'Tifo per Napolin dhe Hysajn ne Itali, mar familjen ne France!'
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Italiani bën parashikimin për Europianin dhe vendos tre favorite: Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë. Por, edhe vendësit kanë shanse, ashtu si Italia e Kontes. Juventusi mund ta kalojë Bajernin”
Më pas, intervista në “Ora Skaner” ka vijuar edhe me disa pyetje të tjera, disi jashtë temës së Kombëtarës, por që kanë qenë kënvështrime vërtet interesante të trajnerit 59-vjeçar, që ka akumuluar tashmë eksperiencën e duhur për të folur gjërësisht mbi atë që mendon. Sigurisht, nga Europiani, tematika ka kaluar edhe tek kampionati italian, Champions, futbolli i Serisë A dhe… familja.
– Përtej Shqipërisë, kush janë për ty favoritët e këtij Europiani?
– Sinqerisht nuk di ç’të them për këtë. Nuk di për momentin. Mund ti them unë, faleminderit. Këto lloj lojërash prognoze bëhen në bar zakonisht, por, ka skuadra të forta me kualitete të forta dhe të jashtëzakonshme si Gjermania, Spanja, apo Belgjika. Pse jo edhe skuadra që luan në shtëpinë e saj, Franca që me këtë rast është edhe në grupin tonë. Mendoj që Italia nuk është skuadra më e mirë nga ana teknike, por është skuadra që kur duhet të bëj më të mirën e nxjerr në fushë dhe e arrin. Ka një trainer të mirë, që di të motivojë dhe të punojë mirë me grupin dhe besoj se Italia së bashku me të tjerat mund të ketë më shumë shanse se sa mund të kemi ne.
– Grup ferri për Italinë…
– Sinqerisht një grup mjaft i vështirë. Kur Italia në 2010-tën, në Botërorin e Afrikës së Jugut me Lipin nëse nuk gaboj Italia kishte një grup të lehtë dhe në atë kohë isha një profet i keq për atë që ndodhi. Sepse në një grup të lehtë mund të gabosh më shumë. Dhe ndodhi që Italia u eleminua që në grup atë Botëror. Ky i Francës është një grup motivues që nuk mund të japë Italisë asnjë moment relaksues dhe ku duhet të luajnë të gjitha ndeshjet me 110% të mundësive. Dhe aty mendoj që do të duket edhe puna e Kontes.
– Si pozicionohet Italia në Europë
– Në krye të të gjithëve për bukuri në këtë lojë vjen kampionati anglez, më pas ai gjerman, më tej kampionati spanjoll dhe të 4-tët klubet e Serisë A. Spanja në vendin e 3-të. Mendoj që 5 skuadrat e para të kampionatit spanjoll janë në nivele të mira. Edhe Italia këtë vit është afruar ndjeshëm me vlerën dhe kapacitetet teknike të skuadrave që ka.
– Eshtë një betejë e madhe për vendin e 4-tët në Champions, mes Italisë dhe Anglisë.
– Saktësisht kështu. Besoj se do të jetë një garë e bukur. Sa i përket Italisë, mendoj që, edhe këtë vit favorite mbetet Juventus, e cila kaloi edhe momentin e vështirë që pati dhe që ka gjetur një talent të jashtëzakonshëm si Dibala. Por ka edhe kapacitetet si dhe përvojën.
– Dmth mendon që do të fitojë sërish titullin?
– Do të jetë shumë afër. Nëse nuk fiton do të jetë fare afër.
– E nëse thua që do ti shkojë fare afër, kush do të jetë i pari?
– Do të jetë një luftë e bukur. Unë bëj tifo të themi për “Napolin”, sepse është ndërkohë edhe skuadra e Hysajt, dhe mos e harro këtë.
– Që je kundër Juventusit, kjo nuk përbën më tashmë lajm?
