'Topi i Arte', Riberi: O sot, o kurre! Kjo eshte mundesia ime!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Francezi mendon se e meriton trofeun për të gjitha vështirësitë që ka kaluar
Frank Riberi mendon se ky mund të jetë shansi i tij i fundit i madh për të fituar “Topin e Artë”. Mesfushori francez i Bajern Mynihut ka pranuar se ka mundësi që të hënën të mbajë në duar trofeun më të lakmuar individual për futbollistë, por është i ndërgjegjshëm se rivalët që ka përballë janë të jashtëzakonshëm. Në një intervistë të dhënë për “L’Equipe”, 30-vjeçari pranon se, sipas tij, Lionel Mesi mbetet futbollisti më i mirë në botë, por ka vuajtur nga dëmtimet, ndërsa në krahasim me Ronaldon, ai ka fituar më shumë trofe me skuadrën e tij.
“Mesi dhe Ronaldo janë dy lojtarë të mëdhenj që shënojnë një numër të madh golash, por nuk duhet të krahasojmë statistikat tona. Stilet tona të lojës janë krejtësisht të ndryshme. Unë kam bërë gjithçka ashtu siç duhej, kam evituar dëmtimet dhe kam dhënë paraqitje të rregullta në të njëjtin nivel. Ronaldo shënon shumë gola, por Mesi është gjithmonë lojtari më i mirë në botë, megjithëse në këtë vit përjetoi shumë dëmtime”, ishin fjalët e francezit.
Riberi, i cili ishte lideri i Bajern Mynihut në rrugën drejt fitores së Bundesligës, Kupës së Gjermanisë, Ligës së Kampioneve dhe Botërorit të Klubeve gjatë vitit 2013, insiston se nuk mund të kishte bërë asgjë më shumë se kaq për të fituar një çmim të tillë dhe është i ndërgjegjshëm se ndoshta nuk do t’i shfaqet më një mundësi e tillë në karrierën e tij.
“Kam bërë gjithçka. Është e vështirë të japësh më shumë. Unë kam luajtur në të gjitha ndeshjet, kam fituar çdo trofe të mundshëm dhe kam qenë vendimtar. Kam besim te vetja dhe kam shanse për të fituar. O sot, o kurrë, pasi jam 30 vjeç! Për mua, “Topi i Artë” do të ishte një shpagim për të gjitha ato që kam kaluar. Diçka e jashtëzakonshme. Nëse nuk e fitoj? Jeta do të vazhdojë, edhe pse do të ishte një zhgënjim i madh. Por karriera ime nuk do të përfundojë. Është krejtësisht e kundërta. Dua që të argëtohem me Bajern dhe të fitoj gjithçka përsëri. Sigurisht, dua që të shkëlqej edhe me Francën në Botëror”, ishte deklarata e mesfushorit francez, i cili ka treguar kësisoj objektivat që i ka vënë vetes për vitin 2014.