e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Trukimet, FSHF: Hiqni Superioren nga bastet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trukimet, FSHF: Hiqni Superioren nga bastet
Prodani: Komisioni i Etikës, hetim raportet e UEFA-s për sfidat e dyshuara.
Federata, kërkesë UEFA-s për moskuotimin e ndeshjeve tona.

Asnjë ndeshje e kampionatit shqiptar nuk do të kuotohet në kompanitë e basteve në vende të huaja, kryesisht dhe specifikisht në kontinentin aziatik. Kjo ka qenë pak a shumë kërkesa që Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë zyrtarisht FIFA-s dhe UEFA-s, që të bëjë të mundur nëpërmjet mekanizmave të saj që Superiorja të hiqet nga të gjitha kompanitë e basteve. Lajmi bëhet i ditur nga sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, i cili ka shpjeguar se kjo nismë është marrë prej disa kohësh, por me ardhjen e përfaqësuesit të UEFA-s dy ditë më parë në Shqipëri, në takim u ritheksua kjo kërkesë e FSHF-së.

Të kuptohemi: heqja e ndeshjeve shqiptare nga sallat e basteve në botë është një gjë shumë e rëndësishme por edhe shumë-shumë e vështirë. Ne i patëm kërkuar që më parë UEFA-s dhe FIFA-s që të ndërhynin me ato fuqi që u jepte atyre ligji, me qëllim që të ndalonin që të paktën ndeshjet e kampionatit, kryesisht në Azi, ku edhe luhen më së shumti, të mund të hiqeshin. Natyrisht nuk patëm marrë një OK të prerë, pasi siç ju thashë është shumë e vështirë. Por ne shfrytëzuam rastin që tua kërkonim sërish, meqenëse në Tiranë erdhi për vizitë përfaqësuesi i UEFA-s që merret direkt me hetimin e trukimit të ndeshjeve. Tani të presim dhe të shohim nëse do arrihet një gjë e tillë, ka pohuar Prodani për Panorama Sport.

Në këtë këndvështrim duket se FSHF-ja ka vendosur të investohet fuqishëm në betejën ndaj trukimeve. Fenomeni që po trazon lojën më të ndjekur të globit, pritet të përballet me seriozitetin më maksimal edhe në vendin tonë, si rrjedhojë e një bashkërendimi të punëve, FSHF-Prokurori e Përgjithshme. Prodani ka theksuar se prej pak kohësh ka nisur nga puna edhe Komisioni i Etikës, i cili ka marrë në shqyrtim të gjitha ndeshjet që kanë ardhur në raportet e UEFA-s si të dyshuara për trukim.

Të gjitha ndeshjet që kanë ardhur në raportet e UEFA-s, të cilat sipas tyre kanë pasur anomali dhe janë konsideruara si të dyshuara për trukim, janë vënë në lupën e Komisionit të Etikës. Të gjitha këto ndeshje do të shihen me kujdes, do të hetohen si nga Komisioni, por edhe nga prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas do dilet në një konkluzion. Sigurisht që duhet pak kohë, ndaj të mos presim që menjëherë të dilet në konkluzione. E rëndësishme është që federata po bën punën e vet, duke shpresuar që kështu po luftojmë maksimalisht trukimet në futbollin tonë, ka përfunduar Prodani.