e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Super Mario, kampioni i boksit me fytyre engjellore

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Super Mario, kampioni i boksit me fytyre engjellore

Mario Sokoli është vetëm 16 vjeç dhe është një nga boksierët e rinj më të talentuar të kategorisë junior, si dhe kampion absolut i peshës së tij. Nuk është ai portreti i ashpër që zakonisht jemi mësuar të shohim tek boksierët, është i egër në ring dhe i qetë në jetë. Ai tregon se mbështetja dhe mbështetja e fansave, shokëve, miqve dhe kryesisht familjarëve është ajo që e bën të suksesshëm. Në këtë intervistë për “Shekullin”, djaloshi, i cili është shpallur për katër vite kampion kombëtar rrëfen për fillimet e tij, gjendjen e sportit shqiptar dhe të ardhmen që i ka rezervuar vetes.

Si lindi tek ju pasioni për një nga sportet më të ashpër e të vështirë, atë të boksit?

Që në moshën 10-vjeçare kam pasur një energji të brendshme, gjë të cilën ma spikati babai dhe më regjistroi në një palestër me qëllimin që këtë energji ta shkarkoja në stërvitje. Mbas disa muajsh stërvitje, trajneri i palestrës, që ishte edhe trajner boksi pa tek unë dhunti të një boksieri. Që nga ajo kohë, fillova me pasion të stërvitesha si boksier.

Si ka nisur karriera juaj, nga ëndrra në realitet?

Duke u stërvitur me pasion për rreth 1 vit, në prill të 2011-ës mora pjesë në kampionatin e pionierëve (school boys) të moshës 12-14 vjeç në peshën 50 kilogram. Kampionati kombëtar u zhvillua në Tiranë dhe dola kampion kombëtar i kësaj grupmoshe. Kjo ishte edhe pikënisja e ëndrrës, që vazhdoi edhe në moshën 12-vjeçare kur u shpalla sërish kampion.

Kush ju ka nxitur për të filluar këtë sport?

Unë kam lindur në një familje sportistësh, pasi gjyshi im e adhuronte sportin e boksit. Nga ai mora nxitje dhe vazhdoj sot t’ia shpërblej me sukses.

Vetëm pak javë ju ndajnë nga Kampionati Evropian. A jeni gati për të fituar në Azerbajxhan?

Vazhdoj të stërvitem me intensitet dhe përkushtim për arsyen e vetme që mbas katër vitesh kampion kombëtar, sivjet të më jepet e drejta për të konkurruar dhe përfaqësuar ekipin shqiptar në kampionatin Evropian të moshave 16-vjeçare (junior). Të them të drejtën nuk kam akoma asnjë informacion nga federata shqiptare e boksit se ku dhe kur do të zhvillohet kampionati Evropian. Sipas interesimit tim personal nëpërmjet internetit, jam lidhur me federatën e boksit Evropian "AIBA" dhe jam njoftuar që ky kampionat zhvillohet më datë 31 Tetor deri më 10 Nëntor. Akoma nuk kam konfirmim për pjesëmarrje nga federata shqiptare e boksit. Jam i indinjuar, se ka pasur dhe raste të tjera që boksierët shqiptarë nuk kanë marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare sepse FSHB-ja (federata shqiptare e boksit) nuk i ka financuar këta boksierë. Ka pasur edhe nga ata boksierë që kanë shkuar me shpenzimet e veta dhe unë jam në dilemë se çfarë do të bëj. Pres me dëshirë të madhe të marr pjesë dhe të përfaqësoj Shqipërinë në këtë kampionat evropian.

Boksierët përgjithësisht janë natyra të egra dhe shumë nevrikë. A bëni pjesë dhe ju në këtë lloj kategorie?

Të gjithë më thonë që nuk jap përshtypjen e boksierit nga paraqitja e jashtme, por fuqia e boksimit është e fshehur brenda meje dhe jam nevrik vetëm në ring.

Jeni 1.88 metra i gjatë. Sa ndikon gjatësia në suksesin e këtij sporti?

Gjatësia është primare, por duhet gërshetuar me aftësitë taktiko-teknike, shpejtësi në goditje, shpejtësi në lëvizje dhe forcë në goditje.

Sipas jush, si është gjendja e sportit shqiptar sot? A e shihni ju të ardhmen tuaj sportive të sigurt në Shqipëri?

