Sytë nga Sukaj, Agostineli ngujon ekipin para portës
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani u ka dhënë fund dje përgatitjeve për transfertën e Durrësit, ku të kuqtë nën drejtimin e trajnerit Andrea Agostineli shkojnë me ide të qarta për këtë 90-minutësh.
Pas barazimit me Skënderbeun, ku humbën një mundësi afrimi me kreun, "demat" do ta kërkojnë me çdo kusht trepikëshin ndaj Teutës, pasi vetëm kështu mund të besojnë në fitimin e titullit. Gjatë kësaj jave stërvitore trajneri Agostineli ka qenë i fokusuar kryesisht te gabimet që i kushtuan ekipit lënien e pikëve ndaj Vllaznisë dhe Skënderbeut, të cilat deri në minutën e fundit ishin të fituara.
Eliminimi i gabimeve në fazën mbrojtëse, ku kundërshtari gjuan goditjet standarde, ka qenë prioriteti i teknikut italian. Të premten 58- vjeçari e ushtroi për minuta të tëra ekipin në fazën mbrojtëse, pasi kërkon që historitë e ndeshjeve me Vllazninë dhe Skënderbeun të mos përsëriten më në 10 javët e mbetura. Edhe në seancën e djeshme, që ka qenë e fundit për përballjen me Teutën, Andrea Agostineli u ka dhënë prioritet përgatitjeve të ekipit në perfeksionimin e goditjeve standarde, si në fazën mbrojtëse, edhe në atë sulmuese.
Për rreth një orë trajneri e ka ngujuar ekipin para portës, ku si fillim u punua me mbrojtësit, në rastet kur kundërshtari shënjestron portën e Hoxhës. Më pas Agostineli ka praktikuar ekzekutimin e goditjeve standarde, kur skuadra ndodhet në kërkim të golit. Nga ajo që u pa dje, strategjia e trajnerit italian është që golin ndaj Teutës ta kërkojë nga këto skema.
Për këtë takim shtatlartë- sia e ekipit pritet të jetë më madhe, pasi Bicaj dhe Krasniqi pritet të jenë titullarë në qendër të mbrojtjes. Përpos perfeksionimit të këtyre skemave, trajneri ka insistuar te lojtarët që ndaj Teutës pret një ekip të shpejtë dhe agresiv në fazën sulmuese, ku të gjithë duhet të lëvizin në fushë si një trup i vetëm, duke zbatuar detyrat e ngarkuara.
Ndonëse grupi nuk është i plotë, me Kalarin dhe Mazrekajn të dëmtuar dhe Raçic e Ibrahimi të pezulluar, sërish në kampin e kuq ka optimizëm dhe bindje për të fituar në përballjen e sotme me Teutën në "Niko Dovana".
Përgatiti: ILIR CARA