e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Trafiqet, futbolli dhe mafia

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Trafiqet, futbolli dhe mafia
Kur policia shkoi pas bosit të Francesco Pesce, i quajtur “kokëtrashi” në Italinë e Jugut, ajo gjeti më shumë gjëra nga sa pati shpresuar: skuadra e futbollit të kësaj zone, Rosarnese, u konfiskua. Skuadra gjysmëprofesionale e kontrolluar nga familja kriminale Pesce për shumë vite dhe që u zbulua nga një mafioz i penduar në vitin 2010, u vendos nën kontroll gjyqësor më 2011 dhe pati nevojë për sponsorë të rinj.

Megjithëse futbolli është praktikisht një religjion në Itali, asnjë donator i mundshëm nuk u afrua, nga frika se do të zemëronin rrjetin e fuqishëm mafioz Ndragheta, që vepron në Kalabri, rajoni në “putrën” e Italisë. Korrikun e kaluar, pas një sezoni zhgënjyes me 24 humbje, 5 barazime dhe vetëm 5 fitore, skuadra Rosarnese u shpërbë.

Klubi i futbollit ishte një pjesë e vogël e aseteve me vlerë 220 milionë euro që ligjzbatuesit kapën nga plani Pesce, por ilustron ndikimin në rritje të grupit kriminal Ndrangheta. Reja ekonomike e grupit tashmë është më e madhe se sa ajo e grupimit tjetër mafioz, Cosa Nostra të Sicilisë, bëhet e ditur nga prokurorët antimafie të Italisë.

“Sot, mafia e Kalabrisë është një forcë kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo qelb ekonominë dhe po komprometon rëndë sistemin politik”, thotë Pierpaolo Romani, koordinatori kombëtar i një shoqate që mbledh qeveritë vendore kundër mafies dhe autori i një libri të botuar në vitin 2012 “Futbolli Kriminal”, ku përshkruhen interesat e grupimeve kriminale në sport.

“Me një skuadër futbolli, Ndrangheta zgjeron njëkohësisht pushtetin ekonomik dhe profilin e vet politik”.

Ndrangheta është pasuruar si pasojë e një strategjie biznesi të përqendruar te kokaina. Vetëm pesë kilometra larg Rosarnos gjendet porti i stërmadh i kontejnerëve Gioia Tauro, ku gjatë vitit të kaluar u kap pothuajse gjysma e kokainës së zbuluar nga policia në të gjithë Italinë. Porti gjendet në mes të rrugës mes Ngushticës së Gjibraltarit dhe Kanalit të Suezit. Është një qendër e madhe tregtare dhe është bërë kanali kryesor i Ndrangheta-s për kokainën nga Amerika e Jugut dhe lloje të tjera kontrabande që fshihen në morinë e mallrave të ligjshme.

Policia ka pasur disa fitore mbi Ndrangheta-n dhe grupime të tjera mafioze. Vetë Pesce u dënua për gjobëvënie dhe organizim mafioz dhe po vuan një dënim me 20 vite burg, në një burg të sigurisë së lartë. Ai mohon çdo veprimtari kriminale dhe ka apeluar vendimet.

Por pavarësisht fitoreve të tilla, shumat e fituara nga krimi i organizuar në Itali mbeten të stërmëdha. Të marra, së bashku, grupet kriminale kryesore – Ndrangheta, Cosa Nostra dhe Camorra, e cila vepron në Napoli – duhet të kenë një xhiro të përgjithshme vjetore prej 116 miliardë eurosh, sipas Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin. Kjo është më shumë se sa xhiroja vjetore e kompanisë më të madhe të Italisë, gjigantit të energjisë Eni.

Gjurmimi i kontejnerëve

Në një bodrum në dalje të Romës, gjendet qendra nervore e luftës kundër kontrabandës: njësia kundër mashtrimit të agjencisë kombëtare të doganave. Këtu, një skuadër prej 15 analistësh – përfshirë ekspertë kompjuterësh – zënë një dhomë me 10 ekrane të mëdhenj të sheshtë ku gjenden hartat në kohë reale të kanaleve më të rëndësishme të botës për tregtinë detare.

