e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tirana Super, fiton edhe Kukesi, ndalet Partizani

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana Super, fiton edhe Kukesi, ndalet Partizani

Tirana ka verbuar Apoloninë duke e mundur 3-0 në “Qemal Stafa” në ndeshjen çelëse të superligës shqiptare të futbollit. Rezultat pozitiv ka arritur edhe Kukësi në Shkodër, duke mundur 2-1 Vllazninë. Ndërsa Partizani nuk ka shkuar më tej se një barazim 1-1 ndaj Laçit. Këto rezultate bashkangjitur dhe dy takimeve të zhvilluara ditën e shtunë, kur Skënderbeu dhe Flamurtari mundën respektivisht Elbasanin dhe Teutën, plotësojnë panoramën e javës së parë. Tashmë Tirana, Flamurtari, Skënderbeu dhe Kukësi janë në kuotën e 3 pikëve, Partizani dhe Laçi në kuotën e 1 pikëve, ndërsa Teuta, Vllaznia, Apolonia dhe Elbasani në kuotën e 0 pikëve. Këto rezultate tregojnë më së miri se ujqërit e dëborës janë sërish skuadra për t’u mundur, ndërsa Tirana është rikthyer.

Tirana-Apolonia 3-0

Tirana ka nisur me fitore ndeshjen e parë të Superligës, duke gjunjëzuar në kryeqytet Apoloninë debutuese mes më të mirëve. Ndeshja e zhvilluar në “Qemal Stafa” u diktua nga fanellat bardheblu, që mbizotëruan përgjatë gjithë kohës në katërkëndëshin e gjelbër. Goli i parë i takimit u shënuar nga Elis Bakaj në minutën e 24, pas një inkursioni në të djathtë të Morinës. Ky i dhuroi një top në qendër të zonës Bakaj, që nuk gaboi para portierit kundërshtar. Në pjesën e dytë golin e shënoi Ndikumana. Në minutën e 58, lojtari shtatlartë i Tiranës, një nga më të mirët për të tijtë lëshoi një predhë në hyrje të zonës, e cila përfundoi në rrjetë. Një ditë e shkëlqyer ka qenë dhe për blerjen më të re të 24 herë kampionëve të Shqipërisë, Hyshmenerin, i cili edhe pse vetëm me një ditë stërvitje, arriti të gjejë golin e tretë për skuadrën e tij në minutën e 90. Gugash Magan, strategu i kryeqytetasve u shpreh tejet i lumtur për rezultatin. “Minutat e para nuk ishin të mira, por më tej e morëm veten. Skuadra është në rritje”, – theksoi Magani.

Laçi-Partizani 1-1

Edhe pse kaluan të parët në avantazh, “demat e kuq” të kryeqytetit nuk mundën të shkojnë më shumë se një barazim 1-1 ndaj Laçit. Një ndeshje e fortë e luajtur deri në sekondat e fundit dhe me një tifozeri të çmendur u mbyll në një barazim të drejtë për të dyja skuadrat. Të kuqtë e Shpëtim Duros nisën mjaft mirë lojën e tyre, duke rrezikuar shpeshherë portën e vendasve. Gjithsesi edhe pse presioni ishte i lartë, goli do të vinte vetëm në fillim të pjesës së dytë, kur Racic do të gjendej i pamarkuar në zonën kundërshtare dhe nga ku do ta kishte shumë të lehtë të shënonte. Goli i barazimit do të vinte vetëm 8 minuta më tej, kur të kuqtë ende të “dehur” nga gëzimi i golit i lanë hapësirat e duhura skuadrës së Laçit për të barazuar përmes Dokut. Loja do të vijonte e shpejtë dhe e ashpër me shumë raste, por pa gola. Vërshëllima e trefishtë e gjyqtarit Alla bëri që të dyja skuadrat të ndaheshin me nga një pikë në takimin e parë të superligës.

Vllaznia-Kukësi 1-2

Kukësi ka nisur mbarë sezonin e ri të superligës, duke fituar në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë. Shkodranët edhe pse në shtëpinë e tyre dhe të përkrahur nga një lumë tifozësh nuk mundën të merrnin asnjë pikë përballë nënkampionëve të Shqipërisë. Kukësi nisi mjaft mirë lojën. Verilindorët ishin mjaft të qartë dhe të saktë në organizimin e lojës, çka u konkretizua dhe me golin e shënuar nga Pero Pejiç, blerja e verës e skuadrës verilindore këtë sezon. Shkodranët pas këtij shoku fillestar nisën të kërkonin më shumë dhe përpjekjet e tyre u konkretizua vetëm në minutën e 43, kur Dibra fluturoi mbi të gjithë pas një krosi nga e majta. Kaq ishte dhe pjesa e parë. Pjesa e dytë nisi sërish me vrullin e “miqve”, të cilët gjetën golin Hysa në të 58’, pas një inkursioni në mesën e zonës kundërshtare. Vllaznia edhe pse do rriste trysninë në portën kuksiane, nuk do të mundte të “kafshonte” skuadrën që ka rinovuar mbrojtjen e saj, duke afruar lojtarë si Erion Dushku etj.