Teuta, Lamçja premton pikët dhe gol ndaj Flamurtarit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Eri Lamçja beson te pikët me Flamurtarin. Sulmuesi e pranon edhe dëshirën që ka për të shënuar, paçka se prioritet kanë pikët dhe Europa.
Ai evidenton faktin që tashmë gara do të jetë e luftuar, ndaj minimalisht Teuta e tij duhet që të shmangë hapat falsë në "Niko Dovana". "Nuk na lejohen më hapa falsë dhe sidomos në ndeshjen e parë të fazës së katërt. Kemi hyrë në një fazë tejet vendimtare dhe kur kanë mbetur edhe 9 javë deri në finish, të paktën ndeshjet e luajtura në shtëpi nuk duhet t'i diskutojmë kurrsesi.
Përballja me vlonjatët është e fortë, por ne do ta cilësojmë si një ndeshje radhe. Flamurtari është një emër i madh i futbollit tonë, që momentalisht është duke luajtur në ujëra të turbullta. Kjo e dyta madje na shton motivimin dhe mobilizimin, pasi e dimë që kuqezinjtë nuk do të vijnë të dorëzuar në Durrës. Qëllimi ynë është që t'i marrim ndeshjet një e nga një, pasi vetëm kështu do të realizonim objektivin 'Europë'. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ulim kokën, pasi tashmë gara do të jetë e ashpër.
Gjithkush luan për diçka dhe kjo do ta bëjë fazën e katërt realisht të luftuar. Kundërshtarin e radhës e vlerësojmë maksimalisht, ndaj ne duhet të japim më të mirën që të marrim një rezultat pozitiv. Motivimi ynë është në nivele të larta, pasi duam të jemi pjesë e Ligës së Europës. Ndeshjet ndryshojnë nga njëra-tjetra, ndaj duhet ta përgatisim siç duhet këtë sfide, që është e vështirë dhe do të luftohet nga të dyja palët për të marrë pikë.
Të dyja skuadrat kanë synimet e tyre. Ne do të japim më të mirën për të marrë një fitore, shpresoj që të vijë edhe goli. Të shënosh gol ka rëndësinë e vet dhe të gë- zon, por më shumë vlerë kanë pikët që merr skuadra. Të gjithë mundohemi t'i shërbejmë ekipit me aftësitë tona. Ndaj, nuk mund ta mohoj dëshirën që kam që të shënoj dhe festojmë marrjen e tri pikëve. Duhet me çdo kusht të marrim pikët e plota për tifozët tanë", tha Lamçja.
Përgatiti: Jeton Rexhmati