e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Sukaj, akord me Partizanin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sukaj, akord me Partizanin
Aksioneri Paro Laçi ka arritur të sigurojë një parakontratë me kusht me sulmuesin. Futbollisti mund të bëhet pjesë e skuadrës së kuqe fazën e dytë të sezonit të ardhshëm

Aksionari i Partizanit, Paro Laçi, gjatë gjithë kësaj periudhe ka punuar për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm duke emëruar edhe stafin teknik, që tanimë drejtohet nga Nikolin Çoçlli. Laçi, gjithashtu, ka kontaktuar edhe një sërë futbollistësh të kampionatit tonë për të qenë pjesë e të kuqve. Por goditja e radhës në merkato, e cila mund të konsiderohet vërtet një surprizë, është ajo e sulmuesit shkodran Xhevahir Sukaj. Dy ditë më parë Laçi dhe Sukaj kanë pasur një takim në kryeqytet, gjatë të cilit kanë folur për një kalim të mundshëm të futbollistët te Partizani. Momentalisht pengesë për këtë kalim është kontrata që lojtari ka me skuadrën e Sepahan në kampionatin iranian, e cila përfundon pikërisht në muajin janar. Megjithatë, mes palëve është arritur një parakontratë, e cila ka pasur edhe një kusht brenda saj. “I kam bërë një ofertë zyrtare Sukajt dhe ai e ka pranuar. Në janar ai do të jetë pjesë e Partizanit, në rast se skuadra në fund të fazës së parë të kampionatit do të renditet në vendin e parë të Kategorisë së Parë. Ishte një kusht të cilin e kam pranuar me kënaqësi, duke qenë i bindur se Partizani do të jetë në këtë pozicion”, – ka deklaruar dje për “Panorama Sport” aksionari i Partizanit, Paro Laçi.

Polemikat Sukaj është larguar nga skuadra e Vllaznisë mes polemikave të shumta, për shkak të konflikteve që kishte me drejtuesit e skuadrës për një këst të kontratës që nuk e kishte marrë ende. Vllaznia i vuri kusht futbollistit që, nëse do të firmoste për ndonjë ekip fazën e dytë të sezonit të shkuar, ai do të ishte jashtë vendit. Dhe sulmuesi zgjodhi pikërisht kampionatin iranian. Por, kohët e fundit, emri i Sukajt është përmendur shumë për një rikthim te skuadra e Vllaznisë, çka nuk duket e realizueshme. Lojtari është nisur dje drejt Iranit, por tashmë me një marrëveshje në xhep, e cila është me Partizanin, një skuadër me emër të madh në futbollin shqiptar, pavarësisht se luan në Kategorinë e Parë. Megjithatë, 24-vjeçari do të jetë pjesë e të kuqve fazën e dytë të kampionatit të ardhshëm, në rast se këta do të jenë me një këmbë në Superiore, pra duke u renditur në vendin e parë në gjysmën e sezonit.

Sulmuesi e konfirmon: Kam bërë marrëveshje

Përpara nisjes për në Iran, ditën e djeshme Xhevair Sukaj në një prononcim për “Panorama Sport” ka konfirmuar edhe marrëveshjen që ka bërë me aksionarin e Partizanit, Paro Laçi. “Kam zhvilluar një bisedë miqësore me Laçin pasi me të njihem prej kohësh. Më ka bërë një ofertë që të jem pjesë e Partizanit fazën e dytë të kampionatit dhe tashmë kemi rënë dakord për të gjitha kushtet financiare, si dhe kemi bërë një tip parakontrate”, – ka deklaruar lojtari. Më pas, ai ka konfirmuar edhe kushtin që ka vënë për të qenë pjesë e të kuqve. “Unë nuk e kam problem faktin që Partizani luan në Kategorinë e Parë, por kërkoj siguri që kjo skuadër pas një sezoni të jetë në Superiore. Partizani është një emër i madh i futbollit shqiptar dhe unë do të bashkohem me të, në rast se ai fazën e parë të kampionatit do ta mbyllë në vendin e parë dhe do të jetë një nga ekipet që do të ngjitet në Superiore”, – ka përfunduar Sukaj.