Supermarketi Inter, Junajtid dhe PSG për pazar në Milano
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Menaxheri i ardhshëm i Mançester Junajtid, Zhoze Murinjo, ka hedhur sytë në shtëpinë e Interit.
Ai synon që të përforcojë organikën e "djajve" me katër lojtarë, të cilët aktualisht militojnë tek ekipi i tij i vjetër, me të cilin fitoi gjithçka në vitin 2010.
Sipas së përditshmes italiane "Corriere dello Sport", portugezi ka ofruar mesfushorin spanjoll Huan Mata në këmbim të mbrojtësit brazilian, Zhoa Miranda. Sakaq, Murinjo ndjek me interes edhe kolumbianin Xhenson Murijo, si dhe sulmuesin Mauro Ikardi, për të cilin s'e ka fshehur kurrë admirimin e tij.
Në "orbitën" e Murinjos është edhe portieri Samir Handanoviç, në rast se në fund të sezonit De Gea do largohet nga "djajtë". Në krahun tjetër, Mata, pëlqehet shumë nga tekniku Roberto Mançini, teksa kujtojmë se spanjolli mund të luajë në të gjitha rolet e mesfushës në rreshtimin 4-2-3-1, taktikë që Mançini dëshiron të fusë sezonin e ardhshëm.
Mes këtyre hipotezave, shfaqen shumë emra të tjerë: pas marrëveshjes me Banegën, ëndrra e trajnerit italian për të përforcuar mesfushën mbetet Jaja Ture, por mesfushori i Mançester Sitit nuk është lojtari i vetëm, teksa është kthyer në modë edhe emri i Diarras të Marsejës. Mançini u ka bërë kërkesën drejtuesve zikaltër, por klubi francez kërkon 10 milionë euro për kartonin e futbollistit.
Çmenden sheikët
Sakaq, e ardhmja e Mauro Ikardit nuk është më e sigurt tek Interi. Për futbollistin ka shfaqur interes klubi i PSGsë, i cili është në kërkim të një sulmuesi për sezonin e ardhshëm pas largimeve të mundshme të Zlatan Ibrahimoviçit dhe Edinson Kavani.
Profili i Ikardit pëlqehet shumë nga trajneri Blank dhe flitet se PSG-ja për të bindur zikaltrit që t'i shesin sulmuesin, u ka ofruar kartonin e fantazistit Havier Pastore dhe atë të brazilianit Lukas, i cili prej disa vitesh është në "radarin" e klubit milanez. Në rast se kjo tratativë do të pranohet nga Interi, PSG ka kërkuar edhe 7 milionë euro nga klubi zikaltër.
Përgatiti: LEAR MAÇI