Tirana shmang analizën pas derbit, Europa ultimatum
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një humbje që dhemb. Dhe më shumë se rezultati, ajo që rëndon është fakti që rekordi negativ sa vjen dhe thellohet.
U bënë mbi dy vite që Tirana nuk e kalon dot Partizanin. Tashmë janë kthyer në makth. Edhe pse në heshtje, të gjithë e pranojnë se po shkruajnë historinë me germa të zeza.
Tetë ndeshje janë shumë dhe të turpëruar ndihen më shumë përballë popullit bardheblu dhe atyre tifozëve që edhe pse në disavantazh të dy golave, kurrë nuk e ndalën përkrahjen e pakushtëzuar në stadium. Deri në sekondat e fundit e mbështetën Tiranën e tyre, paç- ka se ai ekip ishte shumë larg mentalitetit dhe karakterit për të cilin ky klub dallohet. Postderbi nuk ka qenë pushim. Dje të gjithë zbarkuan në fushë për të nisur përgatitjet.
Kalendari nuk pret, pasi të mërkurën vjen Flamurtari. Kohë për të "qarë" nuk ka, pasi edhe Europa është vënë realisht në rrezik. Edhe pse janë 36 pikë në lojë deri në mbyllje të garës, me fitoren e Teutës e kanë dorëzuar vendin e tretë, ndërsa presioni që po ushtron Kukësi është prezent, pasi tashmë janë -1.
Nisur nga e gjithë kjo, trajneri Ilir Daja ka dashur që të marrë "frenat" në dorë dhe dje e ka nisur me një mini-mbledhje. Është shmangur analiza klasike, madje sikundër u ka thënë vetë tekniku, ajo nuk do të kryhet derisa të vijë derbi tjetër.
Trajneri e ka përmbledhur gjithçka me pak fjalë, teksa u është drejtuar të tijve prerazi që të mbledhin forcat dhe të shpëtojnë sezonin. Dhe sigurisht që ky kampionat mund të justifikohet duke rimarrë vendin e tretë dhe rrjedhimisht duke prerë një biletë për në Europë.
"Atë që katranosëm të gjithë bashkë, nuk do ta komentojmë derisa të vijë derbi tjetër.
Nuk do ta analizojmë, sikundër veprojmë realisht. Duhet të përqendrohemi që të kapim Europën dhe pastaj të mendojmë për derbin e fazës së katërt", kanë qenë këto disa nga fjalët që u ka thënë trajneri të tijve dhe menjëherë ka dhënë direktivat për programin stërvitor.
Rreziku
Kalendari nuk i favorizon, e aq më tepër ngjeshja (pasi në tri javët e ardhshme do të luhet në harkun e 10 ditëve).
Tirana këtë javë do të presë Flamurtarin në shtëpi, ekip që i eliminoi nga Kupa e Shqipërisë, duke u hequr nga duart shansin për të qenë në Europë nga ky kompeticion. Të lehtë nuk do ta kenë në Shkodër, ekip që po lufton për t'iu larguar zonës së ftohtë, ndërsa në mbyllje të fazës së tretë është Kukë- si, që do të luhet një duel mes dy rivalëve direkt.
Faza e katërt do të jetë një luftë më vete, pasi rrjedhimisht edhe presioni shtyhet, ndërsa shansin për të larë "hesapet" me rivalin e përjetshëm vijnë më 30 prill, kur do të presin Partizanin në "Selman Stërmasi".
JA KALENDARI NË 12 JAVËT E MBETURA
09/03/16
Tirana-Flamurtari
12/03/16
Vllaznia-Tirana
19/03/16
Tirana-Kukësi
30/03/16
Tirana-Tërbuni
02/04/16
Tirana-Laçi
09/04/16
Bylis-Tirana
16/04/16
Tirana-Skënderbeu
23/04/16
Teuta-Tirana
30/04/16
Tirana-Partizani
07/05/16
Flamurtari-Tirana
14/05/16
Tirana-Vllaznia
21/05/16
Kukësi-Tirana
Përgatiti: ADELA MERKO