Tifozet e kuq kercenojne klubin per Nexhipin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani është gati për ndeshjen e parë në Europë pas më shumë se shtatë vite mungesë edhe pse më parë duhet të zgjidhë disa çështje brenda llojit. Trajneri Sulejman Starova ka vendosur që të lërë në stol, kapitenin Nderim Nexhipi, për ndeshjen e parë evropiane, por duket se kjo nuk u ka pëlqyer tifozëve dhe vetë kapitenit. Këta të fundit janë rebeluar ndaj klubit në rrjetet sociale. Ja çfarë shkruan një nga grupimet më të mëdha të tifozërisë së kuqe. “Nderim Nexhipi nuk është produkt i akademisë sonë, por ka treguar respekt ndaj tifozërisë, sidomos fanellës së kuqe me shumë se disa që i kthyen shpinën klubit kur më së shumti kishte nevojë edhe pse Partizani i kishte rritur dhe ju kishte dhënë emrin që kanë sot. Prandaj i bëjmë thirrje trajnerit që të ketë shumë kujdes në trajtimin e futbollistëve që kanë refuzuar oferta të majme brenda kampionatit shqiptar vetëm për t’i qëndruar besnik Partizanit”, thonë tifozët e kuq në deklaratën e tyre.
Qartësisht tifozët janë kundër dhe klubi i kuq, por edhe klubet e tjera në Shqipëri, gjithmonë i ruhen konfrontimit me përkrahësit e tyre. Nuk dihet se si do të shkojnë gjërat. Fakt është se në testin gjeneral të zhvilluar dje në Laç, ku të kuqtë barazuan me kurbinasit Starova nuk e ka përfillur kapitenin, si titullar. Në fushë kanë qenë Hoxha, Bici, Fejzullahi, Krasniqi, Ibrahimi, Vila, Batha, Trashi, Fazliu, Plaku e Tafili, ndërkohë që Mazrekaj e Nexhipi kanë luajtur nga pjesa e dytë, ashtu si edhe Xhjokiç që mund të jetë përforcimi i madh në mbrojtje. Po dje është zbuluar lista e të federuarve në Europë. Ajo çfarë bie në sy është se në këtë listë rezulton trajner i të kuqve, Genc Tomori, ndërkohë që Sulejman Starova praktikisht drejton ekipin. Starova do të udhëtojë së bashku me ekipin si zyrtar i klubit ku do të kryejë detyrën e trajnerit, pavarësisht faktit se UEFA njeh Tomorin si trajner të skuadrës. Kjo për arsyen se Starova nuk ka licencë UEFA Pro për të drejtuar ekipin në garën evropiane.
Partizani do të luajë ndeshjen e parë të turit të dytë të Europa League ndaj Stromsgodset me 2 korrik. Takimi do të zhvillohet në orën 19.00 në stadiumin “Marienlyst Stadion” në Drammen të Norvegjisë. Klubi norvegjez ka lajmëruar në faqen e vet zyrtare se, duke nisur nga data 26 qershor do të dalin në shitje biletat për takimin e 2 korrikut. Klubi i Stromsgodset ka bërë të ditur se biletat mund të blihen në internet ose pranë pikave të shitjes pranë stadiumit. Çmimi për një biletë në tribunën K3 ku do të qëndrojnë tifozët e kuq është 200 krone ose rreth 23 euro. Stadiumi “Marienlyst Stadion” është 8468 vende. Pritet që në mbështetje të Partizanit të jenë një numër jo i pakët tifozësh. Partizani rikthehet të luajë në Evropë pas shtatë sezonesh dhe tifozët e kuq mezi i presin këto takime. Bëhet e ditur se mbështetësit e skuadrës së Partizanit kanë nisur që tani organizimin për transfertën e 2 korrikut.
Miqësore me nënkampionët rumunë
Kukësi luan sot një tjetër miqësore përpara ndeshjeve eliminatore të Europa Leagaue. Këtë herë do të sfidojë një tjetër kundërshtar, Targu Muresh, që është skuadra e vendit të dytë në kampionatin rumun. Takimi i 4-t miqësor do të nisë të luhet sot në orën 18:00, për kuksianët. Tekniku brazilian mendon se duhet ende kohë për të formuar formacionin që do të vihet përballë Torpedo Zhodinos më 2 korrik. “Ne ishim në gjendje të krijonim shumë raste, gjithashtu të organizonim lojën, edhe pse grupi është pothuajse i formatuar i tëri. Por, baza e skaudrës, që ka shumë kohë që luan bashkë, mendoj se do t’i shërbejë Kukësit për ta kaluar turin e parë në “Europa League”. Lojtarët e rinj po tregojnë gjendje të mirë sportive dhe fizike, gjithashtu po përshtaten me grupin, këtë e tregojnë dhe rezultatet”, u shpreh Troisi pas ndeshjes së fituar kundër azerëve.