Trajneri i sigurt: Besart Berisha nuk do te largohet nga Brisbein!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Besart Berisha nuk do të largohet nga Brisbein. Ky është opinioni i trajnerit të kësaj skuadre, Majk Mulvei, i cili ka vlerësuar maksimalisht atë që cilësohet si sulmuesi më i mirë i kampionatit australian në vitet e fundit. Kontrata e Berishës me Brisbein përfundon në këtë sezon dhe që në janar, ai mund të hyjë në diskutime me skuadra të tjera. Por Mulvei, i cili ka parë sesi sulmuesi shqiptar vendosi fatin e sfidës ndaj Perth, të përfunduar 1-0 falë golit të tij, është i bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe Berisha do të vazhdojë të jetë pjesë e Brisbein.
“Finalizimi ishte i jashtëzakonshëm. Ai di të përdorë të dy këmbët, di se ku është hapësira, di si të zhvendosë topin dhe di si të gjuajë. Ky ishte një nga problemet tona në pjesën e parë të ndeshjes, ne thjesht nuk arrinim të përfshinim Besin në manovër”, shpjegoi ai pas përfundimit të sfidës.
“A e patë se si e festoi sot golin? Mendoni se ato pamje dukeshin si të një njeriu që dëshiron të shkojë ndokund tjetër? Seriozisht, ai është një pjesë e Brisbein Roar… ai nuk mund të luajë për askënd tjetër në kampionatin australian. Ai ka gjak portokalli (ngjyra e fanellës e Brisbein). Atë e duan lojtarët, e duan tifozët, sigurisht që duam ta mbajmë. Do të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë”, tha trajneri i Brisbein.
Edhe trajneri i Perth, Alisteir Eduards, i ka thurur elozhe sulmuesit shqiptar, duke deklaruar se Brisbein vazhdon të qëndrojë në kreun e klasifikimit të kampionatit vetëm se ka në përbërjen e vet Berishën. “Diferencën në të vërtetë e bën Berisha. Po ndodh në shumë ndeshje. Ndaj nëse skuadrat gjejnë një mënyrë që ta izolojnë atë, atëherë do të kenë mundësinë që të mundin Brisbein”, deklaroi trajneri i skuadrës, së cilës Berisha i rrëmbeu titullin kampion dy sezone më parë me penalltinë e tij në sekondat e fundit të shtesës së finales.