– Unë nuk bëj asgjë kundër. Por, duhet të ndodhë ndonjëherë që edhe ato që nuk konsiderohen të mëdhenj duhet të fitojnë. Napoli është një skuadër shumë e mirë, sipas meje, ka një publik të madh, ka gjithçka, por mbi të gjitha një trainer të shkëlqyer si Sarri, deri dje i panjohur, por tashmë i gjendur në vitrinën e futbollit italian po tregon atë që keni parë. Në Itali, duhet kuptuar që trainerët nuk duhet të merren për emrin që kanë, por për cilësitë që kanë. Por në fund të kësaj nuk ka se kush ti zgjedhë këtë trainerë mbi bazën e aftësive që kanë. Në Itali nuk kemi ende aftësinë për të bërë vlerësimet reale se kush trainer duhet marrë për atë nivel klubi, apo për një tjetër. Nuk e kanë edhe në vende të tjera, por është një aspekt ku futbolli duhet të korrektojë. Nuk kam parë kurrë një agjensi të parashtrojë në një shoqëri futbolli emra konkretë, dhe vlerat e tyre reale, por thjesht mbetet ende te emri që ka vënë. Këtë gjë e kam thënë shpesh edhe në Itali. Kjo gjë në Itali ka krijuar një disnivel bilanci, sepse i është dhënë makina atij që nuk kishte marrë ende patentën. Dhe kjo për Italinë është një moment ku duhet ndalur, për të korrektuar një fakt shumë të rëndësishëm, për t’u kthyer sërish në nivelet që ishte Seria A, natyrisht edhe me faktorët e tjerë. Duhen më shumë ide.
– Zonja dhe vajza, një përshtypje ndryshe nga laureimi juaj në UET?
– Shumë. Të kënaqura dhe krenare që ky Universitet më akordoi Dr. Honoris Causa, që më dha një kënaqësi shumë të madhe. Mund të them që viti 2015 që kaloi ishte vit për tu vënë në kornizë. Shpresoj që edhe 2016-ta ku jemi tashmë, ti ngjajë pak.
– Ndonjë xhelozi nga trainerë të tjerë në Itali për suksesin tënd?
– Besoj që jo. Por them, që kur ndodh një diçka e tillë me trainerët italianë jashtë Italisë, është një sukses për këtë fushë në këtë shtet si Italia.
– Dhurata më e bukur që pate në 2015-tën, përveç kualifikimit, them në aspektin e festave
– Dhurata më e bukur, ajo që kalova Krishtlindjet me familjen time, me nënën time, me motrën, vëllezërit dhe me bashkëshorten dhe vajzën time. Ishte shumë e bukur, sepse kemi shumë pak mundësi të rrimë bashkë. Unë kam nënën që mbushi 80 vjeç, 31 dhjetorin që shkoi, dhe më jep kënaqësi qëndrimi dhe përjetimi me të i momenteve të tilla.
– Mbase tashmë nuk ke kohë për pasionin tënd të madh, biçikletën…
– Jo, tani bën ftohtë, plus faktin që po udhëtoj jo pak për anën logjistike të periudhës para dhe qëndrimit në Francë. Natyrisht për të parë sa më mirë situatat e ndryshme që nuk duhen anashkaluar.
– Do të vijë zonja me vajzën në Francë?
– Besoj se po. Nuk e kemi vendosur ende, edhe pse bashkëshortja ime nuk është ndonjë e apasionuar e fortë e futbollit. Eshtë e apasionuar pas meje, apo punës, po nuk është se shkul flokët për futbollin. Unë besoj që në Francë, për përvojën që do të përjetojmë do të jetë patjetër.
– Mes bavarezëve të Bajernit dhe bardhezinjve të Juventusit, kë do të zgjidhje për kalimin e turit?
– Unë shpresoj që të kalojë Juvja jonë e çmendur. Dukesh që je i lumtur me këtë përgjigje. Eshtë e vështirë, shumë, edhe pse në të tilla vështirësi, fryma dhe forca e kësaj skuadre mund të jetë shumë e fortë dhe t’ia arrijë. Besoj shumë në impostimin e skuadrës nga ana e trainerit Alegri që në momente të tilla di të jetë edhe spekulative.
– Mister faleminderit. Takimi ynë i ardhshëm, pas 10 vitesh?
– Jo, me ty mbetet i përmuajshëm.