Suarez behet shembull, kater muaj jashte stadiumit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
FIFA ka dhënë një ndëshkim shembullor për Luis Suarez, duke dënuar sulmuesin uruguaian me një pezullim të gjatë për kafshimin e tij ndaj Xhorxhio Kielinit në ndeshjen kundër Italisë. Pas 10 orësh diskutime e shqyrtimi të rregulloreve, Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka vendosur që të pezullojë lojtarin për 9 ndeshjet e radhës së Uruguait, si dhe 4 muaj nga çdo aktivitet futbollistik, dënim të cilit i është shtuar edhe një gjobë prej 100 mijë frangash zvicerane. Kjo do të thotë se Suarez do të mungojë deri në nëntor edhe për skuadrën e Liverpulit, duke dëmtuar rëndë të ardhmen e këtij lojtari.
FIFA ka marrë parasysh të gjitha variantet e dënimeve të mundshme, duke e cilësuar këtë si më të drejtin, siç e konfirmoi vetë kryetari i komisionit, zvicerani Klaudio Sulser. “Një sjellje e tillë nuk mund të tolerohet në asnjë fushë futbolli dhe sigurisht jo në një Kampionat Botëror, ku sytë e miliona njerëzve janë mbi yjet që zbresin në fushën e lojës. Komisioni Disiplinor mori në shqyrtim të gjithë faktorët e çështjes, shkallën e fajit të z. Suarez dhe të gjitha nenet që përmban kodi. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, shpjegoi ai para mediave, duke saktësuar se kjo masë parashikon moslejimin e hyrjes së futbollistit në stadium kur luan Uruguai, qoftë edhe si spektator. Njëkohësisht, është sqaruar se masa ndëshkimore nuk do të ketë asnjë pasojë mbi transferimin e futbollistit, pasi ai është i lirë të transferohet, ndonëse është i pezulluar për këtë periudhë katërmujore. Sipas mediave braziliane, brenda FIFA-s ka pasur shumë pakënaqësi për këtë dënim të rëndë të Suarez, i cili shihet si një nga yjet më të shndritshëm të futbollit të Amerikës Latine. Thuajse të gjithë presidentët e federatave të këtij kontinenti, të udhëhequr nga ai i Argjentinës, Hulio Grondona, mendohet se kanë lobuar gjatë këtyre ditëve që Suarez të mos dënohet, ndërsa Federata e Uruguait ka bërë të qartë se do ta apelojë menjëherë këtë dënim. Njëkohësisht, është bërë e ditur se në pritje të apelimit, Suarez do të kthehet në vendlindje, për të qëndruar pranë familjes së tij në këto momente të vështira.
Nga ana tjetër, Liverpuli ka preferuar që të presë, para se të japë qëndrimin e vet rreth kësaj çështjeje, ndonëse mediat angleze flasin për një “shqetësim” të pronarëve të klubit me prapësitë e vazhdueshme të Suarez. Sulmuesi uruguaian është padyshim lojtari më i mirë i “të kuqve”, siç e tregojnë 31 golat e shënuar nga ai në sezonin kaluar në kampionat, duke mbajtur ekipin në garë për titullin Kampion deri në javët e fundit. “Liverpuli do të presë derisa të shohim të plotë raportin e Komisionit Disiplinor të FIFA-s, para se të bëhen komente të tjera”, shkruhet në mesazhin e vetëm të publikuar në faqen e klubit anglez, që me pezullimin e sulmuesit humb një element të rëndësishëm në luftën për titull.
Tifozët
Në rrjetet sociale ka filluar menjëherë fushata e sensibilizimit në mbështetje të lojtarit. Tifozët kanë vendosur një foto të dhëmbëve të lojtarit dhe #TodosSomosLuisSuarez, për të treguar indinjatën e tyre ndaj FIFA-s
Ndeshjet
Duke marrë parasysh pezullimet e dhëna ndaj Suarez për tri kafshimet e bëra në karrierën e tij, ai rezulton të jetë i dënuar për 39 ndeshje, më shumë se një sezon i plotë në secilin kampionat kryesor në Europë
Federata
Presidenti i Federatës së Futbollit, Vilmar Valdez, ka hedhur poshtë idenë e bojkotit të Botërorit në formë proteste. “E apelojmë vendimin, pasi e shohim si të tepruar. Po na duket sikur na kanë eliminuar nga Botërori”
Ronaldo
Ish-sulmuesi brazilian mendon se vendimi për dënimin e Suarez është i drejtë. “Futbolli është social, edukativ dhe duhet të përdoret për mirë. Futbolli duhet të shërbejë si shembull dhe ata që dalin nga rruga e duhur duhet të ndëshkohen”
Lugano
Kapiteni i Uruguait ka qenë shumë i mërzitur pas vendimit dhe kjo shihej nga postimi i tij në “Facebook”. “Indinjatë dhe pafuqi, kjo është ajo që ndiejmë tani. Do të na pëlqente një botë më e drejtë, por ajo nuk ekziston këtu”