Hetuesit, duke përdorur analizë kompjuterike të sofistikuar dhe një databazë të madhe, përpiqen të identifikojnë kontejnerët me rrezik të madh që i janë drejtuar Italisë.

Në veçanti, njësia monitoron anijet që po udhëtojnë drejt Gioia Tauro dhe ia kalon informacionin policisë financiare në Kalabri, e cila e kombinon atë me informacione të mbledhura përmes metodave më tradicionale të hetimit, të tilla si makina të përgjuara apo telefona të monitoruara. Por shanset për të gjetur drogë të trafikuar në portin e stërmadh janë kundër policisë.

Në dokun e këtij porti, më shumë se 1 mijë punëtorë ngarkojnë e shkarkojnë kontejnerë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë dhe porti është pushim vetëm për Krishtlindje dhe ditën e parë të Vitit të Ri. Gjatë natës, prozhektorët ndriçojnë kalatën 3.2 kilometra të gjatë. Kapja e pak çantave me kokainë – metoda tipike e trafikimit – mes fluksit të pandërprerë të mallrave, është njësoj si të kërkosh një grimcë rëre të zezë në një plazh me rërë të bardhë.

Autoriteti portual nuk pranoi të komentojë mbi trafikun e drogës. Por hetuesit thonë se çantat me kokainë super të pastër, që peshojnë vetëm 40-45 kilogramë secila, janë të lehta mjaftueshëm për t’u tërhequr nga një njeri i vetëm. Ato mund të jenë fshehur në një kontejner në Amerikën Qendrore apo atë Jugore dhe hiqen shpejt në Gioia Tauro para se zyrtarët e doganave të kenë shansin t’i dallojnë ato. Kontejnerët lëshohen menjëherë për të mos lënë asnjë gjurmë.

“Kontejnerët janë një lloj kali i Trojës”, thotë Claudio Petrozziello, komandant i policisë financiare të provincës, ndërsa një vinç qarkullon një kontejner në kurriz të tij.

Çdo çantë me kokainë është e barasvlefshme me 2.25 milionë euro në çastin e shitjes me shumicë dhe rreth 9 milionë euro pasi shitet në rrugë. Ministria e Brendshme vlerëson se mbi 90 për qind e kokainës që transportohet në këtë mënyrë, mblidhet nga mafia në port dhe vetëm 10 për qind arrin të kapet nga policia.

Megjithatë, policia financiare dhe autoritetet doganore po arrijnë sukses gjithnjë e më të madh. Në qershor 2012, policia financiare kapi 17 çanta sportive, të cilat përmbanin kokainë të mbështjellë me alumin dhe të mbyllur me vakum nga Amerika e Jugut. Kjo metodë paketimi e bën të vështirë ose të pamundur gjurmimin e drogës me qen. Sasia e kapur në këtë rast kishte një vlerë shumice prej 38 milionë eurosh dhe një vlerë së paku katër herë më të lartë nëse shitej në rrugë. Policia është duke kërkuar ende për trafikantët.

Në total, gjatë vitit të kaluar, policia kapi më shumë se dy tonë kokainë, dy herë më shumë se sa në vitin 2011.

Daniele Testi, një zëdhënës i një kompanie transporti në port, tha: “Ajo që po ndodh në Gioia Tauro është e njëjtë me atë që po ndodh në portet më të mëdha të botës. Kompania jonë vijon të besojë se policia duhet të bëjë gjithçka që duhet për të luftuar krimin. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është që të sigurohemi se biznesi ecën mirë dhe me sukses dhe që vijon të krijojë vende pune”.

Një kryebashkiake e guximshme

Policia ndjek kriminelët edhe në zona të tjera. Më 2008, ata vendosën një përgjues në një lavanderi që regjistroi bisedën mes Domenico Oppedisano, një bos mafioz dhe një të dyshuari tjetër. Oppedisano tha se kishte rreth 250 njerëz që punonin për të në një qytezë me më pak se 15 mijë banorë.

Oppedisano, 82 vjeç, më vonë u arrestua si bosi i bosëve të klaneve të Ndrangheta-s. Numri i klaneve vlerësohet në rreth 150. Oppedisano është aktualisht duke vuajtur dhjetë vite burg. Ai gjithashtu e mohon përgjegjësinë dhe po e apelon vendimin.

