UEFA sjell vendimin ne Tirane, FSHF: Shpresojme tek Apeli
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Të premten në mbrëmje, UEFA ka dërguar në FSHF, vendimin e argumentuar të Komisionit të Disiplinës për ndeshjen Serbi – Shqipëri, të zhvilluar më 14 tetor në Beograd e të ndërprerë në minitën e 41 për shkak të dhunës së tifozëve serb ndaj lojtarëve shqiptarë. Në lidhje me këtë vendim dhe proçedurat e mëtejshme që do të ndjekë Federata Shqiptare e Futbollit, i është përgjigjur sot interesimit të mediave, avokat Envi Hicka.
Hicka është shprehur se sapo janë njohur me vendimin e argumetuar të UEFA-s, ka nisur puna për përgatitjen e materialit që do të dërgohet në Komisionin e Apelit. FSHF shpreson në Apel se argumentat e palës shqiptare do të dëgjohen dhe vendimi do ndryshojë në favorin tonë.
“Jemi njohur me vendimin e argumentuar të ardhur nga UEFA, mbrëmë dhe menjëherë kemi nisur punën për të përgatitur materialin për në Komisionin e Apelit. Kemi kontaktuar me zyrat e Gjenevës dhe të Londrës dhe po punojmë për përzgjedhjen e materialit. Natyrisht, që nuk jemi dakort me argumentat e dhëna dhe në tërësi me dënimin. Shpresojmë shumë, që në Apel, argumentat tona të dëgjohen dhe vendimi të ndryshojë në favorin tonë. E gjithë përgjegjësia për organizimin e ndeshjes, i takon vendasve dhe ne kemi faktuar një seri shkeljesh, qe e benin te pamundur vazhdimin e saj”-deklaroi ndër të tjera ai.