Unë kam eksperiencën time si sportistkampion kombëtar dhe nuk kam marrë asnjë shpërblim dhe asnjë financim as nga shteti dhe as nga federata shqiptare. Të gjithë kampionët që dalin në Shqipëri, qoftë boksierë apo të sporteve të ndryshme, të cilët e kthejnë pasionin në profesion e braktisin Shqipërinë dhe garojnë për vendet e tjera të Evropës. Në kampionatin e fundit botëror të futbollit që u zhvillua në Brazil shumë futbollistë shqiptarë luanin me Zvicrën, Gjermaninë etj. Mungonte ekipi shqiptar. Prandaj prespektiva ime, jo me dëshirë, por nga mosvlerësimi është që dhe unë të garoj dhe të boksoj në të ardhmen në Evropë.

A keni ju një model të cilit do të dëshironit ti ngjanit, profesionalisht, por jo vetëm?

Nga gjatësia dhe përmasat prespektive, mjeshtrit e sportit të boksit thonë që mund të arrij të bëhem si Vitali Klitschko në ngjashmëri, por boksierët që mua më pëlqejnë dhe teknikisht mundohem të marr nga ta janë: Roy Jones dhe Floyd Mayweather.

Është vetëm 16 vjeç, por ka dalë katër herë kampion në Shqipëri, aq sa edhe vite ka duke u stërvitur për këtë lloj sporti, për të cilin në Shqipëri ende nuk ushqehet ndonjë dashuri e madhe. Hapat e tij të parë dhe rrugëtimi drejt suksesit që do ta bëjë të jetë pjesë e Kampionatit Evropian të Boksit nuk kanë qenë shumë të thjeshtë, por plot mund, punë e përpjekje. Vetë, Mario Sokoli i rrëfen hapat e parë dhe emocionet që e shoqërojnë në çdo sfidë për gazetën “Shekulli”.

Na tregoni pak për daljen tuaj të parë në ring, përshtypjen dhe emocionin e parë.

Kam qenë vetëm 12 vjeç kur kam dal në ringun shqiptar për herë të parë dhe u shpalla kampion. Emocionet kanë qenë të mëdha. Prania e tifozëve, trajnerëve, gjyqtarëve dhe ekipeve kundërshtare të të gjitha rretheve pjesëmarrëse të japin emocion. Këto emocione janë të pranishme edhe kur merr titull, edhe kur e dorëzon atë.

Jeni shpallur boksieri më i mirë i peshave 70-75 kilogram. Sa punë të është dashur për të arritur këtu ku je?

Me stërvitje intensive, përkushtim dhe shumë ambicie kam punuar për të ruajtur këto rezultate dhe për të vazhduar më tej në arenën ndërkombëtare. Tashmë boksin e kam profesion. Dhe dy vitet e fundit 2013-2014 jam shpallur boksieri më i mirë i grupmoshave (junior).

Sa ndeshje keni zhvilluar deri tani?

Ndeshje miqësore (turne) kam zhvilluar në Itali, Kroaci, në Malin e Zi ku morën pjesë edhe shumë vende nga Ballkani. Po ashtu jam ndeshur në Prishtinë, Prizren dhe në të gjithë qytetet shqiptare. Me gjithë kampionatet kombëtare dhe ato miqësore kam zhvilluar rreth 30 ndeshje zyrtare.

Ndeshja më e vështirë?

Ndeshja më e vështirë ka qenë ajo e zhvilluar në Budva (Montenegro) në një turne miqësor ballkanik të zhvilluar para 2 vjetësh. Aty u vlerësova nga e gjithë juria, përfaqësues dhe trajnerë të të gjitha vendeve. Më dhanë dorën duke më përgëzuar për fitoren kundra rivalit tim nga Serbia, por çuditërisht juria e përbërë nga gjyqtarë serbë i japin fitoren boksierit serb. Një padrejtësi ku u zhgënjeva unë dhe të gjithë pjesëmarrësit në pallatin e sportit. Kjo mendoj që ka qenë ndeshja më e vështirë, por dhe më zhgënjyese.  

Emri: Mario

Mbiemri: Sokoli

Vendlindja: Tiranë

Mosha: 16 vjeç

Vendbanimi: Tiranë

Gjatësia: 1.88 cm

Pesha: 70 kg

Profesioni: Nxënës

Hobi: Boksi Ekipi: Enea

Çmime: Tiranë 2011, Vendi i parë, pesha 50 kg

2012 Kampioni i Vitit

Shkodër 2013, Vendi i parë, pesha 66 kg

Maj 2013- "Boksieri me teknik"

Lezhë 2014, Vendi i parë, pesha 75 kg

Korrik 2014- "Boksieri më i mirë"

Tetor-Nëntor 2014, pjesëmarrës në Kampionatin Evropian të Boksit