Tifozët e Çelsit e vërshëllejnë, Hazard drejt largimit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Nga lojtari i vitit në Premier Ligë në të kontestuarin e madh nga tifozët e skuadrës së tij. Eden Hazard po kalon 10 muajt më të vështirë të karrierës në "Stamford Bridge" dhe eliminimi nga Champions-i pas humbjes me PSG-në preku fundin.
Mesfushori belg u vërshëllye nga tifozët blu gjatë zëvendësimit në ndeshjen e 1/8-ave të Champions-it, madje u sulmua ashpër edhe nga opinionistët. Ishkapiteni i Mançester Junajtid, Roi Kin, kritikoi shkëmbimin e fanellës me Angel Di Marian në fund të pjesës së parë.
Gjestit të 25-vjeçarit nuk i doli në mbrojtje as trajneri Gus Hidink. "Tifozët kanë të drejtë të vërshëllejnë. Ata mund t'i shprehin ndjenjat e tyre. Nuk e pashë shkëmbimin e fanellës, por e di që ka ndodhur. Do të ishte e lehtë të thosha nuk e kam parë.
Por është diçka që s'duhet të ndodhte, edhe pse në disa vende është e zakonshme në mes të ndeshjes", tha trajneri holandez. Ish-talenti i Lilës nuk po argëtohet më në fushë dhe ndoshta këto janë shenjat e fundit që ai do kërkojë të largohet nga Londra në fund të sezonit.
PSG-ja dhe Reali janë dy ekipet që kanë shfaqur interes për shërbimet e tij. "Kam frikë ta komentoj këtë. Është shumë e shëmtuar ta bësh në pjesën e parë të një ndeshjeje të madhe. Unë nuk do ta kisha menduar ta jepja fanellën as në fund të ndeshjes, jo më në mes të saj. Është shokuese", komentoi Kin.
Edhe ish-mbrojtësi i Arsenalit, Li Dikson, nuk e kupton aspak gjestin e Eden: "Nëse do të bësh një gjest të tillë, shko dhe bëje brenda tunelit ku nuk të shikon askush. Çfarë do të thotë ta bësh në fushë? Për mua do të thotë se Hazard ka nisur të bëjë një koleksion të vogël përpara se të largohet".