e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Aktualitet

'Te besh biznes me 2013', Shqiperia bie 2 vende ne renditje

Në këtë seksion: Aktualitet · 8 artikuj ↓
'Te besh biznes me 2013', Shqiperia bie 2 vende ne renditje
Shqipëria e përkeqësoi renditjen e saj me tri vende në raportin “Të bësh biznes më 2013” të Bankës Botërore. Nga 185 vende që u përfshinë në studim Shqipëria u pozicionua për  klimën e biznesit në vendin e 85-të, një renditje kjo më e mirë së mesatarja. BB vlerëson se vendi shënoi përparime në disa tregues të rëndësishëm, ndërsa ka ende vend për përmirësime. “Pavarësisht renditjes së përgjithshme, ka pasur dy reforma të rëndësishme vitin e kaluar.

Një në treguesin e fillimit të biznesit, ku Shqipëria hoqi një nga kërkesat për noterizimin e dokumenteve të themelimit të kompanive duke e bërë atë fakultative dhe duke ulur procedurat si dhe kohën që nevojitet e që e vë Shqipërinë ndër vendet më të shpejta për të filluar një biznes”, – tha Tea Trumbic, bashkautore e raportit. Sipas raportit, Shqipëria gjithashtu bëri përparime në treguesin e regjistrimit të pronave duke vendosur afate kohore për regjistrimin e një titulli të pronësisë. Megjithatë, për treguesin e lejeve të ndërtimit Shqipëria radhitet e fundit në klasifikimin e këtij raporti të Bankës Botërore.

“Për tri vitet e fundit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në Tiranë. KKRT ishte autoriteti kryesor që autorizonte lejet e ndërtimit dhe kishte zyrtarë të lartë të përfshirë në të. Procesi, sigurisht që merrte shumë kohë edhe më parë. Tani ka një ligj të ri që supozohej të zbatohej vitin e kaluar dhe që ua kalon këtë autoritet bashkive. Por për shkak të problemeve me zbatimin e ligjit, nuk janë dhënë leje ndërtimi.

Pra, në këtë pikë as që mund ta klasifikojmë Shqipërinë, pasi nuk ka asnjë aktivitet”, – ka theksuar Trumbic. Gjithashtu, përdorimi i energjisë është një tregues që nuk nxit investitorët e huaj jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit. Kriteri i ri i futur në raport dy vitet e fundit e mat lehtësinë në procesin e sigurimit të energjisë elektrike për një biznes dhe na rendit ndër vendet e fundit. Shqipëria e ka bërë më të lehtë fillimin e një biznesi duke bërë noterizimin e dokumenteve të regjistrimit fakultativ. Ajo e bëri më të lehtë pagimin e taksave për kompanitë, duke hequr taksën e makinave dhe duke nxitur deklarimin elektronik të taksave.

Në vendet në zhvillim Gjeorgjia zbatoi reforma në gjashtë fusha, më shumë se çdo ekonomi tjetër në rajon. Në nivel global, Singapori ruan vendin e tij të parë për lehtësinë e të bërit biznes për vitin e shtatë me radhë. Së bashku me të në listën e 10 ekonomive me rregulloret më miqësore për biznesin janë Hong-Kongu, Kina, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, Republika e Koresë, Gjeorgjia dhe Australia.

“Të bërit biznes” analizon rregulloret që zbatohen për bizneset e një ekonomie gjatë ciklit të tyre jetësor, duke përfshirë fillimin dhe operimin, tregtinë ndërkufitare, pagimin e taksave dhe mbrojtjen e investitorëve. Renditja e kombinuar për lehtësimin e të bërit biznes bazohet mbi 10 tregues dhe mbulojnë 185 ekonomi. “Të bërit biznes” nuk mat të gjitha aspektet e mjedisit të biznesit që kanë rëndësi për firmat dhe investitorët. Për shembull, ai nuk mat cilësinë e menaxhimit fiskal, aspekte të tjera të stabilitetit makroekonomik, nivelin e aftësive në forcën punëtore, apo elasticitetin e sistemeve financiare.
 
Renditja e vendeve në zhvillim
 

Vendet          renditja

Shqipëria         85

Armenia          32

Bjellorusia       58

Bosnja             126

Bullgaria          66

Kroacia            84

Qipro               36

Gjeorgjia         9

Kazakistani     49

Kosova            98

Lituania           27

Maqedonia      23

Moldavia         83

Mali i Zi          51

Polonia            55

Rumania          72

Rusia               112

Serbia              86

Taxhikistan      141

Turqia                71

Ukraina           137

Uzbekistani     154