e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Termet 3-ballesh' i Pejiçit, kroati 'ekzekuton' Vllaznine

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Termet 3-ballesh' i Pejiçit, kroati 'ekzekuton' Vllaznine
Kampionët e Shqipërisë në fuqi e tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë që në start, duke i dhënë jetë kampionatit të 74-t kombëtar të futbollit me një fitore bindëse, të arritur në tempullin e futbollit shkodran, në “Loro Borici”. Tërmet “3-ballësh” i Pero Pejicit, gjigandit kroat të Skënderbeut, që e nis në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin në radhët e juglindorëve. Rikthim mahnitës e mrekullues i Mirel Josës në kryeqendrën e veriut, aty ku ka drejtuar për mjaft kohë, disa herë, skuadrën vendëse.

Vetëm se kësaj radhe e ka mundur atë, madje e ka shokuar që në start, kur tifozëria e zjarrtë shkodrane, e shumtë në numër në këtë sfidë, priste të shihte Vllazninë e përforcimeve të shumta, e premtimeve të mëdha. As njërën dhe as tjetrën nuk e panë dot, sa për meritë të kundërshtarit, me në krye një sulmues të papërmbajtshëm si Pejic, aq për dobësi të theksuar të mbrojtjes kuqeblu. Kjo e fundit u shfaq e fjetur, aspak pozicinonale dhe me gabime të shumta në rreshtin, duke ia lehtësuar punën autorit të tripletës për kuqebardhët, Pejic. Jo më lart u shfaqën edhe repartet e tjera të Vllaznisë, që stonuan ndjeshëm dhe nuk gjetën thuajse për asnjë moment kohezionin e duhur, as pritshmëritë që kanë të gjithë për Vllazninë.

Tej rezultatit teknik të kësaj sfide, që nxori juglindorët triumfues me meritë, dueli mes kuqebluve dhe korcarëve  startoi zyrtarisht edhe edicionin e 74-t në historinë e kategorisë më elitare të futbollit tonë. Ndërkohë, konkurrenca në këtë kampionat pritet të jetë edhe më e lartë se vitin që shkoi, por duke u fokusuar te merkatoja e bërë, te grupi i lojtarëve që kanë, te potenciali ekonomik dhe politikat e brendshme të klubeve, nuk është e vështirë të përfshish në luftën për titull skuadra të tilla si Skënderbeu, Flamurtari, Tirana, Vllaznia e ndoshta Teuta. Superiorja do të prezantohet me dy skuadra të reja, të ardhura nga Kategoria e Parë, të cilat janë: Luftëtari dhe Kukësi. Verilindorët “shkelin” për herë të parë në këtë kategori në historinë e tyre.