e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ujkani: Nuk do me shtange 'Stad de France'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ujkani: Nuk do me shtange 'Stad de France'
Në përballjen e datës 2 shtator në tifozërinë kuqezi u ngulit në mendje goli i parë i shënuar nga Karim Benzema. Një gjuajtje e fortë qendrore, por jo e paneutralizueshme nga ana e Ujkanit, që e pa topin në rrjetë. Ky gol i hapi rrugën fitores së “gjelave”, që dyfishuan shtatë minuta më pas me M’Vila, duke e bërë të pavlefshëm golin e Bogdanit. Për Ujkanin, këto gabime duhet të jenë edhe pikënisja për ndeshjen e dytë: duhen evituar. “Ne duhet të luajmë si një ekip shumë i organizuar. Kur luan kundër ekipeve kaq të mëdha, gabim më i vogël të ndëshkon dhe këtu duhet të bëjmë kujdes. Shpresoj që gjithçka të na shkojë mirë”, thotë Ujkani, që më pas thellon mendimin e tij në lidhje me “gjelat”. “Pas rezultateve negative që kemi pasur gjatë ndeshjeve të fundit, duhet të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të përpiqemi që të marrim një rezultat të mirë – thotë gardiani i Novaras në Serie A. Ndonëse e di mjaft mirë sesa do të peshojnë kartonët e Skelës, Agollit dhe Bogdanit, ai sërish beson se mund t’ia dalim. “Ne jemi 25 veta në grup dhe ai që do të luajë do të japë maksimumin dhe shpresojmë që të na shkojë mirë.”

Më pas, Ujkani flet për formën e tij te Novara. Ndonëse ka pësuar shumë gola në këtë edicion, ai sërish ndihet komod, pasi, siç thotë edhe vetë, “Interi ka pësuar më shumë”. “Me pikët jemi të kënaqur. Por, nëse shikojmë ndeshjet, duhej të kishim si minimum 3 pikë më shumë. Kemi pasur probleme me gjyqtarët dhe me gabimet tona, pasi shumë lojtarë nuk kanë eksperiencën e Serie A dhe po bëjmë gabime të vogla. Kemi treguar se mund ta mbajmë një nivel të caktuar si kundër Interit, ashtu edhe kundër atalantës dhe Katanias. Në e kam problem që të luaj në Serie B? Jam në një fazë që po mësoj shumë gjëra dhe për mua është e rëndësishme që të luaj. Ndryshimi është se në Serie A ka lojtarë më të mirë se në Serie B, por shumë skuadra janë thuajse në të njëjtin nivel. Torino për mua është më i fortë se Kievo apo se Atalanta. Për mua, si Serie A si Serie B nuk përbën problem, mjafton të luaj.”

Në fund, vijnë edhe krahasimet mes kombëtares dhe Novarës, ku portieri nga Vushtria i jep më shumë rëndësi fanellës kuqezi. “Niveli maksimal është te kombëtarja, pasi luajmë kundër lojtarëve më të mirë, por edhe në klub je përballë emrave të mëdhenj. Forma ime nuk ndryshon, unë jap maksimumin si në klub ashtu edhe në kombëtare. Kam nevojë të bëj ndeshje edhe më të mira. Sa ka ndryshuar situata ime që kur kam ardhur në kombëtare? Që në ndeshjet e para kam ndjerë besimin prej trajnerit, lojtarëve apo presidentit. Jam në një fazë që duhet të mësoj akoma shumë, por duhet që të mësoj shpejt, që të shmang edhe ndonjë gabim të vogël që bëj.” Dhe në fund, ai qetëson edhe tifozët në lidhje me ndrojen që mund t’i jepte një stadium gjigant si “Stade de France”. “Kam luajtur më parë në stadium të madh. Kam provuar ‘San Siron’”, thotë buzagaz Ujkani.