Vitet 80/ Targaj: Unë, i vetmi që i kam shënuar Austrisë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shqipëria ka një bilanc shumë negativ me Austrinë: vetëm humbje në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani.
Për më tepër, austriakët na kanë shënuar 17 gola, ndërsa kuqezinjtë kanë realizuar vetëm një herë.
Historia e ballafaqimeve nis më 15 nëntor të vitit 1980, teksa Shqipëria ishte në një grup me Austrinë për kualifikueset e Botërorit 1982. Takimi i parë historik përfundoi me fitoren e thellë 5-0 të austriakëve. Për herë të fundit kuqezinjtë kanë luajtur më 29 prill të vitit 1987 në "Qemal Stafa", me austriakët që kanë triumfuar minimalisht 0-1.
Ndërsa i vetmi gol që Shqipëria ka shënuar në portën e Austrisë është ai në humbjen 1-2 në Tiranë më 8 qershor 1983. Kombëtarja e drejtuar në atë kohë nga Shyqyri Rreli deri në minutën e 84-t mundej me shifrat 0-2. Kuqezinjtë fituan një penallti dhe nga pika e bardhë shkurtoi diferencën qendërmbrojtësi Muhedin Targaj. Sot, 33 vite më pas, Targaj është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHFsë.
"Panorama Sport" kontaktoi dje me ish-kapitenin kuqezi, i cili foli rreth përballjeve me austriakët në "Qemal Stafa" dhe Vjenë. "E kujtoj mirë takimin e vitit 1983. Kam shënuar me penallti, por nuk kemi mundur të barazojmë. Austria ka pasur një prej ekipeve më të mira të Europës në ato vite, me disa lojtarë që aktivizoheshin në Itali dhe Gjermani. Bëhej fjalë për emra të njohur futbollistësh për kohën", thotë fillimisht Targaj, i cili ka luajtur 22 ndeshje me Kombëtaren.
Humbjet
Por, si shpjegohet që në gjashtë ndeshje, kuqezinjtë nuk kanë arritur të marrin qoftë edhe një pikë? Ishkapiteni Targaj jep këtë argument.
"Personalisht, kam luajtur kundër Austrisë në katër ndeshje gjatë viteve '80. Kemi humbur rregullisht, jo vetëm sepse Austria ka pasur një ekip të mirë, por eksperienca jonë në arenën ndërkombëtare ka qenë e paktë. Ishin vite që ne kemi qenë shumë të mbyllur dhe zhvillonim pak ndeshje me Kombëtaren. Kohët kanë ndryshuar shumë dhe nëse bëjmë një krahasim me të sotmen, mund të them pa frikë se jemi si të barabartë ndaj Austrisë.
Në vitet '80 diferencat kanë qenë të mëdha për shkak të vuajtjeve tona, sepse nuk bënim asnjë ndeshje miqësore. Madje, nuk na lejonin as të bisedonim me kundërshtarët. Mbaj mend që përpara se të godisja penalltinë, erdhi portieri i Austrisë dhe më tha: 'kam për ta kapur'. Kjo është diçka normale sot", rrëfen ish-mbrojtësi Targaj për ndeshjen në "Qemal Stafa" në vitin 1983.
Suksesi
Kualifikimi historik në Europian natyrshëm që ka bërë krenar edhe Targajn si një ish-lojtar që ka dhënë shumë për Kombëtaren.
"Jam shumë optimist për vazhdimësinë. Do të shohim tashmë në dy miqësoret e radhës se çfarë gjendje po kalon skuadra. Luajnë ndaj një Austrie që ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në eliminatoret e fundit, ashtu si ne.
Kemi një grup të mirë lojtarësh, që mund të bëjnë surpriza edhe në Europianin e Francës. Kemi lojtarë me eksperiencë në klubet europiane dhe luajnë pa stres dhe pa emocione", thekson 61-vjeçari. I pyetur për zhurmën rreth listës së lojtarëve që do të përzgjedhë De Biazi për Europianin, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHFsë u shpreh:
"Trysnia mbi trajnerin është në çdo ekip, kështu ndodh në gjithë botën. De Biazi e di më mirë gjendjen e lojtarëve dhe normalisht do të mundohet të marrë ata që kanë formën të mirë në prag të Europianit".
Mavraj
Në fund, Targaj tregoi edhe se kush nga mbrojtësit e Shqipërisë i ngjason për sa u përket karakteristikat që ai ka pasur kur luante për Kombëtaren. "Mua më pëlqen Mavraj, por nuk mund të them se më ngjason. Kanë qenë kohëra të tjera dhe ka ndryshime sa të duash në tiparet e lojtarëve. Gjithsesi, ky është një nga mbrojtësit që më pëlqen më shumë".