e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Trajneri i Tiranes pergatit finalen ndaj Skenderbeut

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trajneri i Tiranes pergatit finalen ndaj Skenderbeut
Vetë 48 orë më parë, kampionati shqiptar i futbollit ka dorëzuar trofeun e parë, më të rëndësishmin, titullin kampion, që i shkoi Skënderbeut për të dytin vit radhazi. Dhe ka lënë më të zhgënjyer se kurrë, pikërisht Tiranën, një nga pretendentët kryesorë të sezonit 2011-2012 që në fillimet e tij, por që humbi rrugën e trofeut në përballjen direkte me rivalët korçarë. Duket se problemet e fillimit të sezonit të paqartë nga klubi, rezultuan fatale për skuadrën rekordmene të kampionateve në Shqipëri. Megjithatë, tashmë bardheblutë e kanë një mundësi për të mos dështuar në të gjithë sezonin, i cili rrezikon të mbyllet pa asnjë trofe. Më 17 maj do të përballen po me Skënderbeun në “Qemal Stafa” për të diktuar me tyre Kupën e Shqipërisë.

Kjo ndeshje do t’ju shërbejë 24-herë kampionëve për një “hakmarrje” të vogël pikërisht ndaj atyre, që u mohuan trofeun më prestigjioz të futbollit në vend. Tashmë, Tirana po u jep dorën e fundit përgatitjeve për këtë sfidë, ku synimi i vetëm do të jetë të mos dalin duarbosh nga finalja. Për momentin duket se do të peshojë shumë mungesa e një lojtari kyç të skuadrës, Gilman Lika, por megjithatë, trajneri Hulian Rubio beson se skuadra e tij është gatshme të hyjë në fushë dhe ta fitojë këtë ndeshje. “Skuadra po kalon një formë të mirë dhe është e gatshme për ndeshjen finale, u shpreh dje trajneri spanjoll i Tiranës.

Përveç Gilman Likës, edhe Tushe ka probleme dëmtimi, por të paktën nuk kemi futbollistë të tjerë që do të na mungojnë për arsye, qoftë edhe pezullimi. Shpresojmë që deri ditën e enjte nuk do të kemi ndonjë të papritur të pakëndshme. Për sa i përket Gilman Likës e kam thënë që në fillim se nuk do të jetë. Mungesa e tij do të peshojë, pasi është 40% e fazës sulmuese të Tiranës. Këto janë probleme që na kanë ndjekur që nga fillimi i sezonit dhe për fat të keq do t’i vuajmë edhe në finalen e Kupës”. Tekniku spanjoll nuk e shikon si avantazh të mundshëm faktin se Skënderbeu mund të ndihet i ngopur dhe i lodhur nga festa e titullit kampion dhe në sfidën e së enjtes mund të mos jetë në 100%.

Madje këtë e bën duke e ilustruar me një shembull nga kampionati që ai njeh më mirë, ai spanjoll. “Atletiko e Madridit pak ditë më parë fitoi Europa League dhe në ndeshjen e fundit të kampionatit spanjoll mposhti Vilarealin, që zbriti një kategori më poshtë, tha Rubio. Për mua, kjo nuk do të thotë asgjë, sepse lojtarët janë të rinj dhe mund të rikuperojnë forcat edhe në vetëm një ditë pushim”. Rubio është një trajner “i rrahur” shumë me futbollin në një karrierë të gjatë në këtë profesion dhe duket se emocionet nuk janë shpeshherë të pranishme tek ai. Finalja ndaj kampionëve të saposhpallur të Shqipërisë nuk është ndeshje që i krijon ndonjë gjendje të jashtëzakonshme. Emocionet thekson se i ka përjetuar në stërvitje me futbollistët. “Për mua është një ndeshje e rëndësishme, por momentet emocionale unë i kam kaluar në seancat stërvitore me futbollistët gjatë gjithë vitit. E kam ndërgjegjen e qetë, sepse në 11 muaj rresht gjatë këtij sezoni kam dhënë shpirtin për Tiranën, tani e dua këtë trofe”, përfundoi trajneri Rubio, rinovimi i kontratës së të cilit vazhdon të mbetet enigmë.

Pragndeshja

Mungesat

Tiranës do t’i peshojë shumë mungesa e Gilman Likës, të cilin Rubio e konsideron 40% të fazës sulmues të skuadrës së tij. I dëmtuar është edhe Tushe

Sfida

“Skuadra po kalon një formë të mirë dhe është e gatshme për ndeshjen finale, ku do të kërkojmë fitimin e trofeut”, u shpreh dje trajneri spanjoll i Tiranës

Emocionet

“Për mua finalja është një ndeshje e rëndësishme, por momentet emocionale unë i kam kaluar në seancat stërvitore me futbollistët gjatë gjithë vitit”