U-21 pret Greqinë me humor
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Të përsërisin suksesin e Kombëtares së mad he për të shkuar në Europian duket pothuajse një mision i pamundur për Shpresat e Jupit, por sigurisht që në "Elbasan Arena" do të mundohen të marrin maksimumin ndaj Greqisë ditën e sotme dhe më pas Hungarisë të hënën.
Me yje si Rashica, Manaj, Çekiçi & Co, nga kuqezinjtë e vegjël pritet shumë ditën e sotme, pasi pikërisht nga këto sfida mund të marrin edhe "pasaportën" për në Kombëtaren A. Ditën e djeshme, Jupi kreu stërvitjen e fundit, ku dha direktivat e fundit për të tijtë, ndërkohë që nuk munguan as batutat me lojtarët dhe përqafimet midis kolegëve shqiptarë dhe atyre grekë.
Greqia
Të parët që mbërrijnë për të kryer stërvitjen janë Shpresat e Greqisë, teksa në program duhej të startonin në orën 18:00, por në stadium mbërrijnë dhjetë minuta më parë. Përpos kësaj, stërvitja starton në 18 e 15, nën shiun e vazhdueshëm që binte në qytetin e Elbasanit.
Kuqezinjtë
Tanët mbërrijnë në "Elbasan Arena" rreth orës 18 e 45 dhe me të zbritur nga autobusi nuk mungoi interesimi i tifozëve, kryesisht të rinj në moshë. Teksa fillojnë zbritjen me radhë, menjëherë tifozët nisin të shquajnë lojtarët e tyre të preferuar, me Manajn dhe Rashicën që duhet të bëjnë fotot e rastit. Tifozët nuk lënë mënjanë edhe shakatë me Manajn, teksa pasi i rrëmbejnë foton lëshojnë edhe batutën: "Manaj, ne jemi tifozë me Milanin".
Pritja
Ndërkohë, nga ana tjetër, helenët ende nuk kishin dalë nga stadiumi dhe vijonin përgatitjet në fushë, ndërsa kuqezinjtë akomodohen në dhomën e tyre dhe dalin një e nga një në tunelin dhe hollin e "Elbasan Arena"-s, në pritje për të zbritur në fushë.
Laçi
Shpresat kanë edhe tre, futbollistë që e njohin mirë kampionatin dhe futbollin helen, njëkohësisht edhe bashkëmoshatarët e skuadrës rivale. Në momentin që helenët po linin fushën takohen me futbollistët shqiptarë, ku më aktivi ndër ta ishte Laçi, që përqafonte pothuajse të gjithë futbollistët miq. Nuk mungonin batutat e tyre me njëri-tjetrin në gjuhën greke, ku edhe pse sot për 90 minuta do të jenë rivalë, jashtë saj janë miq.
Atmosfera
Në 19 e 15 djemtë tanë "pushtojnë" terrenin e "Elbasan Arena"-s, i cili, edhe pse shiu nuk pushon, është në kushte perfekte. Së bashku me ta, në fushë del edhe Jupi, i cili nis të japë udhëzimet e tij. Atmosfera është vërtet shumë e ngrohtë, me lojtarët që nuk ngurrojnë të bëjnë batuta me njëri-tjetrin.
Fillimisht përgatitje e lehtë atletike dhe më pas lojëra me top, lojtarët fillojnë të ngrohin këmbët, deri në momentin kur Jupi organizon një minindeshje. Në fund të sfidës brenda grupit, lojtarët vënë në provë edhe Strakoshën me goditjet e tyre drejt portës, duke i dhënë kështu fund përgatitjeve për sfidën e sotme ndaj Greqisë.
Nga Elbasani VLADIMIR MEMA