Totenhemi, një finale për titullin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ashtu si Lestër Siti, edhe Totenhemi është një përrallë shumë e bukur e këtij viti në kampionatin anglez.
Skuadra e Mauricio Poketinos i ka surprizuar të gjithë, sepse fillimisht nuk u projektua si një ekip për të fituar titullin kampion në Premier Ligë.
Aktualisht, 8 javë nga fundi i këtij sezoni e shohin veten në vendin e dytë me një diferencë prej 5 pikësh me kreun. Sot, për "gjelat" do të luhet një finale drejt ëndrrës për të fituar kampionatin sepse do të kenë kundërshtar Liverpulin.
Djemtë e Jurgen Klop janë të motivuar në maksimum dhe nuk kanë ndër mend të bëjnë dhurata në këtë ndeshje delikate dhe të rëndësishme. Pas humbjes dramatike me Sauthemptonin, Liverpuli kërkon të reagojë, ndërsa Totenhemi do të tentojë të arrijë fitoren e tretë radhazi në 3 javët e fundit. Diçka e tillë nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse Klop ka thënë se nuk do të bëjnë "party", por një luftë të vërtetë sportive.
Sfida e Klopit
Trajneri i Liverpulit vlerësoi ecurinë pozitive të Totenhemit, por shprehu gjithashtu bindjen se skuadra e tij i ka të gjithë mundësitë dhe potencialin për ta mposhtur.
"Ka kaluar shumë kohë nga momenti që mora drejtimin e skuadrës dhe tani i njoh më mirë lojtarët, kushtet ku punojmë, intensitetin e ndeshjeve dhe gjithçka tjetër. Na pret një ndeshje shumë e vështirë, sepse Totenhemi ka pasur një ecuri shumë pozitive në javët e fundit. Do të jetë një 'luftë' e fortë, mos prisni që të bëjnë ndonjë festë të madhe në fushë", ka thënë Klop. Numri një i të kuqve i ka thurur elozhe sulmuesit të tij Daniel Starrixh.
"Është në momentin e tij më të mirë që nga koha kur jam unë trajner i Liverpulit. Ka pasur shumë dëmtime, por tani po kalon formë të shkëlqyer. Shpresoj të vazhdojë kështu dhe të shkojë në Europian", shtoi më tej strategu i Liverpulit. Në fund të fjalës së tij, Klop tregoi se kampionati i ardhshëm i Premier Ligës do të jetë shumë i bukur sepse disa skuadra do të bëjnë ndryshime rrënjësore.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI