e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tifozat Kuqezi: Ja si do ta skuqim Kopenhagenin ne 4 shtator

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tifozat Kuqezi: Ja si do ta skuqim Kopenhagenin ne 4 shtator

Eshtë zhvilluar dje një takim mes policisë dhe Federatës Daneze të Futbollit me një përfaqësi të “Tifozëve Kuq e Zi” në Skandinavi, duke i paraprirë ndeshjes së 4 shtatorit në Kopenhagë, mes kombëtareve të dy vendeve.

Duke parë entuziazmin e madh te tifozët shqiptarë për ndeshjet e kombëtares, si brenda, edhe jashtë Shqipërisë, referuar edhe numrit të madh të biletave që kanë rënë tashmë në duart e shqiptarëve, përtej limitit të përcaktuar me rregullore, Federata e Danimarkës në Futboll ka nisur të marrë hapat për të mos lejuar dominimin e tifozërisë kuqezi në shtëpinë e tyre.

Kjo federatë ka lëshuar dje një komunikatë për shtyp, ku kërkon që tifozët shqiptarë të mos blejnë bileta të tjera përpos atyre të paracaktuara, që korespondojnë me pjesën e stadiumit, ku do të vendosen mbështetësit miq.

Nëse do të veprojnë ndryshe, atëherë tifozëve shqiptarë do t’iu ndalohet hyrja në stadiumin “Parken”, në Kopenhagë, mbrëmjen e 4 shtatorit, në ndeshjen kualifikuese tepër të rëndësishme mes Danimarkës dhe Shqipërisë.

Kur kanë mbetur edhe dy javë deri në ditën e zhvillimit të kësaj kualifikueseje, konstatohet interesim i jashtëzakonshëm i tifozëve shqiptarë për t’u pajisur me një biletë jo vetëm nga FSHF-ja, por edhe në rrugë të ndryshme në Danimarkë.

Sidomos shqiptarët që jetojnë e punojnë në vendet skandinave kanë arritur të pajisen me bileta dhe do të mësyjnë stadiumin mbrëmjen e 4 shtatorit, në Kopenhagë. Kjo gjë i ka shtyrë të reagojnë danezët.

Federata e Danimarkës në Futboll, policia daneze dhe përfaqësuesit e “Tifozëve Kuq e Zi” në Skandinavi kanë mbajtur një takim rreth kësaj çështjeje, për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Lajmin për mbajtjen e këtij takimi, për “telesport.al” e ka konfirmuar Salih Shala, përfaqësues i “Tifozëve Kuq e Zi” në Skandinavi. “Federata daneze po kërkon që shqiptarët, të cilët kanë blerë bileta jashtë ulëseve në tribunat D1/D2, t’i kthejnë dhe t’i marrin mbrapsht paratë, pasi asnjë tifozi shqiptar nuk do t’i lejohet hyrja në tribuna të tjera.

Dje kemi parashtruar opsionet tona, të cilat do të merren në shqyrtim nga pala daneze dhe do të na kthejnë një përgjigje. Të premten kemi lënë takimin e radhës. Ne, nga ana jonë, kemi propozuar një zgjidhje kompromisi, pasi kërkesa e pare, që të na lejojnë të gjithëve, nuk është pranuar. Shpresoj që kjo alternativa e dytë të pranohet, por, natyrisht, edhe danezët kanë kërkesat e tyre, “ – tha Shala, duke zbuluar prapaskenat e takimit me Federatën Daneze të Futbollit dhe policinë e këtij vendi.

Po cila është alternative e dytë, të cilën e kanë ofruar TKZ dhe po shqyrtohet nga autoritetet daneze? Salih Shala shpjegohet: “Ne, si TKZ, i kemi bërë thirrje policisë që të gjithë tifozët të jenë të lirë dhe ta shijojnë futbollin, sepse në bazë të historisë tonë, në asnjë ndeshje të kombëtares nuk kemi pasur përleshje si tifozë mysafirë.

Gjithashtu, i kemi mbushur stadiumet në Itali e Zvicër me mbi 10 mijë shqiptarë, pa pasur as më të voglin problem. Sidoqoftë, deri më tani kërkesat tona kanë hasur në vesh të shurdhër. Jemi në pritje të një takimi dhe vendimi final të premten. Janë disa opsione kompromisi, që ua kemi ofruar danezëve si alternativa, ndaj presim përgjigje për to”.

I pyetur rreth qëndrimit të FSHF-së rreth kësaj çështjeje, Shala tha: “Ne jemi gjithmonë në kontakt të vazhdueshëm me FSHF-në. Ajo i ka marrë 2150 bileta nga danezët, më shumë nuk na takojnë sipas rregullave. FSHF-ja ka kërkuar më shumë bileta nga federata daneze, por kjo kërkesë nuk është miratuar. Prandaj, në këtë rast edhe FSHF-ja nuk ka shumë peshë për të na ndihmuar”.

Mes dy autoriteteve që organizojnë dhe menaxhojnë mbarëvajtjen e ndeshjes, cila është treguar më refraktare, e pyesim Zotin Shala, që na përgjigjet: “Policia daneze është treguar bashkëpunuese, është federata daneze që po na krijon pengesa. Ne i kemi thënë policisë: nëse nuk ka asnjë kompromis, atëherë tërhiqemi si palë, kur vjen fjala për siguri ditën e ndeshjes”.

Lidhur me përgatitjet, që kanë filluar prej katër muajsh, përfaqësuesi i TKZ në Skandinavi, tha: “Dëshira jonë e parë dhe plani origjinal ishte të bëjmë një flamur mbi 70 metra të gjatë, që të mbulonte komplet atë anë të stadiumit, por, pasi nuk na dhanë sektorin e tretë, u desh të fokusohemi vetëm në D1 dhe D2. Pra, mbetëm me këtë flamurin në foto. Sidoqoftë, edhe ky do të jetë flamuri më i madh që tifozët jovendas e kanë sjellë me vete në Danimarkë, ndonjëherë.

Sipas informatave që posedoj, më 4 shtator do të jemi së paku rreth 7 mijë deri në 8 mijë shqiptarë në stadium, por edhe më shumë jashtë tij. Do të mblidhemi qysh në orën 14:00, ditën e ndeshjes, në qytet, dhe do ta ngjyrosim Kopenhagën kuq e zi. Veç flamurit gjigand kuqezi, kemi plot mesazhe dhe gjëra të tjera që do të shpalosen. Mund të cek njërën. Do të nderojmë vëllain tonë, Gramoz Palushin, që në ditën e ndeshjes bën 11 vite i ndarë nga kjo jetë.

Gramozi u ther me thikë dhe ra si hero në Greqi vetëm për faktin se festonte atë ditë fitoren e Shqipërisë ndaj Greqisë (2-1). Natyrisht, do ta kujtojmë atë, sepse ka qenë njëri ndër ne dhe ka rënë për flamur”, – vijon komunikimin përmes “Facebook”-ut Salih Shala, i cili thotë se ka marrë garancitë nga policia daneze për ta futur brenda në stadium, ku do të jenë shqiptarët, flamurin e madh kuqezi, që është gati: “Po, patjetër, do ta fusim flamurin kuq e zi, që kemi përgatitur, në sektorin D1 dhe D2 të stadiumit, që janë edhe zyrtarisht sektorët e tifozëve shqiptarë. Kemi marrë garancinë e policisë daneze për futjen e tij.”

Kujtojmë se stadiumi “Parken” në Kopenhagë, ku do të luhet ndeshja kualifikuese Danimarkë-Shqipëri, më 4 shtator, ka një kapacitet prej 42 mijë vendesh. Të dyja kombëtaret janë në kuotë të barabartë pikësh, nga 10 të tilla, me Shqipërinë që ka një ndeshje më pak. Pra, kjo përplasje direkte do të jetë domethënëse për vendin e dytë në grup.