Van Gal: Sekreti i fitores se Holandes ishte... seksi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Donte që lojtarët e tij të ishin të qetë psikologjikisht, kështu që “theu” rregullat e vendosura nga vetë ai dhe i lejoi “tulipanët” që të takonin gratë dhe të dashurat dy herë përpara sfidës me Spanjën. “Diktatori” Luis Van Gal ka treguar një nga sekretet e thyerjes së kampionëve të Botës në ndeshjen e parë në grup. Në përsëritjen e finales së 2010-s, por kësaj radhe e vlefshme për ndeshjen e parë të Grupit B, Holanda u hakmor me një fitore 5-1 kundër “Furive të Kuqe”, duke u shkaktuar kampionëve në fuqi humbjen më të rëndë që prej vitit 1951. 62-vjeçari i lejoi familjeve të futbollistëve që të vizitonin hotelin e tyre në Salvador.
“Parimet e mia kanë të bëjnë në radhë të parë me njeriun në tërësi. Një lojtar, përpara se të hyjë në fushë, ka nevojë jo vetëm të ndihet mirë fizikisht, por edhe psikologjikisht. Një pjesë të paraqitjes së futbollistit në fushë, e luan gjendja e tij psikologjike. Prandaj të enjten në mëngjes unë u dhashë leje grave të lojtarëve që të vizitonin hotelin, kështu që lojtarët do të mund të ishin të lumtur. Por kjo nuk do të thotë se kjo është arsyeja përse ne arritëm të fitonim, – u shpreh tekniku 62-vjeçar, i cili vijoi: – Unë nuk ia kisha ndaluar skuadrës takimet me gratë, siç është thënë. U kisha thënë se do të kishin mundësi të takoheshin me to kur të krijohej mundësia”.
Gjithsesi, trajneri i ardhshëm i Mançester Junajtid, pavarësisht ndeshjes me “5″ yje kundër iberikëve, nuk mendon se këto 90 minuta ishin maksimumi i potencialit të skuadrës së tij. Për ish-trajnerin e Bajernit të Mynihut, Barcelonës dhe Ajaksit, askush nuk e ka parë fytyrën e vërtetë të kombëtares që ai ka ndërtuar. “Kemi mjaftueshëm lojtarë, të cilët nuk do bien pre e euforisë së këtij suksesi. Ne luajtëm në një mënyrë fantastike, futboll kompakt dhe arritëm t’u marrim maksimumin qendërsulmuesve tanë. A mund të përmirësohemi më tej? Sigurisht që po, pa asnjë dyshim. Në 20 minutat e fundit nisëm të qarkullonim topin me më shumë vetëbesim, duke u bërë zotër të fushës. Vetëm atëherë pamë me të vërtetë kualitetin e lojtarëve që kemi. Ky rezultat u jep shumë shpresë për të ardhmen, por unë pres më shumë nga ata. Dy ndeshjet e ardhshme kundër Australisë dhe Kilit janë njëlloj të rëndësishme sa u përket pikëve si ajo me Spanjën. Por më duhet ta pranoj, që fitorja me pretendentët kryesorë nuk ka çmim. Ajo vlen më shumë se 3 pikët, sepse tani kemi shanset më të mëdha për të fituar vendin e parë në grup”.