Veliaj: Nuk mund të paguaj 130 mijë euro për një lojtar që luan 7 minuta
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Mëngjesin e sotëm, Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ka qenë i ftuar në emisionin "Koha për t'u zgjuar" në News 24, ku në shumë tema të ndryshme ka prekur edhe situatën te Klubi i Tiranës dhe mbështetjen që ai duhet t'i bëjë këtij ekipi.
Në fjalën e tij, Veliaj deklaroi se ai si bashki, nuk ka fuqi të plotë në vendimet që merren lidhur me klubin. "Ne kemi vetëm 34% të aksioneve, pra jemi aksionar minorance, ndërsa në sport klub "Tirana" vendimet i merr shumica, sipas rregullave.
I kemi kërkuar aksionarit të shumicës së pari të bëjë një mbledhje aksionarësh, sepse asambleja mblidhet për të marrë vendime.
I kam kërkuar zotit Refik Halili si aksionar shumice të mbledhë asamblenë, të na sjellë disa dokumente", tha fillimisht Veliaj.
Më pas ai ka ironizuar edhe merkaton e bardhebluve, ku është ndalur te braziliani Almeida i cili ishte një futbollist që kushtonte shtrenjt, por ndërkohë nuk la asnjë gjurmë për sa kohë qëndroi te bardheblutë.
Kur dëgjoj fjalë si: 'Na duhen 130 mijë euro për një lojtar që ka luajtur vetëm 7 minuta në Shqipëri', sigurisht që paratë e taksapaguesve të Tiranës, unë nuk i administroj shkel e shko.
130 mijë euro për 7 minuta, besoj as Ronaldo nuk kërkon! Ajo që kam kërkuar e premtuar si kryetar Bashkie është të ndihmojmë të gjitha ekipet", tha Veliaj në fund të fjalës së tij.