Tifozët i prishin gjumin, Balo u tregon gishtin e mesit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nata e Milanit nuk ka kaluar e qetë në Napoli, në veçanti ajo e sulmuesit Mario Baloteli, i cili duket se e ka gdhirë. Kuqezinjtë janë grumbulluar si zakonisht në hotel "Vesuvio", por në orët e para të mëngjesit skuadra e Mihajloviçit ka marrë një vizitë të papritur.
Një grup prej 300 tifozësh të Napolit, me një moshë mesatare të ulët, kanë brohoritur me megafon kore kundër ekipit kuqezi. Në "shënjestër" ka qenë sulmuesi Mario Baloteli.
Lojtari duket se nuk ka duruar dot dhe është afruar në dritare duke i drejtuar turmës gishtin e mesit. Reagimi i italianit nuk u ka pëlqyer tifozëve, të cilët më pas kanë rritur volumin e protestës.
Policia, e cila ishte pranë zonës, ka monitoruar nga afër ngjarjen dhe më pas ka rrethuar hotelin duke larguar grupin e tifozëve. Sakaq, një tjetër "provokim" për sulmuesin e Milanit ka ardhur nga ish e fejuara tij, Rafaela Fiko, e cila ka qenë dje e pranishme në tribunën e stadiumit në shoqërinë e vajzës së tyre, Pia.