Tirana/ Karan i bllokuar, nuk bëhen dot as 11 titullarë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Dejan Karan humb zyrtarisht Kukësin.
Mbrojtësi serb edhe dje nuk është paraqitur në stërvitje, pasi vazhdon të ketë të bllokuar mesin.
Ekzaminimet e kanë nxjerrë me probleme në vertebrën lëvizëse të shpinës. E thënë në gjuhën mjekësore, ka bllokim të lumbalgjisë. Mjekët e kanë këshilluar minimalisht që të pushojë, çka do të thotë se ai humb ndeshjen që është vendimtare për zonën "Euro".
Por problemet për Tiranën dhe Ilir Dajën nuk kanë të sosur, pasi as 11 futbollistë nuk i bën dot për të ndërtuar 11-shen. Kjo u pa edhe në seancën e djeshme, teksa stafi teknik zhvilloi një lojë brenda grupit, por ende nuk është fiksuar asgjë. Katër lojtarë mbajnë pezull formacionin. Masato Fukui edhe dje ishte i diferencuar, teksa pas vrapimeve kreu edhe terapi.
Ndërsa pa ngarkesa kanë vijuar përgatitjet Dorian Kërçiku, Argjend Malaj dhe Enriko Papa. Vetëm sot do të zbardhet bilanci zyrtar i mungesave, ndërsa shpresohet që "infermieria" të boshatiset. I vetmi që vazhdon të rrezikojë është mbrojtësi i linjës së djathtë, Kërçiku, por trajneri dje ka kryer një bisedë veçmas me të dhe gjasat janë që ai të sakrifikojë.
Në listën e të padisponueshmëve është dhe Gilman Lika (i skualifikuar prej të verdhëve), Gentjan Muça (po kryen terapriaftësuese) dhe Ervin Bulku (vazhdon të mos jetë gati), ndërsa në fushë do të rikthehen Olsi Teqja (që ka kaluar problemin me muskujt) dhe Elis Bakaj. Mes gjithë të këqijave, ky është pa dyshim lajmi më i mirë për Ilir Dajën në finalen që vendos Europën.
Përgatiti: ADELA MERKO