhënie homoseksuale me dhunë me të mitur. Kërkesa e prokurorisë është depozituar ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, ndërsa pritet që brenda dy ditëve ajo të shqyrtohet nga gjyqtarja e gatshme, Kaçe Agolli. Sipas burimeve mësohet se në dispozicion të gjykatës janë vënë dëshmitë e personave të pyetur rreth rrëmbimit dhe dhunimit të 10-vjeçarit A. C. katër ditë më parë në Laprakë. Po ashtu në dosjen që prokuroria ka vënë në dispozicion të gjykatës gjendet edhe dëshmia e plotë e të dyshuarit si pedofil, Ardian Prrenjasi, i cili pranon abuzimet me 10-vjeçarin si dhe vrasjen e një tjetër bashkëmoshatari të tij, Julian Çela, që rezulton i zhdukur që prej 30 nëntorit të vitit të shkuar. Kjo është hera e dytë që Prrenjasi, shofer i makinës së plehrave në Tiranë përballet me drejtësinë.

Pesë vite të shkuara ai mundit t’ia hedhë me një gjobë prej 60 mijë lekësh, edhe pse akuzohej për një episod me dy fëmijë të mitur, njërin prej të cilëve e kishte mbajtur për disa kohë të mbyllur në banesën e tij. Asokohe prokuroria nuk kërkoi masë sigurie ndaj të dyshuarit si pedofil, çka bëri që të hetohej dhe dënohej me gjobë në gjendje të lirë. Por këtë radhë organi i akuzës ka kërkuar masën shtrënguese “arrest me burg” për akuzën e rrëmbimit të një fëmije, abuzimin me të dhe vrasjen e një tjetër të mituri, trupi i të cilit nuk është gjendur ende. Për këtë episod grupi hetimor ende nuk ka në dorë një provë shkencore, ndërsa elementi i vetëm që hedh dyshime mbi vrasjen e 10-vjeçarit është rrëfimi i të arrestuarit, Ardian Prrenjasi.

Gruaja e Prrenjasit: Juliani vinte shpesh në shtëpinë tonë

Valbona Peçi, gruaja me të cilën bashkëjetonte pedofili i Laprakës, thotë se ai e kishte nisur në Peshkopi pesë ditë para rrëmbimit të Julianit. “Kur shihnim kronikën e zhdukjes në televizor, nuk reagonte fare. Sillej shumë mirë me mua”

Tiranë Valbona Peçi ndante prej dy vitesh jetën me Ardian Prrenjasin, pa mundur ta njohë burrin në krah. Gruaja e dytë e të akuzuarit për vrasjen e Julian Çelës ka vendosur të thyejë heshtjen, duke rrëfyer se si e njihte 45-vjeçarin, por edhe dyshimet e saj për zhdukjen e djalit të drejtuesit të SHISH-it. Në një intervistë për “News24” Valbona jep të dhëna që bien ndesh me dëshminë e Prrenjasit në polici. “Julian Çela vinte shpesh tek shtëpia jonë. Ai dilte bashkë me Ardianin dhe rrinin para banesës”, – ka thënë Valbona në intervistën e saj televizive.

Ky fakt sjell të dhëna të reja mbi zhdukjen e 11-vjeçarit, edhe pse drejtues të policisë i thanë MAPO-s se Valbona Peçi nuk e ka përmendur një gjë të tillë në dëshminë e saj për policinë. Gruaja ka shtuar më pas se në të dyja rastet e abuzimeve Prrenjasi e ka nisur tek prindërit e saj në Peshkopi. “Pesë ditë para se të rrëmbente Julianin, më tha ik në Peshkopi e nxirr kartën e identitetit, që të bëjmë celebrimin”,-tregon më tej Valbona në “News24”. Ka qëndruar 10 ditë në Peshkopi, pasi i shoqi i kishte thënë që do të shkonte ai ta merrte. Ajo ka shtuar më tej se kur kanë parë në televizor lajmin e zhdukjes së Julianit, 45-vjeçari që punonte si shofer në një ndërmarrje pastrimi nuk ka reaguar fare. “Kur shihnim kronikën në televizor, nuk reagonte fare. Kur erdha në shtëpi, nuk kam parë as njolla gjaku dhe as thikë”,- shprehet Valbona. I njëjti skenar është përsëritur edhe në rastin e dytë: atë të rrëmbimit të fëmijës 10-vjeçar, shtëpia e të cilit ndodhet fare pranë asaj të Ardian Prrenjasit. “Më tha të shkoja në Peshkopi për të festuar 14 marsin”, – ka thënë më tej Valbona.

