e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Te gjithe kunder Ranokias, Zaneti ne krah te kapitenit

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Te gjithe kunder Ranokias, Zaneti ne krah te kapitenit

Pjesa zikaltër e Milanos duket tepër e zhgënjyer me kapitenin Andrea Ranokia. Gafa e tij në përballjen kundër Napolit në kupën e Italisë i ka kushtuar kualifikimin Interit. Ndërkohë që shtypi dhe tifozët e kanë masakruar kapitenin për gafën e rëndë, në krah të tij ka dalë ish-kapiteni i zikaltërve, Havier Zaneti. Si një mbrojtës, i mësuar me të tilla zhgënjime, Zaneti ka deklaruar se Ranokia nuk duhet vënë në gijotinë për gabimin në Kupën e Italisë përballë Napolit. Ish-kapiteni tashmë në rolin e zëvendëspresidentit të Interit ka mbështetur kapitenin aktual të zikaltërve, i cili ndodhet në qendër të ciklonit.

“Është shumë e lehtë që gishti i akuzës të drejtohet te një lojtar i vetëm, por unë nuk mendoj kështu. Ranokia ka nevojë për qetësi dhe për mbështetje në këtë moment. Ai duhet të jetë sa më i qetë sepse është një lojtar me mjaft vlera dhe mbi të gjitha një profesionist i shkëlqyer. Gjithkujt mund t’i ndodhë një ndeshje e tillë. Në karrierën time të gjatë më ka ndodhur jo pak herë. E rëndësishme për Andrean është që të gjejë forcën e reagimit. Ai ndjen keqardhje sikur të gjithë ne, pasi kishim zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, por në fund u eliminuam”- ka thënë Zaneti.

Skuadra – Duke analizuar gjendjen e skuadrës Zaneti ka lënë të kuptohet se te Interi ka ende shumë punë për t’u bërë. “Tani do të na duhet të punojmë edhe më shumë. Mançini është një trajner i madh dhe të gjithë kemi besim të plotë te ai. Këto janë momente të vështira, por futbolli i tillë është me ulje e ngritje. Ai po ndërton një skaudër fituese dhe do të duhet t’i kalojë të gjithë etapat. Jam i bindur se pas këtij zhgënjimi do të dalim edhe më të fortë. Sigurisht që i kuptojmë dhe tifozët, kanë të drejtë të ndihen të mërzitur, të zhgënjyer, por un shoh ekipin në stërvitje dhe të gjithë janë të impenjuar për të bërë më të mirën”- ka shtuar Zaneti.


Raporti me Tohir – Zëvendës-presidenti i Interit ka folur edhe për raportet e tij me bosin e vet Erik Tohir. “Jemi në kontakt të shpeshtë dhe bisedojmë për gjithçka ka të bëjë me ekipin. Ai sikurse dhe ne jemi të zhgënjyer me rezultatet. Por të gjithë jemi të bindur se do ta kalojmë këtë moment”- ka thënë ai.


Ikardi dhe tifozët – “Mendoj se gjërat janë sqaruar, Ikardi e ka kuptuar se ka vepruar gabim. Kjo është gjëja më e rëndësishme në këtë mes”- ka mbyllur Havier Zaneti.