e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Te Rinjte, U-19: Plas dhuna ne Partizani-Apolonia

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Te Rinjte, U-19: Plas dhuna ne Partizani-Apolonia

Dhunë tek të rinjtë, madje në mes të kryeqytetit. Skandali ka ndodhur dje në kompleksin “Dinamo”, në ndeshjen Partizani-Apolonia për U-19. Për gati 30 minuta fusha është kthyer në arenë boksi, teksa futbollistë të të dyja skuadrave dhe prindër kanë shkëmbyer grushte e shqelma. I turpshëm ka qenë edhe qëndrimi i forcave të rendit, që në fakt ishin të pakta në numër, por me mungesë të theksuar organizimi dhe garancie për sigurinë e një aktiviteti. Një dhunë që nis që tek të rinjtë, për të mos shkuar më tutje në kampionatet e të gjitha kategorive në Shqipëri.


Ngjarja Kur rezultati ishte 2-0 për Partizanin, në minutën e fundit të pjesës së parë, në afërsi të zonës së Apolonisë është përplasur qendërmbrojtësi fierak Mehmetaj dhe sulmuesi i Partizanit, Hafuzi. Ky i fundit ka goditur me kokë kundërshtarin, duke e rrëzuar në tokë. Në këtë moment lojtarët e Apolonisë shkojnë te gjyqtari Kotemelo për t’i kërkuar ndëshkimin me të kuq të Hafuzit. Mirëpo, ndërhyrja e futbollistëve të të dyja skuadrave në vendin ku nisi përplasja ka shkaktuar një sherr masiv. Disa prindër të lojtarëve të Partizanit janë futur në fushë, duke goditur pa mëshirë futbollistët e Apolonisë. Edhe nga pankina e skuadrës fierake janë vërshuar të gjithë lojtarët drejt fushës. Tifozët e pranishëm të Partizanit u kanë dalë në mbrojtje lojtarëve të skuadrës së tyre, duke bërë gjeste aspak të hijshme ndaj të rinjve fierakë. Gjithçka degjeneroi kur një nga prindërit e lojtarëve të Partizanit goditi trajnerin e Apolonisë, Marjol Miho. Ndërhyrja e forcave të rendit erdhi me vonesë dhe, për gati 30 minuta në fushë, gjendja ishte kaotike. Me shtimin e policëve gjithçka u normalizua dhe loja më pas vazhdoi rregullisht. Partizani fitoi 2-0 me gola të protagonistit të sherrit, Hafuzi.


Prindërit e dy lojtarëve shoqërohen nga policia


Menjëherë pas ngjarjes së dhunshme në fushë, forcat e rendit kanë shoqëruar dy prindër të lojtarëve të Partizanit në Komisariatin Numër Dy të kryeqytetit. Ata u bënë protagonistë të kësaj ngjarjeje të shëmtuar, ndërkohë që mësohet se do të hetohen në gjendje të lirë. Nuk është hera e parë që në ndeshjet e moshave më problematikë bëhen prindërit e futbollistëve. Në takimin e djeshëm Partizani-Apolonia, i çuditshëm ishte fakti se tifozët dhe familjarët e futbollistëve të të dyja skuadrave u lejuan të futeshin brenda fushës në mini-tribunën e ndërtuar pranë pankinave të skuadrave. Shumica e tifozëve qëndruan në krah të pankinës së Partizanit dhe në momentin e përplasjes që nisi mes dy lojtarëve, ata u futën menjëherë në fushë, duke shkaktuar një kaos të vërtetë. Tashmë mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë Komisioni i Disiplinës për dhunën në takimin e djeshëm.