e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Shameti: Kujdes Bylisin, Europën e arrijmë nga kampionati

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Shameti: Kujdes Bylisin, Europën e arrijmë nga kampionati

Ylli Shameti do pikët dhe blindimin e vendit të tretë në Ballsh. Megjithatë, mbrojtësi kërkon kujdes, pasi e ka të qartë se Bylisi do të rezultojë një kundërshtar i fortë. Shameti dhe mjeku RusiGjatë një interviste të dhënë për "Panorama Sport", gjirokastriti deklaron se trofeu i Kupës këtë vit do të shkojë në Kukës.

Faza e katërt nis me Bylisin, a është gati Kukësi për "sprintin" final?

Pasi arkivuam Tiranën, e gjithë vëmendja dhe motivimi ynë është te Bylisi tashmë. Jemi absolutisht gati dhe qëllimi ynë është që të marrim maksimumin dhe rrjedhimisht të ruajmë diferencat që kemi me rivalët për zonën "Euro".

Në Ballsh kundërshtari ka rezultuar një "kockë e fortë", a i druheni?

Çdo ekip do të luftojë fort, pasi edhe formati i kampionatit me 10 skuadra të kushtëzon. Nuk ka ndeshje apo ekipe të dobëta në këtë moment, ndaj duhet kujdes. Kjo gjë vlen edhe për Bylisin.

Ju luftoni për Europë, ndërsa kundërshtari për mbijetesë. Mendon Shameti se në fushë do të ketë diferenca?

Do jetë ndeshje e fortë. Edhe pse të dyja ekipet luftojnë për objektiva të ndryshme, kjo përballje mbetet thelbësore për vazhdimësinë.

Si e shikoni garën për vendin e tretë?

Është dhe do jetë garë e fortë. Çdo gjë do varet nga ecuria, kush gabon më pak, përfiton. Tirana apo Teuta, cila ju ushtron më shumë presion? Derisa jemi aty-aty me pikë, të dyja janë rivalet tona. Janë ekipe për t'u respektuar, por e kemi treguar që ne kemi diçka më tepër se të dyja këto skuadra.

Po garën për titull...?

Skënderbeu ka avantazhin e pikëve, por të dyja do të rivalizojnë njëra-tjetrën deri në fund. Është një garë e fortë dhe e bukur.

Ju vjen keq që ju për herë të parë në 4 vite që nuk luftoni për titull?

Pa diskutim që Kukësi është ekipi me pak vite në Superligë, por me një sukses të madh. Normalisht që duhet të ishim aty lart me Partizanin dhe Skënderbeun dhe të jeni të sigurt se dhe do bëhej gara më e fortë. Por, jam i bindur që shumë shpejt do vijë koha që të dyja këto ekipe apo dhe të tjera të konkurrojnë me ne për kampion. Nuk do jetë e largët koha kur Kukësi të arrijë te trofetë.

Trofeu mund të vijë edhe nga Kupa në fakt, ku përballë në gjysmëfinale keni Flamurtarin...

Në këtë fazë ku ndodhemi, nuk ka skuadra të lehta. Flamurtari është një ekip me cilësi, me financa të shëndosha, por që s'ka pikë në kampionat, kjo sjell edhe një përqendrim më të madh në Kupë. Do jetë përballje e vështirë, por kalon Kukësi në finale.

Si do ishte një fund i lumtur për Kukësin këtë sezon?

Fund i lumtur do jetë nëse në Kukës dërgojmë trofeun e Kupës. Ky qytet dhe kjo tifozeri e mrekullueshme e meriton. Pa dyshim edhe një trofe për presidentin për korrektësinë e tij deri tani dhe dëshirën e pasionin që ka për skuadrën tonë dhe për futbollin.

Po në aspektin personal çfarë planesh keni, duke qenë se ju përfundon kontrata me Kukësin këtë fund sezoni?

Uroj që të arrijmë objektivat, pastaj e ardhmja ime është sekondare tashmë, pra në radhë të parë dua vendin e tretë nga kampionati dhe Kupën, të jap maksimumin për këtë fanellë, pastaj Kukësi pa dyshim do jetë ekipi i parë nga do pres ofertën sepse kam 3 vjet dhe ndihem shumë mirë.

Përgatiti: S.Sulozeqi