Takaj-Shkëmbi, ja prapaskenat e krisjes te Skënderbeu
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Takaj dhe Shkëmbi nuk kanë pasur asnjëherë përplasje të mprehta mes tyre, por as ndonjë lidhje speciale apo të afërt. Është në stilin e presidentit të Skënderbeut që, ndryshe nga sa na ka mësuar realiteti shqiptar, nuk mban lidhje të afërta me ndonjë lojtar të veçantë.
Ndryshe ishte puna me Zeqon, i cili në fakt kishte një lidhje të veçantë me Shkëmbin që hera-herës kalonte edhe përtej raportit profesional. Për Takajn është ndryshe. Nëse ka një lojtar të preferuar, apo me një lidhje disi më të afërt, ai është Shehi dhe jo Shkëmbi.
Ftohja Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije se Takaj dhe kapiteni Shkëmbi nuk kanë thuajse kontakte prej afro 10 muajsh. Krisja mësohet se ka ardhur pas një ndeshjeje të sezonit të kaluar kur Takaj i kish propozuar Josës që ta hiqte Shkëmbin nga formacioni për shkak se nuk po i pëlqente paraqitja e tij në fushë. Që nga ai moment raporti mes tyre ka ardhur gjithnjë në ftohje duke mbërritur në një pikë komunikimi zero...
Situata me Josën Publikisht kanë shfaqur vlerësim dhe respekt reciprok dhe është shumë e vërtetë që përveçse kanë punuar për një kohë të gjatë bashkë, Josa dhe Shkëmbi kanë qenë edhe miq.
Tani situata nuk është më si më parë. Ka një ftohje të dukshme përtej shfaqjeve publike dhe komunikimi është i dobët, gati inekzistent. Kjo pasi kapiteni ka pritur që Josa t'i rezervonte më tepër hapësira. Ndoshta pa pretenduar më vendin e titullarit të padiskutueshëm, por as të anashkalohej kaq shumë.
Trajneri është gjendur në fakt mes dy "zjarreve", teksa nga njëra anë është politika e klubit për të investuar tek e ardhmja (filozofi biznesi) dhe nga ana tjetër nevoja për të ruajtur ekuilibrat e për të kënaqur edhe një nga ikonat e kampionëve në fuqi, siç është Shkëmbi. Përfundimi ishte më se i pritshëm: është zbatuar vullneti i presidentit ... .