Trukimi i Kategorisë së Parë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fund marsi. Ndryshimi i temperaturave dhe klimës shpeshherë ndikon që viruse gripale të prekin njerëzit. Të çfarëdolloj profesioni.
Është humane dhe normale. Kështu ndodhi edhe me 10 futbollistë të Luftëtarit. I zuri gripi. Nuk përbën as lajm dhe është në kufijtë e ngushëllimit "të shkuara", për shkak të normalitetit si virus. Por, kur je futbollist në Shqipëri, në një klub me potencial financiar, në një kampionat me drejtues klubesh të frikësuar nga hija e rëndë e FSHFsë dhe një Federate që "të do të mirën", çfarë zgjidhje mund të japësh?! Të luash me futbollistët e stolit? Të sajohesh me rrotacion, siç i ndodhi edhe Bajernit kundër Juventusit, që luajti me mesfushorë në mbrojtje? Sigurisht që jo! Nëse Amerika është vendi i mundësive, Shqipëria vazhdon të jetë vendi i çudirave. Luftëtari bëri kërkesë në Federatë që të shtyhet ndeshja në Cërrik, me Turbinën. Pikërisht sepse ka disa futbollistë me grip. Çdo njeri normal do qeshte, por realiteti do ta bëjë të qajë për hallin që e ka zënë futbollin në Shqipëri. Federata nuk mund ta linte klubin e saj të preferuar që të torturohej ose të rrezikonte që të mos fitonte. Vendosi të shtyjë ndeshjen, nga e shtuna për të mërkurën. Por, jo vetëm kaq. Duke ditur që pjesa tjetër e klubeve të Grupit B nuk shquhen për autoritet mbi të drejtat e tyre, apo "trima" të fjalës së lirë, u kërkoi që të bien në "kompromis" që edhe ata të pranojnë për të luajtur të mërkurën. Pra, Apolonia dhe Pogradeci që synojnë të ngjiten në Superiore janë dakord që të ndihmojnë rivalin e tyre që të fitojë. E padëgjuar! Por, mesazhi i të gjithë kësaj historie tragjikomike është i qartë. Mbase u dha fund edhe mistereve apo drithërimave të javëve të mbetura. Së pari, drejtuesit e klubeve si Apolonia dhe Pogradeci nuk e kanë problem t'i penalizojnë tifozët dhe gjithë qytetin e tyre, për t'i bërë qejfin FSHF-së. Një ndjenjë inferioriteti e frikshme për demokracinë në futboll. Së dyti, urojeni Luftëtarin për ngjitjen në Superiore. Nuk është as trukim dhe as paracaktim. Është diçka e destinuar të ndodhë. Federata i do. Apolonia dhe Pogradeci i do. Ky po që është "Fair-Play"... Por, "Fair-Play" i "trukuar"...
