Teuta shkaterron Flamurtarin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Teuta shkëlqen dhe mund vlonjatët në ndeshjen e parë të fazës së dytë. Skuadra e Maganit habit, ndërsa Flamurtari edhe me para dështon. Teuta triumfoi me rezultatin 3-1 duke u ngjitur në kuotën e 17 pikëve dhe njëkohësisht në vendin e tretë të Kategorisë Superiore. Pa u mbushur ende 2 minuta lojë durrsakët kaluan përpara me Artur Maganit.
Megjithatë reagimi i Flamurtarit nuk mungoi dhe në të 19-tën kuqezinjtë barazuan shifrat. Sulmuesi gjeorgjian i vlonjatëve Bachana Tshadaxe përfitoi nga një harkim i Yll Hoxhës duke e kontrolluar mirë topin brenda zonës për të mposhtur më pas portierin Moçka. Kur kishin kaluar vetëm pak sekonda nga fillimi i pjesës së dytë durrsakët kaluan sërish në avantazh me një njëjtin autor Artur Maganin që përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes së Flamurtarit dhe pasi u ndal fillimisht nga Halilaj arriti më pas ta dërgonte topin në rrjetë.
Në minutën e 78-të Teuta gjeti edhe golin e qetësisë me Rustem Hoxhën. Kapiteni i durrsakëve me një goditje të bukur me kokë mposhti për herë të tretë në këtë ndeshje portierin e vlonjatëve Halilaj. Në të 81-tën pas një acarimi mes futbollistëve në fushë kryesori Enea Jorgji i tregoi kartonin e kuq në fytyrë Kushtrim Lushtakut pas një sjelljeje jo korrekte të këtij të fundit ndaj Emiliano Mustës. Situata degjeneroi dhe më pas Jorgji nxori jashtë me karton të kuq edhe kapitenin e vlonjatëve Bruno Telushi. Me dy lojtarë më pak Flamurtari e kishte të pamundur të reagonte dhe në “Niko Dovana” gjithçka u mbyll me fitoren 3-1 të Teutës.