Superliga, Duro drejt Partizanit?
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Partizani nga dita e sotme mund të jetë me një trajner të ri, Shpëtim Duron, duke i hapur rrugë kështu ndërtimit të skuadrës për sezonin e ri 2014-2015. Burime të gazetës pranë klubit kryeqytetas bëjnë të ditur se gjithçka është gati dhe pritet vetëm firma e trajnerit që sezonin e shkuar drejtoi Shkëndijen e Tetovës. Tekniku i suksesshëm shqiptar, i cili prej kohësh është në diskutime me “Demat e Kuq”, që i kanë ofruar një kontratë 2-vjeçare, ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij dhe sot pritet përgjigja përfundimtare. Sipas burimeve të sipërcituara, Presidenti i Partizanit, Gaz Demi i ka propozuar trajnerit 54-vjeçar dorë të lirë në ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri dhe përpjekje maksimale sa i takon aspektit financiar, detajet e së cilës do të bëhen publike vetëm në rast se tekniku do të firmosë për skuadrën kryeqytetase, të cilën e ka shumë përzemër për shkak dhe të kaluarës së tij tek Partizani. Duro gjithashtu ndër objektivat kryesorë që do të ketë në pankinën e të kuqve është fitimi i titullit kampion brenda dy viteve, si dhe pjesëmarrjen në kupat e Europës në përfundim të sezonit të parë.
Burime pranë teknikut Duro bëjnë të ditur se trajneri ka marrë edhe një ofertë joshëse nga skuadra maqedonase e Shkëndijes, e cila nën drejtimin e teknikut shqiptar tejkaloi objektivat sezonalë duke prerë edhe një biletë për kupat e Europës, ndërsa synimi ishte mbijetesa. Oferta e drejtuesve të klubit nga Tetova kap shifrën prej 10 mijë eurosh në muaj, pra 120 mijë euro në vit, çka ka futur në dilemë teknikun Duro, i cili i ka kërkuar kohë mikut të tij tek Partizani, Presidentit Demi për t’i dhënë një përgjigje përfundimtare, e cila pritet të bëhet me dije përgjatë ditës së sotme, kur do të zhvillohet edhe një takim mes palëve. Gjithsesi, “Demat e Kuq” në pritje të përgjigjes së teknikut Duro kanë nisur rinovimet me disa prej lojtarëve dhe burime pranë klubit kanë konfirmuar se tashmë kanë hedhur firmën 10 lojtarë. Duro ka drejtuar dy herë të kuqtë e kryeqytetit dhe kjo do të ishte hera e tretë për teknikun e Tiranas, i cili duke firmosur për Partizanin do të rikthehet të drejtojë një ekip në vendin e tij. Teknikut Duro i ka përfunduar kontrata me skuadrën e Shkëndijes. Ai është i lirë të vendosë të ardhmen e tij dhe optimizmi brenda klubit të Partizanit për të riparë në pankinë Duron është i madh.
Skuadra e Partizanit në palmaresin e saj numëron 33 trofe, 15 tituj kampionë Shqipërie, 15 kupa Shqipërie, 2 Superkupa Shqipërie, si dhe është shpallur 1 herë kampione e Ballkanit. Fitimi i titullit kampion tek “Demat e Kuq” mungon që prej sezonit 1992-1993. Më tej historia e skuadrës kryeqytetase arriti në nivelet më të ulëta, që prej themelimit të saj në vitin 1946. Të kuqtë e kryeqytetit njohën edhe kategorinë inferiore, por tashmë ringritja në kategorinë e më të mirëve dhe privatizimi i klubit ka rindezur shpresën tek tifozët e “Demave të Kuq” për trofe, prandaj nënshkrimi me teknikun Shpëtim Duro, i cili njeh mirë futbollin shqiptar do të ishte një hap i mirë për të konkuruar për titullin kampion.