Ujkani ne fushe ne fund te muajit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Samir Ujkani është në fazat e fundit të rehabilitimit, pas dëmtimit të tmerrshëm që pësoi në mesin e tetorit. Tashmë kur ka kaluar plot një muaj jashtë fushave, nga Italia vjen lajmi se portieri i përfaqësueses shqiptare mund të jetë i gatshëm të luajë përpara festave të dhjetorit. “Gardiani” 23-vjeçar u dëmtua në ndeshjen e Serisë A ndërmjet Novarës dhe Bolonjës, ku pas një përplasjeje me shokun e skuadrës, Morganela në fundin e pjesës së parë të lojës, humbi 4 dhëmbë, dëmtoi 6 të tjerë dhe pësoi fraktura në mollëz dhe në nofull. Për të përshpejtuar kohën e rikuperimit të Ujkanit, gjatë operacionit në fytyrë mjekët i vendosën katër pllaka titani. Kjo ka dhënë efekt dhe tashmë trajneri i Novarës, Teser, është optimist se portieri mund të luajë në fund të këtij muaji. “Ujkani? Shpresoj ta kem të gatshëm deri në fund të muajit, ose maksimumi përpara pushimeve të Vitit të Ri. Kjo varet sesi do të ndihet Samiri. Klubi i ka porositur një maskë speciale që ai të luajë”, tha drejtuesi i stolit.