e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

EKSKLUZIVE/ Shkëmbi trondit Korçën: Do iki nga Skënderbeu

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
EKSKLUZIVE/ Shkëmbi trondit Korçën: Do iki nga Skënderbeu

Që situata po zien në Korçë, nuk do të shumë për t'u kuptuar. Pas polemikave për sulmuesin Sebino Plaku, "bomba" vjen nga kapiteni legjendar i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi.Skenderbeu-Flamurtari 1-0 (Superkupa), Josa pergezon ShkembinI zhgënjyer së tepërmi për mënyrën sesi klubi po e trajton, fantazisti 36-vjeçar ka vendosur të thyejë heshtjen për situatën që po e shoqëron. "Nuk mund të hedh 'helm' tani, pasi çdo gjë që mund të them unë, patjetër që nuk do t'u bëjë mirë shokëve të skuadrës në këtë situatë, por edhe ambientit në klub.

Megjithatë, po ju deklaroj se ky është viti im i fundit si lojtar te Skënderbeu. Kjo është e padiskutueshme", ka thënë ndër të tjera Shkëmbi dje në intervistën ekskluzive për "Panorama Sport".

Kapiteni i pesë titujve radhazi zbuloi dje për gazetën se në janar kishte mundësi të lëvizte, pasi dy klube të Superiores e kërkuan, por zgjodhi të qëndronte në Korçë për të shkruar historinë e trofeut të gjashtë. Edhe pse nuk preferoi të jepte emra, mësohet se një prej klubeve që ka kërkuar në janar fantazistin ishte Partizani.

Bledi, çfarë po ndodh me ju, nuk po luani dhe për më tepër dukeni disi i distancuar nga skuadra?

Kam preferuar të hesht në këtë periudhë, sepse nuk mund të hedh "helm" mbi skuadrën. Me praninë time dua të ndikoj vetëm për mirë në ekip. Edhe pse jam mësuar gjithnjë të jem i drejtpërdrejtë në deklaratat që kam bërë, i kuptoj shumë mirë edhe reagimet e fundit të drejtuesve apo trajnerit në lidhje me situatën time te Skënderbeu. Natyrisht që shumë i rëndësishëm për skuadrën je kur aktivizohesh dhe jo kur mbetesh në stol. Sidoqoftë, situatën time po ua lë të tjerëve ta gjykojnë.

Jeni shumë i zhgënjyer, çfarë ka ndodhur realisht?

Jam i bindur se në këto gjashtë vite kam qenë një kapiten shumë i mirë për Skënderbeun, jo thjesht brenda fushës, por edhe jashtë saj. Për pjesën teknike, pra atë të fushës, dua t'ua lë specialistëve të më gjykojnë, por për atë jashtë saj, e përsëris që kam qenë një kapiten shembull. Megjithatë, edhe në këtë situatë, do të zgjedh për të mirën e skuadrës, ashtu siç kam bërë deri në momentin që luaja rregullisht dhe isha titullar i padiskutueshëm. Kështu do të vazhdoj të jem deri në ditën e fundit të kampionatit, çfarëdo që të më ndodhë. Nuk dua që të hap asnjë problem për klubin dhe këtë e them me bindje të plotë.

Sikur po fshihni diçka, përse e bëni këtë?

Kam zgjedhur të mbaj këtë pozicion, sepse së pari është klubi i qytetit tim, ku jam rritur dhe formuar si futbollist. Ndoshta nuk do të sillesha kështu nëse nuk do të ishte skuadra e vendlindjes. Dhe e dyta pse po hesht, që është më kryesorja, janë shokët e ekipit. Çdo gjë që mund të them unë, patjetër që nuk do t'u bëjë mirë në këtë situatë, qoftë shokëve apo edhe ambientit në klub. Unë kam luajtur deri tani, kam luftuar dhe nuk dua në asnjë mënyrë t'u prish humorin lojtarëve apo të nxjerr probleme për ekipin.

Përflitet se keni pasur përplasje me presidentin Takaj, në një kohë që ky i fundit e ka mohuar këtë. Cili është komenti juaj?

Nuk kam pasur asnjë përplasje, qoftë me drejtuesit e klubit apo edhe trajnerin. Këtë nuk e kam dashur, por sigurisht që më vjen çudi që nga lojtari i parë në mesfushë, tashmë jam i pesti apo i gjashti në radhë. Kjo është ajo që më bën më tepër përshtypje, por dua t'i përmbahem asaj që kam thënë dhe nuk kam dëshirë të bëj asnjë polemikë. Unë i kuptoj shumë mirë situatat në klub, kështu që...

Më konkretisht, kjo është një çështje mbi trajnerin Josa apo ky i fundit jua ka sqaruar pse nuk ju përfshin më në formacion?

Me trajnerin kam pasur marrëdhënie të mira dhe vazhdoj t'i kem, sepse mendoj që Skënderbeut i bëj mirë nëse kam raporte korrekte me Josën. Gjithsesi, e vërteta është se nga Josa nuk kam marrë asnjë sqarim se përse tani jam i gjashti apo i shtati në radhë për të luajtur. Mirëpo, edhe unë as nuk ia kam kërkuar ndonjëherë këtë trajnerit, pasi nuk dua të bëj debate.

Në këtë situatë, ku aktivizimi juaj është me pikatore dhe për më tepër vitet ikin, çfarë do të bëni?

Ky është viti im i fundit si lojtar te Skënderbeu. Kjo është e padiskutueshme, sepse nuk ka sens të vazhdoj të jem ende pjesë e skuadrës. Do të ishte budallallëk të vazhdoja pas kësaj situate.

Ju po mendoni të vazhdoni ende në futboll me një klub tjetër?

Këtë pjesë do ta mendoj, nuk mund ta them tani saktësisht. Megjithatë, dua t'u zbuloj diçka. Dy klube shumë të mira në Shqipëri, natyrisht krahas Skënderbeut, më kanë bërë ofertë konkrete në merkaton e janarit. I falënderova dhe ua sqarova që nuk mund të lëviz nga Korça, pasi dua që ekipi të dalë kampion për herë të gjashtë radhazi. Kjo është kryesorja për mua në këto momente, ndërsa për të tjerat, në fund të kampionatit, do të vijë dita që do t'i sqaroj të gjitha.

OK, por a mund të na thoni cilat janë klubet e Superiores që ju kanë bërë ofertë?

Më mirëkuptoni, për etikë nuk mund t'i them emrat. Kur drejtuesit e atyre klubeve do të lexojnë këto që po them në "Panorama Sport", atëherë do ta kuptojnë shumë mirë. Për respekt të tyre, nuk mund të flas, sepse nuk është ky momenti i duhur.