e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tirana mposht Flamurtarin e merr kreun

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana mposht Flamurtarin e merr kreun
Tirana do të kryesojë e vetme për të paktën 24 orë Kategorinë Superiore, pasi mposhti në “Qemal Stafa” rivalët për titull të Flamurtarit, në një ndeshje në të cilën fitorja nuk u vendos asnjëherë në diskutim nga 24-herë kampionët.

Bardheblutë fituan 2-0 ndaj Flamurtarit dhe u ngjitën në kuotën 9 pikëve në krye të klasifikimit. Të paktën për 24 orë, derisa të luajë edhe Teuta me Bylisin. Në rast se do të kemi një fitore të durrsakëve, atëherë këta të fundit do të mund të arrijnë me pikë bardheblutë.

Ndërsa nëse në Durrës fitojnë ballshiotët, mund t’i parakalojnë me një pikë më shumë kryeqytetasit. Barazimi do të lejonte Tiranën të kryesonte e vetme pas ndeshjeve të javës së katërt. Skuadra bardheblu, e drejtuar nga trajneri spanjoll Hulian Rubio, ka dëshmuar sërish se është në top-formë dhe po profilizohet si pretendentja numër një për titullin. Pavarësisht se është herët për ta thënë këtë, askush nuk ka bindur më shumë se bardheblutë, të cilët kanë mundur në javën e katërt një rival potencial, si Flamurtari. Kuqezinjtë e Vlorës janë shfaqur pa shpirt, pa grintë dhe të mpirë në “Qemal Stafa”, çka është bërë edhe më evidente nga loja e mirë dhe e organizuar e vendësve. Presioni i 24-herë kampionëve të vendit e ka detyruar mbrojtësin Veliu të mos merret vesh si duhet me portierin e tij Moçka (ndoshta edhe nga dalja e gabuar e këtij të fundit), kështu që mbrojtësi i Kombëtares kuqezi ka shënuar autogol në portën e vet. Kronometri shënonte minutën e 11, ndaj skuadrat kishin shumë kohë në dispozicion për të treguar veten.
 
Mirëpo, kur pritej që vlonjatët të reagonin pas pësimit të golit, ka ndodhur e kundërta. Tirana ka vijuar të mbetet në sulm dhe të mos lëshojë aspak terren. Kjo e ka vështirësuar së tepërmi misionin e kuqezinjve, të cilët nuk kanë dalë dot në lojën e tyre. Me rezultatin 1-0 mbyllen 45 minutat e para, ndërsa fraksioni i dytë i lojës ka pasur sërish në evidencë Tiranën. Klodian Duro, në ndeshjen e parë me fanellën e Tiranës që prej rikthimit në kryeqytet, vendosi disa herë në vështirësi vlonjatët me pasimet e tij të kalibruara, por goli për kuqezinjtë nuk mbërriti deri në mesin e pjesës së dytë, me autor Morinën, që luante në këtë ndeshje në vend të Balës. Goli i dytë i bardhebluve ka ardhur në minutën e 65-të me anë të sulmuesit të ri, ndërsa miqtë vlonjatë s’kanë pasur asnjë mundësi të volitshme për të shënuar qoftë edhe golin e nderit.

Minutat në vazhdim nuk kanë ofruar shumë, pasi Tirana është kujdesur mirë në mbrojtje, duke mos i lënë hapësirë kundërshtarëve. Po ashtu ka tentuar të realizojë disa aksione të njëpasnjëshme, por lojtarët e saj janë treguar të pasaktë para portës. Edhe vlonjatët janë përpjekur shumë, por tentativat e tyre kanë rezultuar të pasuksesshme. Bardheblutë triumfojnë në një ndeshje delikate për ta, duke u katapultuar në kreun e klasifikimit, në kuotën e 9 pikëve. Ndërsa Flamurtari tani duhet të mendojë për të rikuperuar situatën në ndeshjen e radhës.