e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tare: Me Lorik Canen kemi krijuar nje Lacio endrrash

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tare: Me Lorik Canen kemi krijuar nje Lacio endrrash
Me blerjet e shumta të realizuara gjatë kësaj vere, Lacio është shndërruar në një prej skuadrave më të forta të Serisë A italiane. Protagonist absolut i merkatos së klubit ka qenë Igli Tare, drejtori sportiv i klubit. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare ka arritur të bindë lojtarë si Klose, Cise apo Luliç që të luajnë me bardhekaltërit, ndërsa një prej përforcimeve më të goditura cilësohet mesfushori shqiptar, Lorik Cana. Tashmë Lacio i ka bërë tifozët që të ëndërrojnë realizimin e objektivave të rëndësishëm, ndërsa për këtë ka folur edhe Tare, që do të vazhdojnë punën për përmirësimin e kontingjentit. “Champions League? Nuk do të jetë e lehtë, pasi të gjitha skuadrat e tjera rivale po përforcohen.

Megjithatë, Lacio nuk i trembet askujt; do të përballemi si të barabartë me të gjithë. Vazhdojmë të jemi ende të kujdesshëm për bilancin, megjithatë ky klub meriton të jetë mes të parave në klasifikim. Synimi ynë është që projekti të ketë vazhdimësi, duhet të vazhdojmë të përmirësojmë skuadrën me punë dhe përkushtim. A do të jetë e mundur që me kalimin e kohës të ndërtohet një skuadër për titullin? Përse jo”, tha Tare. Edhe pse triumfi në Serinë A nuk është një objektiv për sezonin e ardhshëm, të gjithë në skuadër kanë dëshirë që ta fitojnë titullin.

Për sa i takon merkatos, drejtori sportiv shtoi: “Kemi edhe një muaj e gjysmë kohë për përforcime të tjera. Në javët e para u treguam të zotët që i dhuruam trajnerit një skuadër konkurruese, por do të monitorojmë me kujdes merkaton deri në fund. Blerja e Canës, që e kërkova me ngulm? Loriku do të jetë shumë i rëndësishëm për sezonin e ardhshëm. Është një lojtar me eksperiencë të madhe dhe ka karakteristika të ndryshme nga mesfushorët që kemi. Mbi të gjitha Cana është një lojtar që mund të luajë në disa role, nga mesfusha deri në mbrojtje”.