Gruaja betohet se përgjatë dy viteve të bashkëjetesës Ardiani nuk kishte shfaqur asnjë sjellje të dyshimtë. “Mua më trajtonte shumë mirë”, – ka thënë ajo e tmerruar dhe e revoltuar për historitë e dala në dritë. Madje, Valbona Peçi i është shtuar korit të të afërmve që kërkojnë vrasjen e 45-vjeçarit pedofil. “Për atë që ka bërë, duhet të hidhet në erë me eksploziv, të vritet në qendër të Tiranës”, – ka thënë gruaja. Valbona ishte gruaja e dytë e Ardian Përrenjasit, pas divorcit të tij me një grua nga qyteza e lindjes, me të cilën kishte tre fëmijë. Njësoj si gjithë njerëzit e tjerë, ajo është e habitur dhe e tmerruar nga krimet e Ardian Prrenjasit, njeriut që njihej si i qetë dhe korrekt nga të gjithë ata që i qëndronin pranë. Valbona Peçi ka bashkëjetuar në një dhomë të marrë me qira me Prrenjasin në Laprakë, vend ku dyshohet se ai ka vrarë 11-vjeçarin Julian Çela dhe ka abuzuar me të miturin tjetër 10-vjeçar.

 I mituri: Unë e zbulova fqinjin Prrenjasi

Tiranë Një fëmijë 12-vjeçar ka qenë i pari që ka dyshuar se Ardiani ndodhej brenda shtëpisë së bashku me shokun e tij të lagjes. Djali me inicialet A.C tha dje se kur kolegët e Prrenjasit kishin shkuar tek shtëpia e tij, ai kishte kapërcyer avllinë dhe kishte kuptuar që brenda shtëpisë kishte njerëz. “Kapërceva avllinë dhe pashë që s’kishte mbyllur dyert. Tek dritarja e vogël kishte vendosur një peshqir. Më vonë, pasi ikën punëtorët, unë ndenja aty. Më pyet një shef polic, daja i fëmijës për atë njeri. I thashë emrin dhe që e kam shok. Më vonë i thashë merr policinë. Kur erdhi policia, i thashë që e keni këtu Ardianin. Kisha dyshime, se ai asnjëherë s’e ka mbyllur derën ashtu”, – tha i mituri për “News24”. Ai rrëfen edhe momentet kur së bashku me pedofilin shihnin në televizor lajme për zhdukjen e Julian Çelës. “Ishte i trishtuar kur shihte në televizor dhe lajme për Julianin”, – tha ai, i cili shtoi më tej se Përrenjasi sillej me të si ta kishte fëmijë.

Dëshmitë

Ardian Prrenjasi

Ka pranuar në polici abuzimin me një 10-vjeçar dhe vrasjen e Julian Çelës. I akuzuari për pedofili ka treguar me detaje se si e ka zhdukur trupin e 11-vjeçarit në landfillin e Sharrës dhe se emrin e fëmijës e ka mësuar tek “Njerëz të Humbur”

Valbona Peçi

Julian Çela vinte shpesh në shtëpinë tonë. Rrinte me Ardianin para banesës. Pesë ditë para zhdukjes, im shoq më nisi në Peshkopi për të nxjerrë kartën e identitetit. U ktheva pas 10 ditësh, por nuk gjeta gjak apo thikë në shtëpi

I mituri

Një fëmijë 12-vjeçar ka qenë ndër të parët që e ka kuptuar se diçka nuk shkonte mirë në shtëpinë e fqinjit të tij. Ai thotë se ka komunikuar me dajën e 10-vjeçarit dhe i ka thënë të lajmërojnë policinë, pasi Ardiani ishte brenda

Lefter Muka

Pronari i shtëpisë ku rrinte me qira Prrenjasi, thotë se 45-vjeçari dukej si njeri korrekt, që nuk përzihej me njeri. Ai ka treguar se Ardiani nuk e vononte asnjëherë pagesën e qirasë dhe se nuk linte asnjë dyshim se mund të kryente akte të tilla

Ndërpriten kërkimet për trupin e Julianit

Tiranë Kërkimet për trupin e Julian Çelës në landfillin e Sharrës janë ndërprerë, pasi policia nuk disponon mjetet e nevojshme. Edhe pse është përcaktuar tashmë një vend ku dyshohet se është hedhur trupi, kërkimet kanë rezultuar megjithatë të pasuksesshme. Kjo apati në kërkime ka shkaktuar reagimin e familjarëve që kërkojnë më shumë angazhim. ”Ne kemi besim te drejtësia dhe tek shteti. Por po shohim vonesa dhe këto kërkime janë të vakëta. Policia erdhi rreth orës 10.00, bëri një rrethim dhe kaq. Ndërkohë që prej ditës së djeshme kur këtu ishte monstra, policia duhet të ishte shumë e vëmendshme, pasi ai thotë se këtu është edhe batanija që është provë materiale. Por kërkimet nuk janë kryer ashtu siç duhet”, – thonë familjarët e Julian Çelës.

Ndërsa hetimet vazhdojnë, policia ka përcaktuar vendin se ku do të kryejë kërkimet e saj, në bazë edhe të dëshmisë së vetë Ardian Prrenjasit, i cili ka pranuar vrasjen e 11-vjeçarit.