e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Vllaznia, endrra shkermoqet ne tri minuta

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vllaznia, endrra shkermoqet ne tri minuta
Tabuja vazhdon: asnjë skuadër shqiptare nuk arrin të kualifikohet në turin e tretë eliminator të Kupave të Europës. Shansin më të madh për ta realizuar diçka të tillë e kishte Vllaznia. Megjithatë, mungesa e eksperiencës dhe një finale e çmendur e ndeshjes me Thunin, ka bërë që ëndrra e shkodranëve të shkërmoqet në kohën shtesë. Edhe pse kryesuan për 89 minuta 0-1, kuqeblutë pësuan dy gola në harkun e 180 sekondave dhe u eliminuan nga Europa League. Iluzione për një kualifikim të mundshëm kishte edhe Tirana, por gjithçka zgjati 66-të minuta: deri në këtë moment, rezultati ishte në barazim 1-1, ndërsa në fund, takimi u mbyll me fitoren 3-1 për sllovakët e Spartak Trnavës. Flamurtari nuk arrin të evitojë turpërimin në Çeki: vlonjatët u mposhtën me rezultatin e thellë 5-1 nga Jabloneci.

Vllaznia – Gjithçka po shkonte në mënyrën më të mirë për shkodranët në ndeshjen e kthimit. Madje, dukej sikur Vllaznia ishte në një ëndërr të bukur. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa gjeti golin e avantazhit në minutën e 14-të me Xhevahir Sukajn. Në aksionin e parë që kuqeblutë u futën në zonën e Thunit, sulmuesi arriti ta dërgonte topin në rrjetë: rrufe në qiell të pastër për zviceranët dhe emocion i pabesueshëm për shqiptarët. Thuni ka provuar të reagojë, madje ka kërkuar golin për minuta me radhë, por fati dhe pritjet e Vujadinoviç mbajtën rrjetën të paprekur. Tronditja erdhi në minutën e 89-të: Milaim Rama, i aktivizuar vetëm 19 minuta më parë, realizon një gol mjaft të bukur. Thuni nisi ofensivën finale, në kërkim të golit të fitores, i nevojshëm për kualifikimin dhe arriti të thyente mbrojtjen shkodrane në minutën e dytë të kohës shtesë. Mbrojtësi Benxhamin Luthi, edhe ai i aktivizuar nga stoli, shënoi golin e fitores. Një rrjetë që nuk e lejon Vllazninë të hyjë në histori, duke u bërë skuadra e parë shqiptare që luan në turin e tretë të Kupave të Europës.

Me këtë disfatë, shkodranët humbasin shansin të ndesheshin me Palermon në fazën tjetër të Europa League. Tirana – Bardheblutë cilësoheshin si skuadra shqiptare më e favorizuar për t’u kualifikuar. Minutat e para të takimit e konfirmuan këtë, edhe sepse Tirana kaloi në avantazh në minutën e 22-të me rrjetën e Gilman Likës. Por, rënia e skuadrës së Hulian Rubios erdhi përpara fundit të pjesës së parë të takimit: në minutën e 41-të, Spartak Trnava barazoi rezultatin me Tomaçek. Në fraksionin e dytë të lojës, sllovakët shënuan në të 66-ën me Proçazkan, ndërsa vulosën kualifikimin në të 85-n, me penalltinë e shndërruar në gol nga Tomaçek. Humbje 3-1 dhe bardheblutë që kthehen në shtëpi, duke humbur shansin të luanin me bullgarët e Levskit të Sofjes.

Flamurtari – Askush nuk priste surpriza pas humbjes 2-0 në Vlorë. Megjithatë, ishin të shumtë ata që shpresonin se Flamurtari, që sapo kishte larguar Xhafajn, Plakun, Ahmatajn e Devollin, të paktën të mos turpërohej. Kjo nuk ndodhi, pasi kuqezinjtë janë “bombarduar” me rezultatin 5-1 nga Jabloneci. Ndeshja i dhuroi lavdi Kovarik e Pitak, autorë të dy golave secili dhe Lafatas, “vrasësit” të Flamurtarit në ndeshjen e parë. Rrjeta e Sakajt me 11-metërsh në të 36-ën, që ngushtoi përkohësisht shifrat në 2-1, ishte thjesht një shkëndijë. Vlonjatët eliminohen me rezultatin e përgjithshëm 7-1.