e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Cana: Dua ta mbyll karrieren te Lacio

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Cana: Dua ta mbyll karrieren te Lacio
Te Lacio vazhdojnë ta cilësojnë ende një “mister” Lorik Canën. mesfushori i Kombëtares shqiptare ishte një prej afrimeve të bujshme të bardhekaltërve në merkaton e verës, megjithatë debutimi me skuadrën e re erdhi vetëm në takimin e kthimit me maqedonasit Rabotniçkin në Europa League. Në sfidën e luajtur në Shkup, 28-vjeçari konfirmoi se i ka shtuar ekipit të trajnerit Edi Reja centimetra, peshë dhe eksperiencë ndërkombëtare. Edhe pse nga stafi teknik vazhdon të vlerësohet si zgjedhje e dytë, Cana nuk dorëzohet. “Nuk do të rresht kurrë së falënderuari klubin. Kam ardhur në Romë, në kryeqytetin e Italisë, një qytet i mahnitshëm. Kam firmosur kontratë 5-vjeçare me Lacion dhe ëndrra ime është ta mbyll karrierën në Romë”, - tha mesfushori shqiptar. Kuqeziu nuk është aspak i zhgënjyer nga hapësirat e pakta, përkundrazi shprehet optimist: “Momentalisht nuk e kam vendin të sigurt te Lacio, por kjo do të thotë se kemi një skuadër të fortë, me lojtarë të rëndësishëm. Klubi ka investuar shumë në merkato, e mendoj se askush nuk mund ta quajë veten titullar të padiskutueshëm. Gjithsesi, jam i sigurt se do të gjej hapësira: në këtë sezon luajmë në disa aktivitete dhe të gjithë lojtarët do të kenë mundësi të luajnë”.

Objektivi i Canës është të shndërrohet në një idhull edhe te skuadra e Serisë A italiane, ashtu siç është në Shqipëri. Edhe pse momentalisht shihet si zëvendësues i Brokit, “luftëtari” mund të luante pa probleme përkrah Ledezmës në skemën 4-2-3-1. Ai tha: “Pas pak do të nisin aktivitetet zyrtare dhe detyra e Lacios është që të paraqitet më mirë se vitin e kaluar. Të gjithë jemi të gatshëm të luftojmë dhe synojmë ta mbyllim kampionatin pas Milanit, Juventusit dhe Interit. Megjithatë, objektivi ynë i vërtetë është Europa League, ku kërkojmë të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur”. Pas zbarkimit në kryeqytetin italian, tifozët e Lacios i kërkuan “luftëtarit” që të fitonte derbin me Romën. Cana është mësuar me sfida të tilla, në të cilat ai paraqit vlerat më të mira: “Tifozët lacialë më pritën shumë mirë. Janë të mrekullueshëm, e duan skuadrën më shumë se çdo gjë. Prej ditës së parë që shkela në ekip më kërkuan të fitojmë kundër Romës, për ata kjo është më e rëndësishme se fitorja e kampionatit. Unë dhe shokët e mi do të bëjmë më të mirën, jam i sigurt se mund t’i mposhtim”.

Mesfushori ka folur edhe për sfidat ndërkombëtare me Shqipërinë. Skuadra e drejtuar nga Josip Kuzhe do të luajë më 2 shtator kundër Francës dhe më pas me Luksemburgun, në kualifikueset e Euro 2012. Për sfidën me “gjelat” e Loren Blank në Tiranë, Cana tha: “Për mua sfida me Francën është mjaft emocionuese, pasi në karrierën time si futbollist kam luajtur me skuadrat më të rëndësishme të këtij vendi. Njoh shumë lojtarë të kësaj përfaqësueseje, me një pjesë të të cilëve kam qenë shok skuadre. Me siguri që jemi gati për këtë përballje, Shqipëria nuk tërhiqet kurrë mbrapa”, - tha “luftëtari”.