e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Laci: I blej une aksionet e Xhanit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Laci: I blej une aksionet e Xhanit
Aksioneri i dytë i klubit të kuq, në një deklaratë publike, ka theksuar se po përpilon në një studio ligjore të gjitha veprimet për blerjen e aksioneve të nxjerra në shitje nga ish-presidenti Albert Xhani

Tashmë që skuadra e Partizanit është duke u kompletuar në prag të startit të sezonit të ri të Kategorisë së Parë, ku pretendimet janë rikthimi në Superligë, duket se është aksioneri Paro Laçi, i cili ka dalë hapur dhe thotë se kërkon që të blejë aksionet e nxjerra në shitje nga ish-presidenti Albert Xhani. Ky i fundit, me letra disponon 60% të aksioneve në klubin e kuq dhe ka afro dy javë që i ka nxjerrë në shitje.

Duket se ai që është treguar i gatshëm i pari për t’i blerë ato, duke e shprehur edhe publikisht, është aksioneri Paro Laçi, i cili është edhe ortaku i dytë në klubin e kuq. Madje, dje ai ka bërë edhe një deklaratë publike për mediat.

“Tanimë mund të them se Albert Xhani nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Partizanit. Procedurat për shitjen e 60% të aksioneve të tij, janë duke u përpiluar në një studio ligjore, e cila do të bëjë të gjitha veprimet. Unë si ortaku i dytë i Shoqërisë “Partizani sh.a”, kam të drejtën e parablerjes së këtyre aksioneve dhe një gjë e tillë më është kërkuar nga aksioneri maxhoren, Albert Xhani.

Gjithsesi, ajo që mund të them për momentin, është se pranë skuadrës së Partizanit shumë shpejt do të afrohen njerëz të cilët kanë kontribuuar edhe më parë në këtë ekip. Personalisht i siguroj të gjithë tifozët e Partizanit në mbarë vendin se shumë shpejt ekipi do të jetë në Superiore edhe me mbështetjen e donatorëve të rinj që do të jenë në këtë ekip”, thuhet në deklaratën që ka bërë aksioneri i “Partizani sh.a.”, Paro Laçi.