e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

UEFA, dy ndeshje pezullim Andi Liles

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
UEFA, dy ndeshje pezullim Andi Liles

Andi Lila nuk do t’i bashkohet Kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e ardhshme me Francën dhe Luksemburgun, pasi mesfushori i Pas Janinës është pezulluar nga UEFA. 25-vjeçari është skualifikuar për dy ndeshje, për shkak të kartonit të kuq që mori në ndeshjen e 7 qershorit ku kuqezinjtë u mposhtën me rezultatin 2-0 në fushën e Bosnjë-Hercegovinës. Në atë takim, Lila u aktivizua si zëvendësues në minutën e 60-të, ndërsa në të ‘87-ën ai u dërgua në dysh përpara kohe nga gjyqtari holandez, Blom, pas një ndërhyrjeje mjaft të ashpër ndaj Rahimiç. Në stafin e Kombëtares shpresonin që ish-kapiteni i Tiranës do të mungonte vetëm me Francën dhe do të ishte i gatshëm kundër Luksemburgut më 6 shtator, por UEFA konfirmoi dënimin për lojtarin, për kartonin e kuq direkt dhe ndërhyrjen e rrezikshme.

Ndërkohë, FSHF ka publikuar programin stërvitor të Shqipërisë për dy sfidat e radhës në kualifikueset e Euro 2012. Grumbullimi i lojtarëve do të nisë nesër, ndërsa prej ngarkesës fizike të kësaj periudhe dhe impenjimeve me klubet përkatëse, seancat stërvitore do të nisin vetëm të hënën. Më datë 29, skuadra do të zhvillojë dy stërvitje (ora 10.00 dhe 18.00) në Durrës. Të martën, kuqezinjtë do të zhvillojnë një seancë stërvitore gjatë paradites dhe një ndeshje testuese pasdite. Të mërkurën dhe të enjten, skuadra do të zhvillojë përgatitjet me nga një seancë, ndërsa të premten (datë 2 shtator) luhet ndeshja me Francën.