Vllaznia dhe Laçi ndahen në paqe në Shkodër
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Vllaznia dhe Laçi janë ndarë sot në barazim 0-0 mes tyre, takim i vlefshëm për javën e 23-të të Kategorisë Superiore. Të dyja skuadrat kanë zhvilluar një ndeshje të ekuilibruar dhe në fund kanë ndarë nga një pikë.
Derbi i veriut nis me një ritëm të lartë e janë vendasit ata qe janë më këmbëngulës që në fillim të ndeshjes. Me kalimin e minutave loja nis të balancohet, por sërish Vllaznia sheh më shumë nga porta e Selmanit e në minutën e 41' Çinari ka një rast të pastër shënimi, por nuk ia del.
Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të pa prekura. Edhe pjesa e dytë ishte fotokopje e të parës me një lojë të balancuar. Vendasit kontrollojnë lojën e përpiqen të krijojnë mundësitë e tyre. Në minutën e 74-t është shtylla ajo që i mohon golin Vllaznisë.
Vllaznia rrit presionin por e ka të pamundur të gjejë rrugën e rrjetës duke u ndalur në barazim 0-0 në fushën sportive "Reshit Rusi". Në fund të takimit ka patur një dëmtim në kokë për Gurishtën që është larguar me ambulancë, ndërsa Nimani i Laçit është ndëshkuar me karton të kuq. Me këtë barazim shkodranët shkojnë në kuotën e 20 pikëve, ndërsa Laçi mbetet e 6-ti me 29 pikë.
Vllaznia - Laçi 0-0
Vllaznia: Dragojeviç, Arbri, Cicmil, Pjeshka, Marku, Tafili, Bardulla, Sefa, Shtubina, Çinari, Kalaja Trajner: Armando Cungu
Laçi: Selmani, Souza, Sheta, Gjoni, Buljan, Çela, Dosti, Mustafa. Sefgjini, Nimani, Cetkoviç Trajner: Stavri Nica
Gjyqtarë: Ardian Beqiri, Denis Rexha, Nertil Bregasi, Besnard Kaimi