Në një përpjekje për të reduktuar fuqinë e gangsterëve të Kalabrisë, autoritetet në Romë shpërndanë këshillin e qytetit të Rosarnos më 2008, për shkak se ishte infiltruar nga Ndrangheta. Kur zgjedhjet e reja vendore u zhvilluan dy vjet më vonë, Elisabetta Tripodi, e cila më parë pati punuar si sekretare në bashkinë e qytetit, fitoi.

Duke shpjeguar se si ajo mori përsipër një sfidë të tillë, Tripodi i tha “Reuters”: “Unë nuk desha që Rosarno të njihej si një qytezë gangsterësh racistë”. Përveç faktit që është bërë i njohur për mafien, qyteti ka një imazh përplasjesh të dhunshme mes emigrantëve afrikanë dhe banorëve vendës në janar 2010.

Që nga ajo kohë, Tripodi ka ndërmarrë një qëndrim të paprecedent kundër Ndrangheta-s, duke shkuar aq larg sa denoncoi Francesco Pesche, 35 vjeç, në një gjyq civil për dëme të shkaktuara nga pronësia prej tij e skuadrës vendëse të futbollit. Gjyqi i dha qytetit 50 milionë euro dëmshpërblim, që duhet të paguhet nga një fond shtetëror që është krijuar nga paratë e konfiskuara të mafies.

Në hakmarrje, Ndrangheta vandalizoi pronat publike dhe Tripodi mori një letër kërcënuese.

“Këto kërcënime na bindën se ne po ecim në rrugën e drejtë, për shkak se kjo nënkupton se ne jemi bërë problematikë për ta”, thotë Tripodi.

Tashmë ajo jeton nën mbrojtje policore 24 orë në ditë dhe kur ajo hyn në zyrën e saj në bashki, mbyllet pas një dere çeliku.

“Kam pasur truproja me vete përgjatë së gjithë kohës përgjatë 14 muajve të fundit. Çdo gjë në jetën time ka ndryshuar”, thotë ajo, duke shtuar se dy fëmijët e saj, 12 dhe 16 vjeç, shpresojnë se ajo do të humbasë zgjedhjet e ardhshme.

Tripodi merr ndihmë nga prokurorët antimafie si Alessandra Cerreti, e cila konfiskoi skuadrën e futbollit, apo policia financiare vendore; por guximi i saj është i veçantë.

“Ndrangheta është një fuqi pushtuese në të gjitha segmentet e jetës politike dhe shoqërore të Kalabrisë”, thotë Cerreti, e cila jeton në kryeqytetin e rajonit Reggio Calabria, nën mbrojtje të vazhdueshme. “Ka një ushtri profesionistësh, biznesmenësh dhe në disa raste, edhe prokurorësh apo policësh që e kanë vënë veten në shërbim të Ndrangheta-s për interes personal”.

“Futbolli është gjithçka”

Lufta kundër këtyre interesave është e vështirë, megjithëse Rosarno vijon të përpiqet. Dështimi në gjetjen e sponsorëve të rinj për klubin e futbollit është një problem. Mafia rregullisht përpiqet të sfidojë fitoret e policisë dhe shumë shpesh ia del.

“Është interesi i Ndrangheta-s të demonstrojë se një aset i kapur thjeshtë humbet në duart e shtetit”, thotë Cerreti. “Ne kemi marrë disa nisma për ta shmangur diçka të tillë, por vështirësia qëndron në faktin se Ndrangheta i investon lumenjtë e parave në asete apo kompani ndërsa shteti nuk ka të njëjtat burime”.

Gjithsesi, në periferi të qytetit, stadiumi Gjon Pali i Dytë ka një skuadër të re amatore futbolli që është kthyer në tërheqje për djemtë e rinj pas shkolle.

“Për fëmijët në Rosarno, futbolli është gjithçka”, thotë Agostino Orlando, drejtor sportiv i klubit të ri. “Ne jemi një skuadër e re, ne kemi rilindur”, thotë Orlando.

Por dritat që shkëlqenin larg në port qenë një kujtesë se Rosarno, si e gjithë Italia, ka ende një betejë të gjatë përpara.